Romët e papunë, policia bashkiake sekuestron kanoçet pa urdhër zyrtar

Romet duke protestuar para Bashkise
Policia gjobit të vetëpunësuarit, me bazë ligjore Kodin Rrugor. Marrja e materialeve pa procesverbal
Anëtarët e komunitetit rom të mbetur pa punë, përveçse nuk u del llogaria për të ngrënë e për të pirë, nuk kanë më asnjë mundësi për të fituar bukën e gojës.
Bashkia e Tiranës tha se problemi i mbledhjes së kanoçeve nga komuniteti rom ka sjellë pakënaqësi në radhët e qytetarëve, të cilët hapja e plehrave në rrugë, gjatë procesit kur ata kontrollojnë, sjell ndotje për mjedisin. Kjo është e vërtetë, por nga ana tjetër, romët nuk po kuptojnë arsyen se përse nuk lihen të punojnë në vende të tjera. Atyre u është mohuar e drejta e grumbullimit të mbetjeve edhe në vendin e burimit.
Asnjë mbetje
Shumë prej romëve merrnin kanoçe, shishe apo materiale të tjera të riciklueshme nga biznese private, lokale, zyra apo institucione që sigurojnë kanoçe, qelq apo letër me shumicë. Kjo jo vetëm që nuk dëmton ndotjen e komunitetit, por ndihmon edhe biznesin e riciklimit, pasi të vetëpunësuarit në sektorin e mbeturinave janë ndarësit më të mirë të mbetjeve.
Së bashku me romët, të cilët i mbledhin mbetjet e riciklueshme në kontejnerë të mbetjeve urbane, policia bashkiake ka ndaluar edhe aktivitetin e romëve që mbledhin këto mbetje në burim, në bazë të marrëveshjeve që kanë lidhur organizatat rome (si Romani Baxt) me subjekte të interesuara si ambasada, organizata lokale e ndërkombëtare dhe institucione të ndryshme publike, thuhet në shkresën e avokatëve të romëve dërguar kryebashkiakut.
Aksioni pirat
Një tjetër skandal në gjuetinë e romëve që mbledhin kanoçe e lloje të tjera mbetjesh të riciklueshme është edhe ai i policisë bashkiake që konsiderohet tërësisht pirat.
Nuk ka asnjë shkresë zyrtare të firmosur e të vulosur që udhëzon apo urdhëron inspektorët e policisë bashkiake për ndalimin e punës së romëve dhe sekuestrimin e materialeve të tyre apo mjeteve me të cilët mbledhin mbetjet. Gazeta Shqip ka kërkuar këtë shkresë zyrtare, shoqëria civile ka kërkuar transparencën e kësaj shkrese, por ajo nuk është vënë në dispozicion të publikut as nga bashkia dhe as nga përfaqësuesit e saj. Një listë organizatash jofitimprurëse, në një letër, që i kanë renditur kreut të bashkisë së kryeqytetit, Lulzim Basha, të gjitha pasojat e një aksioni të tillë, përmenden edhe fakte të tjera. Sipas OJF-ve, gjatë aksionit për ndalimin e romëve që mbledhin mbetje, inspektorët e policisë bashkiake dhe kreu i kësaj strukture kanë fyer romët dhe i kanë diskriminuar ata. Komunikimi me pjesëtarët e komunitetit lë vërtet për të dëshiruar, duke menduar këtu se këta funksionarë përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat e kryeqytetasve.
Prej më shumë se tri javësh, komuniteti rom nuk lejohet të grumbullojë materialet e riciklueshme si plastikë, letër, metal u janë sekuestruar e ndaluar mjetet e punës, konfiskuar mbetjet e grumbulluara si dhe u janë nënshtruar vënies së gjobave. Për më tepër, procesi i sekuestrimit është shoqëruar me shprehje diskriminuese dhe dhunë fizike ndaj anëtarëve të komunitetit rom nga ana e policisë bashkiake, u thonë OJF-të kryebashkiakut.
Sipas shoqërisë civile, masat si gjobat apo sekuestrimi i mjeteve motorike, jomotorike, si dhe materialeve të riciklueshme, cenojnë jetesën e këtij komuniteti që vazhdimisht bëhet pre e diskriminimit, dhunës fizike, psikologjike dhe abuzimeve të ndryshme dhe që çdo ditë përballet me mungesën e aksesit në shërbimin arsimor, shëndetësor, ekonomik dhe social, mungesë strehimi, papunësinë, varfërinë e thellë, përjashtimin social.
Në kushte të tilla (pa strehë, pa punë dhe pa shërbime jetësore) çdo hap që përkeqëson edhe më tej gjendjen e këtij komuniteti mund të nxisë lypjen e detyruar (të miturit dhe gratë), rritjen e kriminalitetit apo emigrimin ilegal, si alternativa e vetme për këtë komunitet. Të gjitha këto pasoja nuk cenojnë vetëm komunitetin rom, por e shtrijnë efektin e tyre negativ në cilësinë e jetës së të gjithë qytetarëve shqiptarë.
Problemet e identifikuara:
Ndalimi dhe sekuestrimi i mjeteve të punës nga policia bashkiake; i të gjitha materialeve të riciklueshme të mbledhura dhe pezullimi i aktivitetit
Gjobat
Janë gjobitur një numër i konsiderueshëm anëtarësh të komunitetit rom, për kundërvajtjen e transportit të mbeturinave dhe ndotje ambienti, duke përdorur si bazë ligjore Kodin Rrugor.
Policia
Bashkiake nuk ka mbajtur procesverbal në të gjitha rastet e sekuestrimit të mjeteve. Ka paqartësi në lidhje me urdhrin e nxjerrë nga Bashkia e Tiranës dhe bazën ligjore të veprimeve
Romët e papunë, policia bashkiake sekuestron kanoçet pa urdhër zyrtar burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip