Romët për romët
Rreth 30 filma do të paraqesin historinë, kulturën, artin, nga romët për romët. Në edicionin e dytë të Rolling Film Festival, që mbahet më 2-5 mars, do të shfaqen drama të thjeshta, që merren me trajtimin e vështirësive dhe gëzimeve të jetës së romëve.
Nga 30 filmat e festivalit 15 do të jenë në konkurrencë zyrtare.
Sipas Dren Berishajt, organizator i Rolling Film Festival, sqaron se përpos filmave dokumentarë festivali do të shfaq edhe “Ëndrrat e romëve të rinj”, derisa thekson se kjo, në fakt, edhe është temë e filmave të shkurtër të bërë nga romët e rinj të Kosovës përmes telefonave celularë. Këta të fundit do të jenë edhe pjesë e një punëtorie/workshopi.
“Do të jenë dy çmime për këta filma; çmimi i audiencës dhe çmimi i jurisë. Janë këta filma amatorë me temën ‘Ëndrra rome’, por që kanë një kreativitet të veçantë, sepse do t’i shohim 16-vjeçarët duke bërë filma me telefona celularë”, thotë Berishaj.
Shumë filma, që janë pjesë e festivalit, përndryshe vijnë nga shumë vende të botës. Kështu në Rolling Film Festival do të jenë prezentë filma nga Rumania, Bullgaria, Sllovenia, Gjermania, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Maqedonia. 15 filma do të shfaqen për herë të parë pikërisht në këtë festival, gjegjësisht do ta kenë premierën në Kosovë, e dy prej tyre do të jenë edhe premiera botërore: filmi “Welcome Home”, i regjisores Eliza Petkova, dhe “Flames of God”, i regjisorit Meshakaj Wolf.
Pas mbylljes së festivalit, filmat pastaj do të nisen për një shëtitje nëpër disa qytete të Kosovës.
“Do t’i prezantojmë disa filma të festivalit nëpër disa qytete të Kosovës. Gjithashtu, do t’i kemi edhe disa aktivitete interaktive me rininë e shkollave, kryesisht të mesme, për temat si racizmi, diskriminimi, paragjykimet, etj”, sqaron organizatori Berishaj.
Ndryshe, qytetet nëpër të cilat do të zhvillohet ky aktivitet do të jenë Prizreni, Peja, veriu dhe jugu i Mitrovicës dhe Graçanica.
Ndërkohë që shumica e filmave në festival do të jenë filma dokumentarë, dy prej tyre janë filma artistikë dhe filma të shkurtër nga romët e rinj.
Edicioni i parë i Rolling Film Festival është mbajtur në vitin 2009, ndërsa vitin e kaluar nuk është mbajtur. Si rrjedhojë, ky edicion në njëfarë mënyre shënon rikthimin e festivalit, duke e bërë atë tradicional.
Berishaj thotë se ishin pikërisht angazhimet e drejtorit artistik të festivalit ato që kanë bërë që festivali të mos mbahej vitin e kaluar.
Edhe organizimi i Rolling Festivalit të sivjetmë ka hasur në vështirësi, ndonëse u arrit që ai të finalizohej.
“Ka pasur shumë vështirësi që të arriheshin objektivat të cilat i kishim vënë para vetes, mirëpo, në përgjithësi, deri më tani jemi të kënaqur me organizimin e festivalit të sivjetmë. Shpresojmë se edhe publikut do t’i pëlqej, aq sa ne”, theksoi Berishaj.
Ceremonia e hapjes zyrtare të Rolling Film Festival do të mbahet më 2 mars, me fillim nga ora 19, në Teatrin ODA.