LIGJI I MUNGUAR!
Nga Hamza Hatika
Parlamenti i ri që do të dalë pas 23 Qershorit do të duhet të votojë të parin ligj, ligjin ku do të ndalohen me ligj fushatat elektorale. Arsyeja është fare e thjeshtë, korrupsioni fillon nga shpenzimet marramendëse që kandidatët dhe partitë i ofrojnë votuesve në këmbim të postit.
Pasuri dhe vlera të pallogaritshme para fushate, konvertohen më pas në korrupsion direkt gjatë mandatit. Kryefjala e politikës mbetet dhe është lufta ndaj korrupsionit.
Të gjithë ne, jemi të vetëdijshëm se ai-ajo që ka shpenzuar në fushatë, në radhë të parë duhet të kompensojë ato, e dyta, duhet të mendojë për fushatën pasardhëse, e treta, ligji i kapitalizmit, të krijojë apo forcojë edhe më kapitalet që konvertohen më pas me emrin e pozitiv të politikës, me pronën dhe ardhmërinë e garantuar për të si edhe brezat.
Pra, këta mbetën varrmihësit e votës së të dashur. Kjo kastë që legalizohet pas zgjedhjeve të listës, do të jetë edhe ardhmëria e garantuar e politikës që nuk njeh as moshë pensioni dhe as akuza korrupsioni.
Aftësia dhe kryevepra e politikës, është zhvleftësimi i rolit absolut të punës së masmedias. Ata ja dolën paq që ta manipulojnë masmedian dhe ti konvertojnë edhe krimet e tyre në reklamë. Pra, antirekalma u kthye në reklamë për ta. Asnjë akuzë e ndërsjelltë mes tyre nuk dënohet nga shoqëria, madje ato mbeten një show për edicionin e lajmeve si edhe për titujt e gazetave, asgjë më shumë.
Qytetari i ndershëm nuk është më në listat, ata, biznesmenët dhe akrobatët do të hipotekojnë në 23-Qershor, lavdinë e përjetshme si edhe po shkruajnë përfundimisht historinë e tyre të pistë me dorën e pastër të popullit..
Brezat do të na akuzojnë sikur ne paraardhësit tanë që fjetën nën diktaturë, ndërsa ata, ish-të përndjekurit trima të kohës, sot enden rrugëve dhe telendisen me pseudo-greva urie nga një ish i burgosur ordiner
Reklamat, flamujt, muzika, boriat e makinave, takimet, mitingjet janë një barrë e rëndë që populli pseudo-entuziast, e paguan dita-ditës me nivelin e tij të jetesës. Dhe ata përsëri ja dalin të ecin të qeshur mes turmave, të pozojnë dhe të premtojnë parajsën, por mes tyre mungon një zë real nga inteligjenca e lirë për ti filtruar dhe vërtetuar premtimet pa kriter logjik me të vetmin përfitim, atë politiko-ekonomik.
E mesmja e artë dhe muri i frenimit të uraganeve shkatërrues që partitë premtojnë është se u mungon roli absolut i sindikatave. Dhe ato janë joshur nga politika me pasuritë kombëtare të lëna me qera dhe sa herë jua kërkon partia kumbarë, ata dalin në konferenca si zëdhënsat legalë, duke dhënë shfaqe kino-komedike si dikur me Kserën arbitër.
Nuk ka një faturë financiare, por nëse ligji do ta ndalonte fushatën dhe partitë mos kishin akses në masmedia tre muaj para saj, shoqëria do të përfitonte shumë e më shumë sesa me festat e zeza të partive. Madje, fushatat duhen bërë pas sezonit turistik për të mos prishur qetësinë e tyre dhe prurjet e pushuesve.
Qytetarët gjatë 4-viteve dhe dekadave janë konsoliduar në bindjet e tyre politike, vetëm elektorati gri është ai që bën diferencën sipas arritjeve të mazhorancës aktuale. Shifrat fakultative nxjerrin se shpenzimet për fushatë arrijnë me rreth 200 milion euro, por çfarë mund të ndërtohej me këto të holla?!
E për më tepër ato votën e shesin nuk mundet më të kërkojnë llogari tek deputeti apo kryetari i bashkisë apo ai i komunës, pasi ti qytetar, je paguar dhe e ke shituar votën tënde.
Standardi i komunikimit objektiv mbi rezultatet reale, do të mbetet akoma një relike në muzeun e politikës, ndërsa familjet shesin apo ofrojnë votat në këmbim të punës së premtuar.
Megjithë votimin që hyn në fuqi në Tetor, fiktive do të mbeten konkurset në administratë dhe militantët do të ripushtojnë zyrat, pasi më parë ata ja kishin dalë të pushtonin sheshet.
Ky ngërç falas por organizativ mes politikës, do të ishte magjik po të vendoseshin rregulla të qarta loje nga kampet politike, dhe nëse ndalimi i fushatës do të bëhej me ligj euforia dhe shpenzimet do të konvertohen direkt me cilësi jetese dhe ardhmërie mbarë kombëtare.
Ai që mundet dhe ka kurajon e bërtet, del në sheshe e protesta bëhet më pas drejtuesi jonë për një mandat, kjo është fatale dhe korrupsioni do të mbetet më pas refren i opozitës së radhës e cila pret gabimet e radhës për akuza monotone retorike.