E Shtunë, 31 Tetor 2026

Romney-Santorum kacafyten për ekonominë

Rivalët republikanë për president në Shtetet e Bashkuara, Mitt Romney dhe Rick Santorum, kanë sulmuar njëri-tjetrin në ditën e fundit të fushatës para dy zgjedhjeve primare, në Michigan dhe Arizona.

Romney i ka bërë thirrje Santorumit, që i ka kthyer çështjet sociale në qendër të fushatës së tij, që të fokusohet tek ekonomia.

“Nëse ekonomia do të jetë çështja ku do të përqendrohemi, kush e ka përvojen e duhur që ta ngjallë këtë ekonomi sërish?”, tha Romney para mbështetësve të tij. Ai u shpreh se, Santorum është një djalë i mirë, por nuk do të mund të krijojë vende pune.

“Unë e kuptoj përse puna shkon e vjen, e kuptoj çfarë u ndodh fitimeve të korporatave dhe ku shkojnë ato nëse i merr qeveria. Mendoj se për të krijuar vende pune duhet të kemi president një njeri që e ka pasur një punë, dhe unë e kam pasur”, theksoi Romney.

Nga ana tjetër, Santorum u tha mbështetësve të tij se ishte një “shaka” për zotin Romney që ta sulmonte atë për faktin se nuk është treguar aq konservator sa duhet.

Sondazhet e fundit tregojnë se Romney ka një kryesim të lehtë në Michigan, shteti ku ai është rritur. Analistët thonë se fitorja në Michigan është thelbësore për ish-guvernatorin e Massachusets, që ka luftuar për të vendosur një raport solid me votuesit republikanë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›