E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rompuy:MSA arritje e madhe,tanipunë për liberalizimin e vizave

PRISHTINE- Kosova ka bërë një hap shumë të madh në procesin e saj të integrimit në Bashkimin Europian, ka thënë të hënën në Prishtinë, presidenti i Këshillit Europian, Herman Van Rompuy.

Këto komente, Rompuy i ka bërë gjatë një konference të përbashkët për media me kryeministrin Hashim Thaçi.

Presidenti Rompuy ka lavdëruar qëndrimin konstruktiv të Kosovës në dialogun me Serbinë duke thënë se një vend që synon integrimin, shikon nga e ardhmja dhe jo nga e kaluara.

"Dialogu me Beogradin është shumë i rëndësishëm për një të ardhme paqësore dhe normaliteti midis dyja vendeve", është shprehur Rompuy.

Bashkimi Europian, ka vijuar ai, është ngritur mbi bazën e pajtimit duke e lënë të kaluarën prapa dhe shikuar nga e ardhmja.

“Në këtë mënyrë si po ecni përpara, shtetet e Bashkimit Europian do të jenë në krahun tuaj”, i është drejtuar kryeministrit të Kosovës, presidenti i Këshillit Europian.

“Kosova ka bërë një hap shumë të madh nga e kaluara në drejtim të Bashkimit Europian. Vendi juaj ka punuar me zell në përmbushjen e kritereve europiane dhe BE-ja ju përgëzon për këto rezultate të arritura”, ka thënë ai, duke iu referuar vendimit të vendeve të Bashkimit Europian për të autorizuar nisjen e negociatave me Kosovën në lidhje me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. 

Presidenti i Këshillit Evropian, ka inkurajuar institucionet që t’i vazhdojnë reformat, të luftojnë korrupsionin, reformojnë gjyqësorin dhe angazhime të ngjashme, duke premtuar se me zbatimin e kritereve të nevojshme të përcaktuara në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, edhe qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm nëpër zonën e Shengenit.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi është zotuar se Kosova do t’i zbatojë të gjitha kriteret e parashikuara në një afat, siç ka thënë ai, rekord.

Në këtë aspekt, Thaçi tha se së shpejti edhe kosovarët do të mund të udhëtojnë pa viza nëpr vendet e Bashkimit Europian.

“I jam zotuar presidentit Rompuy se Kosova me të gjitha angazhimet që do t’i ketë do t’i implementoj të gjitha kriteret dhe standardet europiane në një afat rekord, në mënyrë që të lëvizim në hapat tjerë në kapitujt e tjerë të Kosovës drejt të ardhmes europiane, duke punuar maksimalisht që sa më shpejt të ndodhë edhe liberalizimi i vizave”, ka thënë Thaçi.

Njëherësh, Thaçi është angazhuar edhe këtë herë për vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura.

Presidenti i Këshillit Evropian, në Prishtinë ka takuar edhe Presidenten Atifete Jahjaga dhe kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Vizita e tij në Prishtinë, pasoi atë në Zagreb, ku mori pjesë në ceremoninë e anëtarësimit të Kroacisë në Bashkimin Europian, si dhe vizitës në Beograd, ku edhe zyrtarisht u konfirmoi autoriteteve të atjeshme afatin kohor për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE.

Kurse në Prishtinë, Rompuy u ka konfirmuar autoriteteve të Kosovës vendimin për nisjen e negociatave për Marrëveshjen e Satbilizim-Asociimit, si hapi i parë në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian.

Marrë nga "Radio Evropa e Lirë"

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›