Rona Nishliu, mjaft mirë si fillim

Rona Nishliu
Valeria Dedaj
Është rezultati i provave të para në skenën e Festivalit Europian të Këngës në Baku të Azerbajxhanit. Rona Nishliu që përfaqëson Shqipërinë, performoi e vetme në skenë këngën Suus e kompozuar nga Florent Boshnjaku. Ajo ka arritur të impresionojë të pranishmit, ndër ta dhe konkurrentë, me vokalin e saj të plotë e potent. Kjo provë e parë është komentuar kështu: Interpretimi vokal i këngës së saj dramatike, teksti i së cilës është në shqip, ishte shumë bindës dhe profesional prandaj ajo nuk pati nevojë për mbështetje të një zëri të dytë.
Më pas, Rona është prezantuar para gazetarëve së bashku me kompozitorin Florent Boshnjaku dhe Kleart Durajn, udhëheqësin e delegacionit shqiptar të RTSH-së. Edhe nga kjo bisedë dalin komente mjaft pozitive për këngën. Vetë këngëtarja nga Kosova është shprehur: Jam shumë e lumtur që përfaqësoj vendin tim me një këngë që e dua dhe ka shumë domethënie për mua. Ajo është njëkohësisht autore e tekstit të këngës Suus, që siç sugjeron edhe titulli, ka të bëjë me diçka shumë personale. Në strofën e parë tingëllon si një histori dashurie, por në vazhdim kupton se janë përjetime që kalon çdo njeri në jetë. Në një moment të caktuar mund të zhgënjehesh nga dikush, ashtu mund të ndodh që të befasohesh nga mbështetja e dikujt tjetër. Kur nuk di ta zgjidhë këtë keqkuptim, Rona në këngë gjen si zgjidhje vajtimin.
Para se të nisej për në Baku, Nishliu e ka promovuar këngën në një sërë vendesh në Europë që gjithashtu janë pjesëmarrëse në Festivali Evropian të Këngës 2012. Ky është edicioni i 57-të i Eurovizionit që mbahet më 22 deri 26 maj në kryeqytetin e Azerbajxhanit, vendi fitues vitin e kaluar. Në datat 22 dhe 24 maj hyjnë në konkurrim 37 këngë. Ndërsa finalja e madhe mbahet mbrëmjen e 26 majit.
Për herë të parë Shqipëria mori pjesë në Festivalin Europian të Këngës në Stamboll vitin 2004 ku u prezantua me këngëtaren Anjeza Shahini me Imazhi Yt. Deri më sot vetëm me këtë prezantim ka është arritur përfaqësimi maksimal, vendi i shtatë në klasifikim, çka bëri që të hyjë automatikisht në finalen e 2005-ës. Por Ledina Çelo atë këtë që u arrit e rrëzoi me këngën Nesër Shkoj. Asgjë nuk ndryshoi një vit më vonë Luiz Ejlli me Zjarr e ftohtë.
Janë të shumtë ata që mendojnë se pavarësisht rezultatit që arriti në klasifikim, përfaqësimi në vitin 2007 i Frederik Ndocit me Hear My Plea, është përfaqësimi më dinjitoz që ka pasur muzika shqiptare në Eurovizion.
Në vitin 2008 këngëtarja 16-të vjeçare Olta Boka me Zemrën e lamë peng këndoi në Beograd. Një vit më pas Kejsi Tola me këngën Më merr në ëndërr, mbetet jashtë finales. Të njëjtin fat edhe Juliana Pasha e Aurela Gaçe.