E Diel, 1 Nëntor 2026

Rona Nishliu promovon “Suus” para Eurovizionit

TIRANË- Rona Nishliu, këngëtarja që do të përfaqësojë Shqipërinë në garën më të madhe të këngës evropiane, do të promovojë përmes një turi këngën e saj “Suus”.

Promovimi i këngës së shkruar nga vetë Nishliu dhe e kompozuar nga Florent Boshnjaku, ka nisur me prezantimin e Nishliut në disa emisione televizive për kanalet e Radiotelevizionit të Malit të Zi dhe do të zgjasë deri në ditët e para të majit.

Promovimi do të bëhet në shtetet e tjera që konkurojnë në Eurovizion, ndërkohë që Nishliu ka realizuar edhe videoklipin e këngës së saj, e cila është hedhur tashmë në faqen zyrtare të festivalit europian.

Këngëtarja nga Kosova, Rona Nishliu, do të këndojë shqip në skenën e “Eurovizionit” në Baku të Azerbajxhanit dhe do të paraqitet në gjysmëfinalen e parë, më 22 maj, ku do të këndojë e pesta në rradhë.

Nishliu udhëtoi sëbashku me ekipin e saj drejt SHBA-së, për të realizuar versionin final të këngës “Suus”. Versioni i ri i këngës duhet t’i përmbahej rregullave të “Eurovizionit", ndaj u përpunua dhe incizua në disa studio prestigjioze në Los Angeles.

Këtë vit në Eurovizion do të konkurrojnë 37 këngë në dy netë gjysmë finale, 22 dhe 24 maj, ndërsa finalja e madhe do të jetë mbrëmjen e 26 majit. Shqipëria do të garojë natën e parë sëbashku me shtetet si Rumania, Greqia, Rusia, Belgjika, Hungaria, etj.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›