E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ronaldo: Dy sfida të rëndësishme, duam fitoren

Trajneri i Portugalisë, Karlos Kueiroz, ka grumbulluar Kristiano Ronaldon dhe Rikardo Kuarezmën për dy ndeshjet eliminatore që luzitanët do të luajnë në tetor, fillimisht me Suedinë dhe më pas me Shqipërinë.

Ronaldo është rikuperuar së fundmi nga operacioni në kavilje dhe do të kthehet në përfaqësuese për herë të parë, që prej Evropianit 2008.

“Është e jashtëzakonshme të rikthehesh në kombëtare”, tha ylli i Mançester Junajted në sajtin zyrtar të Federatës Portugeze. “Kemi përpara dy ndeshje shumë të rëndësishme, në të cilat kërkojmë fitoren.

Jam optimist: kemi një trajner të shkëlqyer dhe një grup lojtarësh shumë të mirë”. Tekniku portugez ka thirrur në skuadër edhe lojtarin e Çelsit, Deko, pavarësisht se fantazisti nuk është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi që pësoi, afro dy javë më parë.

Ende nuk dihet nëse braziliani i natyralizuar do të rikuperohet në kohë për sfidën e 15 tetorit me kuqezinjtë e drejtuar nga Ari Han.

Në skuadrën e Kueiroz, përveç mbrojtësit Rikardo Karvajo, mungojnë edhe Simao Sabroza i Atletikos së Madridit dhe Pedro Mendes i Rejnxhërsave.

Të dy këta futbollistë luajtën në sfidat e muajit shtator kundër Maltës dhe Danimarkës. Ndërkohë, mesfushori tjetër i Atletikos, Manike, duket se është riaftësuar nga dëmtimi i përpara disa ditëve në shpinë.

Emri i ri që drejtuesi i stolit të Portugalisë ka përfshirë në listën me 23 lojtarë është mbrojtësi i Sportingut të Lisbonës, Tonel, i cili vjen si zëvendësues i Karvajos.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›