E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apostulli i Ajaksit, ndihmës i Ari Han

Kombëtarja gjen zv/trajnerin. Ndihmësi i ri i Ari Han në krye të stolit kuqezi quhet Vim Surbier, emri i gjatë është Vilhelmus Lourens Johanes Surbier, një legjendë e futbollit holandez.

63-vjeçari, i lindur në Eind’hoven, do të marrë postin e De Jong, i cili preferoi të vazhdonte karrierën si zbulues talentesh te skuadra e Eredivisies, Vilem II.

Emër i madh

Surbier është një personazh që nuk ka shumë nevojë për prezantim. Karriera e tij tregon gjithçka.

Ai ka luajtur si mbrojtës krahu në përfaqësuesen “tulipane” dhe tek Ajaksi i Amsterdamit në vitet ‘70.

 Me klubin më të njohur holandez debutoi kur ishte vetëm 19 vjeç. Ai luajti me këtë skuadër për 13 vite, përgjatë gjithë periudhës më të lavdishme të Ajaksit, deri në vitin 1977, kur ishte 32 vjeç.

Vim Surbier ishte një mbrojtës i kompletuar, shumë i fuqishëm, pozicional dhe me cilësi teknike mjaft të mira. E veçanta e krahut të djathtë të Ari Han është se ishte pjesë integrale e “12 Apostujve” të Ajaksit, që të drejtuar nga Johan Krujf praktikuan futbollin total.

Kjo mënyrë inovative e lojës bëri që ata të fitonin tre herë radhazi trofeun më prestigjioz në Evropë, Ligën e Kampioneve.

Pasi u largua nga kryeqyteti holandez, në moshën 33-vjeçare, ai luajti për Shalke 04 në Bundesligë, ndërsa më pas u aktivizua edhe me Los Anxhelos Azteks në kampionatin amerikan.

Me fanellën e kombëtares, Surbier numëron 60 prezenca, në periudhën kohore 1966-1978, ku ka shënuar 3 gola. Ai ka luajtur në Kupën e Botës 1974 dhe 1978, dy aktivitete, ku “tulipanët” janë renditur në vendin e dytë, gjithashtu edhe në Euro 1976.

Në total numëron 7 tituj kampion i Holandës (1965-‘66, ‘66-‘67, ‘67-‘68, ‘69-‘70, ‘71-‘72, ‘72-‘73, ‘76-‘77), 4 Kupa në këtë vend, 3 Liga të Kampioneve (1971, 1972 dhe 1973), 2 Superkupa të Evropës (1972 dhe 1973) dhe 1 Kupë Interkontinentale (1972).

Eliminatoret

Vim Surbier do të fillojë punën menjëherë prej së hënës (më datën 6 tetor), kur Kombëtarja do të grumbullohet në Budapest, për ndeshjet eliminatore të Botërorit 2010.

Edhe pse do qëndrojë pranë kuqezinjve për ndeshjet me Hungarinë (11 tetor) dhe Portugalinë (15 tetor), ai ende nuk ka firmosur kontratë me Federatën Shqiptare të Futbollit.

Bisedimet për qëndrimin në këtë post do të zhvillohen menjëherë pas përfundimit të impenjimeve ndërkombëtare, por nga institucioni që drejton futbollin në vend sigurojnë se emërimi i tij është 99.9 për qind i sigurt.

“Përzgjedhja e Vim Surbier është bërë nga vetë trajneri Ari Han dhe kjo është diçka mjaft pozitive”, thanë burime pranë FSHF-së. “Kjo bën që mos të ketë shumë probleme për arritjen e akordit.

Biseda ka të bëjë më shumë me aspektin teknik dhe me detyrat që zv/trajneri do të ketë”.
 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›