E Shtunë, 31 Tetor 2026

Roshi, skandal në miqësore

Odise Roshi e ka bërë një gjest të pahijshëm në miqësoren ndërmjet Kolnit dhe Hannoverit. Ai e ka pështyrë lojtarin kundërshtar Mortiz Stoppelkamp, me të cilin pati një mosmarrëveshje. Ky i fundit, në shenjë revolte, pas ndeshjes kishte tentuar t’i qëronte hesapet me 20 vjeçarin. Veprimi i sulmuesit shqiptar në Gjermani është vlerësuar shumë i ligë.

Futbollisti shqiptar, Odise Roshi ka qenë protagonist i një gjesti të pahijshëm, i cili ka bërë bujë të madhe në Gjermani. 20 vjeçari ka qenë pjesë e një incidenti në ndeshjen miqësore ndërmjet ekipit të tij Koln dhe Hannoverit, e cila përfundoi pa fitues, 1:1.

Sulmuesi shqiptar, pas një mosmarrëveshjeje me lojtarin kundërshtar Mortiz Stoppelkamp, e kishte pështyrë prapa shpinës. Kjo ngjarje ka ndodhur në minutën e 70-të, ndërsa është konsideruar një gjest i ligë nga të gjithë.

Pas përfundimit të ndeshjes, Stoppelkamp i mllefosur ka shkuar drejt zhveshtoreve, ndërsa cak i tij ishte pikërisht futbollisti shqiptar. “Ai më pështyu, do t’ia thyej hundën menjëherë”, ka deklaruar futbollisti i Hannoverit.

Edhe Mirko Slomka, trajner i Hannoverit, ku luan edhe futbollisti shqiptar Altin Lala, ka mbetur i zhgënjyer nga kjo situatë. “Ishte një skenë mjaft e shëmtuar”, ka komentuar shkurt trajneri i ekipit kuq e zi.

Këtë gjest të pahijshëm, Kicker e ka krahasuar me atë të holandezit Frank Rijkaard, i cili në Botërorin 1990 e kishte pështyrë legjendën gjermane Rudi Voller, në fitoren 2:1 të gjermanëve.

Sa për informatë, golin për Kolnin e ka realizuar Christian Clemens në minutën e 44-t, kurse për Hannoverin, një penallti të akorduar në minutën e 65-të në gol e shndërroi Jan Schlaudraff.

Odise Roshi pjesë e skuadrës së Kolnit është që nga janari i vitit të kaluar, kur kishte ardhur nga Flamurtari i Vlorës. Reprezentuesi i Shqipërisë llogaritet si një sulmues me të ardhme të ndritur.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›