S’i ndal fukarallëku
Edhe pse u kanë borxh kohë pas kohe lojtarëve të tyre, klubet e futbollit kosovar nuk i ka ndalur as fukarallëku për ta kaluar fazën përgatitore, para fillimit të sezonit pranveror, jashtë vendit.
Ka prej tyre që planifikojnë të shkojnë në Turqi apo Kroaci, por të tjerat si destinacion të mundshëm i kanë shtetet fqinje si Shqipërinë, Maqedoninë apo edhe Malin e Zi. Kampioni vjeshtor, Prishtina ka tri opsione: Antalinë, Ulqinin dhe Ohrin.
“Kemi disa destinacione të mundshme. Opsioni më i volitshëm për ne është Antalia, ku ka kushte vërtet të jashtëzakonshme, edhe pse është më shtrenjtë. Atje do ta kishim mundësinë që të zhvillojmë ndeshje miqësore, ndërsa menaxherët e ndryshëm do ta kishin mundësinë t’i shohin lojtarët tanë. Pastaj e kemi si opsion edhe Ulqinin në kombinim Ohrin”, tregoi drejtori sportiv i Prishtinës, Ramiz Krasniqi.
Sipas tij, prishtinasit do ta vazhdojnë fazën përgatitore në fillim të muajit shkurt. Ndërsa Hysi pritet ta kalojë një pjesë të fazës përgatitore në Ohër. Kontingjenti i kampionit aktual të Kosovës do të niset për në Maqedoni kah mesi i shkurtit, ndërsa do të qëndrojë atje rreth 10-12 ditë.
“Fazën përfundimtare të përgatitjeve do ta zhvillojmë në Ohër. Atje janë kushtet më të mira, ka ekipe shumë dhe e kemi mundësinë e zhvillimit të ndeshjeve miqësore. Po ashtu, edhe klubit nuk i kushton kushedi sa shtrenjtë ky udhëtim”, thotë trajneri i bardhezinjve, Afrim Tovërlani.
Vëllaznimi do t’i fillojë përgatitjet sot dhe pritet ta kalojë fazën e parë në Gjakovë. Kurse të dytën dhe kryesoren pritet ta bëjë jashtë Kosovës. Kuqezinjtë opsion e kanë Kroacinë.
“Besoj se do të dalim jashtë Kosovës për fazën e dytë, ku planifikojmë t’i zhvillojmë disa ndeshje miqësore. Jemi në bisedime me disa sponsorë të Gjakovës për të shkuar në Medulin, i cili është afër Pulës në Kroaci. Nëse dështon kjo mundësi, atëherë mund të shkojmë në Shqipëri”, nënvizoi trajneri Ajet Shosholli.
Edhe befasia më e këndshme e sezonit vjeshtor, Drita, bateritë planifikon t’i mbushë jashtë vendit. Sipas kryetarit të klubit Sedat Pajaziti, në fazën e dytë gjilanasit planifikojnë të shkojnë në Durrës. Edhe Drenica pritet të dalë jashtë vendit në përgatitjet për sezonin pranveror. Mirëpo, kuqezinjtë nuk kanë vendosur ende se ku do të shkojnë.
“Ende jemi në fazën e testimit. Po presim nga udhëheqësia të na sigurojë kushte. Në Kosovë janë kushtet shumë të vështira, nuk kemi ku të përgatitemi, ngase nuk kemi fushë ndihmëse. Na nevojitet një fushë për punën me top, ajo na nevojitet më shumë. Më së miri kishte me qenë të shkojmë në Antali, ku janë kushtet ideale. Nëse nuk kemi mundësi, atëherë duhet ta shohim ndonjë mundësi diku më afër”, u shpreh trajneri Bylbyl Sokoli.
Trepça ’89 i ka tri opsione. Drejtori Abedin Zeka njoftoi se mitrovicasit planifikojnë të shkojnë në përgatitje në Turqi, Shqipëri ose Maqedoni. Por, ka skuadra që pritet ta kryejnë tërë fazën përgatitore në Kosovë, për shkak të problemeve financiare.
Ndoshta më mirë do të ishte që klubet të jenë të rregullta në aspektin financiar me lojtarët e tyre, që derdhin djersë në fushë, sesa të shpenzojnë mijëra euro për përgatitje jashtë vendit. Tek e fundit, fituan ose s’fituan, ata do të mbesin prapë në futbollin e izoluar kosovar.