Roshi, xhokeri i Kolnit

Odise Roshi është bërë hero i Kolnit. Mesfushori shqiptar e ka shënuar golin e fitores ndaj Kaiserslauternit të dielën vetëm 99 sekonda pasi u inkuadrua në lojë. Ai ia siguroi tri pikë të vlefshme ekipit të tij në një fushë ku Kolni nuk fitonte që një jetë (nga viti 1989).
22 vjeçari u gëzua aq fort, sa që vrapoi pa u ndalur duke shpenzuar energji. Këtë e ka vërejtur edhe trajneri Stale Solbakken. “Pasi e shënoi golin, Odiseu vrapoi aq shumë dhe festoi shumë, sa që në 15 minutat e fundit të lojës nuk i kishte mbetur energji dhe nuk mund të shihnim më asgjë tek ai në fushë”, deklaroi trajneri norvegjez i Kolnit.
“Ai shënoi shpejt, shumë shpejt, për dy minuta. Sa që i dukej se ishte në një botë tjetër. Ai ndoshta dëshironte ta thërriste të gjithë Shqipërinë dhe t’u thotë se e ka shënuar golin e parë për ne”, vazhdoi Solbakken.
Kjo fitore e ngriti Kolnin në pozitën e nëntë me 24 pikë të tubuara. Mirëpo, Podolski me shokë kanë vetëm 6 pikë më shumë se zona e rrezikimit, kështu që kjo fitore ishte e domosdoshme dhe domethënëse për t’i ikur sadopak fundit të tabelës.
Roshi, i cili u inkuadrua në lojë në minutën e 70-të dhe shënoi në atë të 72-të ndaj Ksaiserslaiternit, ishte transferuar në Koln në fillim të këtij viti nga Flamurtari i Vlorës. Ai është pjesë e Kombëtares së Shqipërisë, me të cilën ka zhvilluar 4 ndeshje.
Fitorja e së dielës i ka shtuar shpresat për mbijetesë tek Kolni. Të gjithë lojtarët duken më të motivuar dhe shpresojnë që ta përsërisin ndeshjen e fundit në vazhdim të sezonit.