E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bayerni siguron Shaqirin?

Xherdan Shaqiri pritet të bëhet lojtar i Bayern Munichit gjatë kësaj jave. Sipas medieve gjermane, Baseli dhe Bayerni kanë arritur marrëveshje paraprake për 20 vjeçarin, i cila do të zbarkojë në Bundesligë që nga vera. Nga ky transferim, kampioni zviceran do t’i përfitojë 10-12 milionë euro.

Lajm i keq për të gjitha klubet e interesuara për Xherdan Shaqirin. Duket se mesfushori shqiptar është më afër se kurrë me Bayern Munichun. Sipas medieve gjermane, 20 vjeçari do t’i bashkohet gjigantit bavarez gjatë verës.

Për këtë ka siguruar magazina ‘Kicker’, sipas së cilës palët kanë arritur marrëveshje për përfaqësuesin zviceran, i cili pritet të zbarkojë gjatë verës në Bundesliga.

“Sipas informatave, zyrtarët e klubeve kanë arritur marrëveshje për Xherdan Shaqirin që ai të shkojë në Bayern gjatë verës”, shkruan Kicker.

Gjithnjë sipas kësaj magazine të njohur gjermane, vlera e transferimit të Shaqirit në Bayern sillet nga 10 deri në 12 milionë euro.

“Kontrata mund të nënshkruhet këtë javë. Shaqiri mund të jetë përforcimi i parë për sezonin e ardhshëm për Bayernin. Ai do ta mbushë boshllëkun e lënë pas dështimit të transferimit të talentit gjerman Reus”, vazhdon shkrimin Kicker.

Shaqiri luan në mënyrë të shkëlqyeshme me këmbën e majtë dhe ai luan në pjesën e djathtë të mesfushës. Futbollisti gjilanas së fundmi i ka refuzuar dy oferta, të Galatasarayt dhe Zenit Saint Petersburgut.

Shaqiri preferoi të qëndronte te kampioni aktual i Zvicrës deri në fund të sezonit, për t’i përsëritur sukseset e vitit të kaluar dhe për të luajtur në Ligën e Kampionëve pikërisht me gjigantin bavarez këtë muaj.

Për talentin shqiptar interesim kanë shfaqur edhe dy gjigantët anglezë, Manchester United e Liverpool, Hamburgu në Gjermani dhe Juventusi, Milani, Interi, Lazio e Napoli në Itali. Shaqiri ka kontratë me Baselin deri në vitin 2014, por kjo nuk do ta pengojë atë që ta ndërrojë mjedisin gjatë verës.

Edhe menaxheri, njëkohësisht vëllai i futbollistit, Erdin Shaqiri, ditë më parë e kishte pranuar faktin se ‘Shaq Attack’ do ta bëjë hapin e radhës në karrierë gjatë verës, ndërsa e ka mirëpritur interesimin e Bayernit, të cilin e sheh si destinacion ideal për Shaqirin. Ndërkohë, presidenti i Baselit, Bernhard Heusler, e ka pranuar se kontaktet në mes të dyja klubeve po vazhdojnë, jo vetëm për Shaqirin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›