Bora ‘ngujon’ klubet
Derisa disa skuadra të Superligës po vazhdojnë përgatitjet në vendet bregdetare, kryesisht në shtetet fqinje, të tjerat janë të detyruara t’i mbajnë ato në terren të mbyllur për shkak të motit të ligës dhe borës së madhe që ra së fundmi në Kosovë.
Për shkak të kushteve të vështira për të stërvitur, ekipet kanë vendosur që t’i vazhdojnë përgatitjet në halla sportive dhe në fusha të mbuluara me bar artificial.
“Për shkak të kushteve të vështira atmosferike, një ditë nuk kemi mundur të stërvitnim. Tani jemi duke i zhvilluar stërvitjet në palestër, pasi që nuk kemi kushte të stërvitim jashtë, përkundër faktit se do të ishte më mirë të ushtrojmë jashtë”, deklaroi trajneri i Besës, Valdet Shoshi.
Vëllaznimi ka stërvitur nga dy herë në ditë, paradite në terren të hapur dhe pasdite në atë të mbyllur, ndërsa nga e mërkura gjakovarët do të stërvitin vetëm një herë në ditë në terren të mbyllur, ngase edhe këtë qytet e ka përfshirë bora e madhe.
“Edhe përpara kemi pasur borë dhe kemi stërvitur jashtë, por tash po e bëjmë problem. Sidoqoftë, ne kemi stërvitur edhe jashtë edhe brenda, kurse nga kjo javë do të stërvitim në palestër dhe në fusha me bar artificial. Kah 10 apo 12 shkurti do të udhëtojmë drejt Durrësit për t’i vazhduar përgatitjet”, tha Shosholli.
Edhe Lepenci, në pamundësi për të stërvitur në terren të hapur, është detyruar të stërvitë përkohësisht në fusha të vogla të mbyllura me bar artificial.
“Përgatitjet po i zhvillojmë në terren të mbyllur në fusha me bar artificial. Nuk kemi zgjidhje, duhet të kombinohemi disi. Po stërvitim më gjatë për ta zhvilluar një stërvitje tamam, edhe pse është e vështirë sepse fusha është e vogël për 25 futbollistë sa i kemi. Por, na u desh ta bënim një zgjidhje sepse nuk mund të rrinim pa stërvitur”, thotë Abazi.
Kampioni aktual, Hysi, po zhvillon stërvitje të kombinuara. Trajneri Afrim Tovërlani thekson se moti i ligë nuk e ka ndalur ekipin nga Merdara që ta kryejë fazën përgatitore si duhet.
“Kemi punuar në mënyrë të kombinuar: në fitnes, në sallë të mbuluar dhe në Gërmi. Kemi punuar ashtu siç kemi planifikuar, moti i ligë nuk na ka ndalur. Në gjysmën e dytë të shkurtit mendojmë të shkojmë në Ohër”, nënvizoi ‘Toki’.
Liria gjithashtu po aplikon ushtrime të kombinuara. Deri tash prizrenasit kanë ushtruar me intensitet të lartë, me vrapime në natyrë, fitnes dhe ushtrime në sallë. Ndërsa, për shkak të motit të ligë, bardhezinjtë do ta ulin intensitetin dhe në ditët në vijim pritet të ushtrojnë vetëm në sallë.
“Si klubet tjera, edhe ne po hasim në probleme përafërsisht të njëjta. Do ta ulim intensitetin dhe të ushtrojmë në sallë, ndërsa më pas planifikojmë të shkojmë në Durrës”, tregon trajneri Skender Shëngyli.
Nënkampioni i vjeshtës, Drita po i përshtatet kohës. Trajneri Bekim Isufi shpjegon se, kur është koha paksa më butë, edhe pse ka borë, ekipi i tij stërvit në natyrë. “Kurse, kur po mban mot i ftohtë, po stërvitim në palestër. E kemi mjaft të vështirë, por po duhet, për të mos ndenjur pasivë”, tha Bekim Isufi.
Moti i ftohtë dhe bora që ra ua ka pamundësuar klubeve të Superligës kryerjen si duhet të përgatitjeve. Ato që i kanë kushtet, pritet t’i ikin acarit në vend duke ushtruar në vende me klimë më të ngrohtë, kurse ato që do të mbeten në qytetet përkatëse prej zorit, do ta kenë mjaft të vështirë t’i kryejnë me sukses përgatitjet para sezonale.