Hyn në fuqi udhëzimi për rivlerësimin e pronave/ Procedurat që duhet të ndjekin qytetarët

Është botuar sot në Fletoren Zyrtare udhëzimi i Ministrisë së Financave që i hap rrugë rivlerësimit të pasurive të paluajtshme në Shqipëri.
Të drejtën e kryerjes së rivlerësimit e kanë të gjithë ata individë që kanë në pronësi pasuri të paluajtshme (tokë dhe/ose ndërtesë) të regjistruar, ose që fitojnë pronësinë dhe e regjistrojnë atë deri më 31 dhjetor 2026.
Gjithashtu, rivlerësimi mund të kryhet edhe për ato pasuri që e kanë kaluar një herë këtë proces.
Ai mund të kryhet nëpërmjet Agjencisë Shtetërore të Kadastrës ose nëpërmjet ekspertëve të licencuar për pasuritë e paluajtshme.
Baza tatimore llogaritet si diferenca midis vlerës së dalë nga rivlerësimi dhe vlerës së zbritshme të regjistruar më parë.
Për ndërtesat, nga çmimi i referencës zbritet 1% për çdo vit përdorimi, deri në maksimumi 30%.
Për tokat, çmimi minimal fiskal është ai për metër katror sipas hartës së vlerave në fuqi.
Ky proces pritet të ndikojë ndjeshëm në nxitjen e transaksioneve të pronave të cilat deri më tani kanë qenë në pritje të lehtësimit fiskal, për të mos paguar normën tatimore në fuqi prej 15%.
Nga kjo iniciativë pritet të përfitojnë drejtpërdrejt 500 mijë familje.
Por cilat janë procedura kryesore që përcaktohen në ligj dhe që duhet të ndjekin qytetarët për rivlerësimin?
Rivlerësimi mund të bëhet nga një ekspert i licencuar për vlerësimin e pasurisë së paluajtshme nga institucionet përkatëse ose nga drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Në rast se individi vendos që të kryejë rivlerësimin me vlerën e tregut, atëherë ai zgjedh një ekspert të licencuar. Aplikimit të tij për rivlerësim të pasurisë së paluajtshme i bashkëlidh edhe aktin e vlerësimit të ekspertit. Në këtë rast, drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës përllogarisin: bazën e tatueshme, e cila llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së pasqyruar në aktin e vlerësimit të ekspertit, e cila nuk mund të jetë më e vogël se çmimet fiskale në fuqi në momentin e rivlerësimit, dhe vlerës së regjistruar të pasurisë ose vlerës së rivlerësuar, sipas ligjeve të mëparshme të rivlerësimit, për të cilën është paguar tatimi si dhe tatimin që duhet të paguajë individi për ta regjistruar këtë rivlerësim.
Në rast se individi vendos që rivlerësimi të kryhet me çmimet minimale fiskale në fuqi, atëherë ai aplikon pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe ky fakt shprehet në formularin, që i bashkëlidhet aplikimit t ë tij për rivlerësim. Në këtë rast, drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës përllogarisin: bazën e tatueshme, e cila llogaritet si diferenca ndërmjet vlerës së dalë nga rivlerësimi me çmimet fiskale në fuqi në momentin e rivlerësimit dhe vlerës së regjistruar të pasurisë ose vlerës së rivlerësuar, për të cilën është paguar tatimi.
Për rastet e kalimit të së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, në zbatim të legjislacionit në fuqi për tatimin mbi të ardhurat, të bërë pas rivlerësimit, tatimi llogaritet sipas normave në fuqi mbi fitimin e realizuar, si diferencë e vlerës, në momentin e kalimit të së drejtës së pronësisë, me vlerën e rivlerësuar për të cilën është paguar tatimi.
Gjithashtu ligji u jep të drejtë edhe personave juridikë, të cilët kanë të regjistruar në pasqyrat e tyre financiare pasuri të paluajtshme me vlerë më të vogël se ajo e tregut, që të bëjnë rivlerësimin me vlerën e tregut të këtyre pasurive brenda datës 31 dhjetor 2026.