E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rotacion përmes ndërrimit të emrit

Nasho Bakalli/mësimdhënës universitar  

-Pa fenomenin politik të humbjes dhe fitores së zgjedhjeve nga partitë politike në garën e radhës nuk do të mund të ekzistonte pluralizmi i vërtetë politik në vendin tonë. Çfarë ndodhi më 23 qershor 2013? PD nuk humbi, ajo pësoi disfatë. Themi disfatë sepse opozita fitoi 84 nga 140 vende në parlament. Çfarë duhet të bëjë PD? Thonë se po reformohen. Sali Berisha hoqi dorë nga posti i kryetarit të Partisë. Figura të nderuara në politikën shqiptare mendojnë se procesi i reformimit të PD-së duhet të jetë i matur, duhet të paraprihet me analiza etj. Problemi im, këtu, është një tjetër gjë të cilën po e shtroj në formë pyetje, dhe përpiqem ti jap përgjigje. A ka PD-ja vlera politike të mjaftueshme për të përmbushur rilindjen e saj? Çfarë janë vlerat politike? Ato janë koncepte abstrakte që shprehin kërkesa konkrete shoqërore. Kur, kërkesat e shqiptarëve kthehen në qëllime politike të një partie atëherë mund të themi se ajo parti ka vlera politike. A’ u kthyen kërkesat e shqiptarëve në qëllime politike të PD-së, gjatë tetë viteve të fundit, kur ajo ishte në krye të qeverisjes së vendit? Jo. Pse PD-ja nuk i ktheu kërkesat e shqiptarëve në qëllim, në një program serioz pune? Çfarë është programi? Programi është shprehja më e lartë e vlerave politike të një partie. A kishte PD-ja një program pune? Mbase kishte! Dimë se Programi nuk bëhet realitet bazuar vetëm në dëshirën e mirë të subjektit politik qeverisës. Programi duhet të garantojë në praktikë ekzistencën e shtetit, dhe sigurinë kombëtare njerëzore, ekonomike, politike, ushtarake, mjedisore etj. Ne kurrë nuk patëm rastin, në këto 22 vitet e fundit, të ballafaqohemi me një vizion, me një frymë, me një manifest të PD, sikundër bëri PS me programin për Rilindje. Mungesën e vlerave të vërteta politike mund ta mishërojmë edhe si mungesë të kulturës në PD. A shprehin kulturë demokratike fakti që forumet qendrore të PD nuk kanë funksionuar prej 8 vitesh. Që, PD nuk ishte e vëmendshme të ekzaminojë me përgjegjësi dhe periodikisht karakteristikat e veta qeverisëse. Që, PD-ja shpërfilli sistematikisht kërkesat objektive të opozitës shqiptare, dhe të ndërkombëtarëve. Ndërkohë që të gjitha kërkesat qofshin ato ide; modele; marrëdhënie ; ose objekte të veçanta, projekte etj., janë - sipas qasjes sonë - nevoja materiale dhe shpirtërore njerëzore. Hap pas hapi, PD në qeverisje anashkaloi mirëqenien e popullit. Disfata e 23 qershorit 2013 sintetizon shkoqur, saktë, dhe prerë gjendjen dramatike të vlerave politike në PD. Pse rezulton e tillë kultura politike e PD-së? Sepse PD-ja lindi dhe u rrit si pasardhëse e pakorrigjueshme e PPSH-së. Dhe si e tillë qeveria Berisha vuri në plan të parë politikën "përça dhe sundo" në tregun e lirë ekonomik, dhe në administratën qendrore e vendore. Ajo krijoi skemat financiare piramidale, trazirat e vitit 1997, zgjedhje të pandershme dhe të ndryra, Gërdecin, 21 janarin 2011, etj. Bazuar edhe në njoftimet më të freskëta nga selia e PD-së lidhur me reformimin e saj nëpërmjet ndërrimit të emrit të liderit të vjetër me një emër të ri - veprim që garanton vazhdimësinë e kulturës politike të liderit të vjetër - mund të themi pa droje se PD-ja nuk po tenton rilindjen e saj.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›