E Diel, 1 Nëntor 2026

Rotacioni i gjyqtarëve dhe kërkesa e PD për mandatet

Plot një vit më parë, një grup deputetësh demokratë paraqitën para Gjykatës Kushtetuese një kërkesë për interpretimin e Kushtetutës, në nenet 125 dhe 136 të saj, ku përcaktohen rregullat, procedurat e përzgjedhjes dhe emërimit të gjyqtarëve në dy gjykatat më të larta në vend. Kërkesa në fjalë kishte si objekt të saj interpretimin e pikës që ka të bëjë me zbatimin e detyrimit kushtetues, për sa i përket rotacionit në Gjykatën Kushtetuese. Sipas Kushtetutës, përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet çdo tre vjet me një të tretën e anëtarësisë së saj. Një grup deputetësh demokratë paraqitën kërkesën për interpretim në Kushtetuese dhe nga ana tjetër bllokuan procedurat e dhënies së pëlqimit të gjyqtarëve të rinj nga Kuvendi, deri në momentin e interpretimit të Kushtetutës për këtë çështje. Për pasojë, Kuvendi pezulloi pa afat procedurat për emërimin e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese. Nga katër kandidaturat e paraqitura nga Presidenti i Republikës në Kuvend, për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, Komisioni i Ligjeve, me votat e mazhorancës miratoi vetëm Fatmir Hoxhën, ndërsa rrëzoi tri kandidaturat e tjera të Ardian Lekës, Edlira Jorgaqit dhe Artan Hoxhës. Më pas, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të zbardhur vetëm në muajin qershor të këtij viti, Kuvendi vendosi të kalojë për miratim vetëm një prej kandidaturave, Fatmir Hoxha, duke mos futur fare për votim tri të tjerat. Rasti i Fatmir Hoxhës ishte i ndryshëm nga tri dekretet e tjera sepse çështja e rotacionit nuk shtrohej për katër anëtarë, por për tre anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Fatmir Hoxha zëvendësoi në Gjykatën Kushtetuese gjyqtarin Sokol Sadushi, mandati 9-vjeçar i të cilit kishte përfunduar kohë më parë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›