E Diel, 1 Nëntor 2026

Rotacioni i gjyqtarëve, zbardhet kërkesa e Topit drejtuar Kushtetueses

Presidenti i Republikës do t’i drejtohet sot Kushtetueses përmes një kërkese për interpretim, që synon zgjidhjen e konfliktit mes dy institucioneve për zëvendësimin e tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

TIRANË Tri mandatet e përfunduara të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe pamundësia e Presidentit të Republikës, Bamir Topi për të dërguar në Kuvend emrat zëvendësues, kanë detyruar këtë të fundit që të hapë një tjetër betejë me mazhorancën. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për interpretimin e nenit të Kushtetutës, që lidhet me emërimin e gjyqtarëve të Kushtetueses, Presidenti i Republikës do t’i drejtohet sot sërish kësaj gjykate përmes një kërkese për interpretim, që synon zgjidhjen e konfliktit mes dy institucioneve për zëvendësimin e tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Petrit Plloçi, Xhezair Zaganjori dhe Admir Thanza (të cilëve u ka mbaruar mandati) vijojnë të ushtrojnë detyrën e tyre, për shkak se mazhoranca bllokoi shqyrtimin dhe votimin e kandidatëve të propozuar nga kreu i shtetit, me argumentin se zëvendësimet mund të kryheshin vetëm pasi të plotësohej afati trevjeçar nga rotacioni i këtij viti, që do të thotë se emrat e rinj zëvendësues për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese do të vijnë nga një tjetër president, pas vitit 2012. Ky vendim vetëm me votat e mazhorancës, për demokratët u argumentua si pasojë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për emërimin e gjyqtarëve. Por ndryshe nga mazhoranca, Presidenti i Republikës kërkon që vendimi i Kushtetueses të lexohet drejt. Në kërkesën që pritet të depozitohet sot në Kushtetuese mësohet se, Topi do t’i kërkojë kësaj gjykate që të shprehet qartë se çfarë vendimi duhet të marrë Kuvendi në këtë rast. Presidenti i Republikës, (duke iu referuar pikërisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese) do të kërkojë që Kuvendi të vihet në lëvizje përmes një zgjidhjeje ligjore, që kërkon shumicë të cilësuar dhe jo 71 vota.

Vendimi i Kushtetueses

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese (si pasojë e kërkesës së një grupi deputetësh demokratë) lidhej me interpretimin e nenit 125, pika 3 e Kushtetutës, ku thuhet se “përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet çdo tre vjet në një të tretën e saj, sipas procedurës së caktuar me ligj”. Kjo kërkesë erdhi në kohën kur në Kuvend po diskutoheshin katër kandidaturat e Presidentit Bamir Topi për në Kushtetuese. Edhe pse tri prej tyre nuk panë dritën jeshile, që gjatë diskutimit në Komisionin e Ligjeve paralelisht demokratët kërkuan interpretim të nenit 125/3 me argumentin se ligji “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese” nuk e sqaronte këtë çështje, ndërsa mënyra sesi ishte zbatuar deri më tani krijonte një problem, pasi në rast se 4 gjyqtarët kushtetues që ishin çuar për diskutim në Kuvend, do të zgjidheshin, atëherë asnjëherë dispozita kushtetuese, (që një e treta e trupës gjykuese duhet të ripërtërihet çdo tre vjet), nuk do mund të realizohej. Nga ana e saj, Gjykata Kushtetuese çmoi se gjetja dhe zbatimi i një mekanizmi të përshtatshëm për të respektuar nenin 125/3 të Kushtetutës, ishte kompetencë e ligjvënësit kushtetues. Pra mazhoranca dhe opozita duhet të uleshin bashkërisht për të gjetur një zgjidhje ligjore, për të plotësuar pikërisht vakuumin në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”.

Vendimi i Kuvendit

Por ndryshe nga sa paralajmërohej nga vendimi i Kushtetueses, vetëm pak kohë më pas, (qershor i këtij viti) tri dekretet e Presidentit të Republikës nuk u hodhën për votim në seancë plenare. Për mazhorancën, vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe parimi i rotacionit që merret në mbrojtje prej tij impononin ndërprerjen e menjëhershme të procedurave për tri kandidaturat e fundit, konkretisht të Ardian Lekës, Edlira Jorgaqit dhe Artan Hoxhës. Këto procedura, sipas mazhorancës, mund të kryheshin vetëm pasi të plotësohej afati trevjeçar nga rotacioni i këtij viti. Për pasojë, Kuvendi vendosi me 73 vota pro, asnjë kundër apo abstenuese që dekretet t’i ktheheshin paraprakisht mbrapsht Presidentit të Republikës, pa u futur në procedurë votimi. Kuvendi vendosi të kalojë për miratim vetëm një prej tyre, Fatmir Hoxhën. Rasti i Fatmir Hoxhës ishte i ndryshëm nga tri dekretet e tjera, sepse çështja e rotacionit nuk shtrohej për katër anëtarë, por për tre anëtarë të Gjykatës Kushtetuese

N.P

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›