E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klosi: Kongresi i PS-së, moment bashkimi për socialistët

Përmes një deklarate zyrtare, Klosi replikon me të gjithë të pakënaqurit në PS. Sipas tij, procesi i votimit për delegatët tregoi se brenda në parti ka frymë emancipuese dhe demokraci të brendshme.

TIRANË Pas përfundimit të zgjedhjes së 865 delegatëve përmes parimit “një anëtar- një votë”, deputeti i PS-së, Blendi Klosi ka deklaruar dje se përmes këtij votimi, socialistët treguan se kjo është partia e lirive dhe e të drejtave. Përmes një deklarate zyrtare, Klosi ka replikuar me të gjithë të pakënaqurit në PS, teksa është shprehur se zgjedhja e delegatëve sipas këtij parimi tregon se brenda në parti ka frymë emancipuese dhe demokraci të brendshme. “Faleminderit 57.140 anëtarëve të Partisë Socialiste që u shprehën dje me votën e tyre për zgjedhjen e Kongresit të ri të socialistëve e të progresistëve shqiptarë. Po të mbajmë parasysh numrin zyrtar të anëtarësisë, shifra e pjesëmarrjes së djeshme ishte 64%. Por po të llogarisim faktin se, njësoj si për zgjedhjet parlamentare apo vendore në Shqipëri, ka një numër të konsiderueshëm votuesish që jetojnë në emigracion, pjesëmarrja e djeshme vlerësohet mbi 85%. Kjo është Partia Socialiste. 57.140 anëtarë kanë zgjedhur dje 865 delegatë me votë të drejtpërdrejtë mes 1380 kandidatësh të propozuar nga organizatat socialiste nga veriu në jug të Shqipërisë. Kjo është demokracia e brendshme në Partinë Socialiste. 344 delegatë janë gra e vajza. Pra mbi 40% e Kongresit të kësaj partie”, - tha dje Klosi. Sipas tij, kjo është fryma emancipuese e Partisë Socialiste për një Shqipëri të ekuilibruar në përfaqësimin gjinor të saj. “Kush ankohet për mungesë lirie në PS, nuk di ç’të bëjë me lirinë. Kush do ta përdorë lirinë për të bërë diçka të mirë për këtë vend, ja ku e ka PS-në. Të lirë. Demokratike. Të bashkuar. Të vetmen parti ku liria punon dhe garanton çdo anëtar në lirinë e vet. Tanimë Kongresi i 5 nëntorit është zgjedhur”, - tha ai. Klosi theksoi se më 5 nëntor Kongresi do të bëjë zgjedhjet e duhura politike për Shqipërinë: “...Zgjedhjen e duhur politike për ndryshimin radikal të sistemit të taksimit në Shqipëri. Zgjedhjen e duhur politike për ndryshimin radikal të sistemit shëndetësor në Shqipëri. Zgjedhjen e duhur politike për ndryshimin radikal të sistemit arsimor në Shqipëri. Zgjedhjen e duhur politike për ndryshimin radikal të politikës në fshatin shqiptar. E me radhë, për të pastruar Shqipërinë. Nga plehrat. Nga korrupsioni, nga fukarallëku dhe llumi që ka zhytur pushteti shtetin. Nga mbeturinat e së shkuarës që kanë bllokuar rrugën e integrimit”. Sipas tij, Kongresi i sapozgjedhur ka një mandat të fortë për të bërë zgjedhjet e duhura për një politikë të re të ndryshimit. “Kongresi ka mbështetjen e plotë të anëtarësisë dhe të Shqipërisë progresiste. Ka barrën e rëndë të vënies së mandatit të vet në shërbim të të gjithë shqiptarëve. Kongresi i 5 nëntorit do të jetë momenti i bashkimit të madh të socialistëve e progresistëve shqiptarë me një vizion të ri evropian për Shqipërinë. Rreth një programi rimëkëmbjeje e pastrimi të plotë të Shqipërisë. Në mbështetje të palëkundur të interesave kombëtare e qytetare të shqiptarëve të marrë peng nga pushteti i korrupsionit e i plehrave që po e mbysin sot Shqipërinë”, - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›