E Diel, 1 Nëntor 2026

Ikën konsulli grek, Idrizi në Korçë: Ai nuk ju mban dot peng

Korçë- Shpëtim Idrizi nga Korça akuzon konsullin grek Ikonomou si pengmarrës i korçarëve. Turi “Ji krenar që je shqiptar” është ndalur në qytetin e Korçës, ku Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka takuar mbështetësit e saj, ndërsa në këtë qytet ky tur ka marrë fund, pasi e ka kryer funksionin e tij. Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi, në këtë takim është përqendruar në largimin e konsullit grek nga Korça, Theodhor Ikonomu, i cili vetëm gjatë të premtes ka mbyllur misionin e tij në Shqipëri, ndërsa pritet gjatë javës së ardhshme të mbërrijë një tjetër konsull nga Selaniku në krye të Konsullatës së Përgjithshme greke në Korçë. Gjatë fjalës së tij të mbajtur para simpatizantëve dhe mbështetësve të PDIU-së, Idrizi e etiketoi konsullin grek si përfaqësues të një shteti letër, siç e cilësoi ai Greqinë, ndërkohë theksoi se Ikonomus nuk mund të mbajë peng përgjithmonë korçarët. ”Greqia është një shtet prej letre, ndërsa konsulli grek prezantohet me veshje të forti në takimet zyrtare që mbahen në Korçë. Ikonomu ka fyer Korçën dhe gjithë Shqipërisë. Ai është thjesht një grek atavist”, ka pohuar ndër të tjera gjatë fjalës së tij Idrizi. Kreu i PDIU-së nënvizoi se do protestojnë që konsulli, i cili u bë i njohur për mbarë opinion publik pas deklaratave të tij nacionaliste, të mos kthehet më në Shqipëri. Duke iu referuar censusit, Idrizi shtoi se procesi i regjistrimit në qytetin e Korçës është dhunuar, ndërkohë deklaroi se emigrantët u përjashtuan nga ky proces. “Ne kërkuan formularë për t’i çuar në konsullatë, ndërkohë censusi u shndërrua në luftë për identitetin. Në census nuk marrin pjesë emigrantët”, - u shpreh nga qyteti i Korçës Shpëtim Idrizi. Pas këtij takimi të gjithë të pranishmit në këtë mbledhje kanë marshuar të gjithë së bashku nëpër rrugët e qytetit të Korçës, për të zhvilluar një protestë paqësore para Konsullatës greke në këtë qytet. Protestuesit kanë hedhur parulla kundër Ikonomut. Ata janë shpërndarë po paqësisht. Irena Vreto

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›