E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rotonda në zjarr

Zjarri nuk bie vetëm në zonat pyjore të vendit, por qëllon të gjejë terren të përshtatshëm edhe në mes të qytetit, madje mu në zemër të objekteve të veçanta që propagandohen në guida si atraksione turistike. Zjarri në fotot që po publikojmë “është kapur” një ditë më parë, në qendër të qytetit të Durrësit në objektin e njohur arkeologjik të quajtur “Rotonda”. Poshtë bazamentit të një momumenti të lashtë, ose të një baptiseri, siç mendohet, në një gropë të hapur nga një ekip anglez, specialistë të monumenteve, në verën e vitit 2006, u panë që nga larg shtëllunga tymi. Nuk duhen shumë komente për të shpjeguar pasojat që ka zjarri në objekte të këtij lloji, për shtresat arkeologjike të objektit, i cili tashmë ka hyrë prej vitesh në guidat ndërkombëtare të turizmit. Pamje e pakëndshme sidomos kur qyteti pret e përcjell vizitorë thuajse çdo ditë. Asnjë kokëçarje për aksidentin, asnjë kontroll apo “hetim” emergjent, deri sa flakët dhe tymi u davaritën vetë.

Objekti në fjalë është pjesë e një kompleksi të gjërë objektesh momumentale të lashtësisë, që i përkasin shekullit V-VI pas Krishtit. Specialistët mendojnë se sipas dokumenteve të vitit 1338, përmendet se në Durrës ndodhej një objekt kishtar “Sancta Maria de la Rotonda” çka bën të mendohet se ky objekt ku u fotografua zjarri, ka funksionuar deri në shekullin XIV. Në një tabelë që ndodhet në hyrje të sitit arkeologjik shkruhet “Monument Kulture. Mbrohet nga Shteti”. Qytetarët panë zjarrin, tubat e ujësjellësit që shpesh shpërthen ujë mbi pllakat e mermerit dhe mbi muret, një sasi hekurash të ngulura disa vite më parë për një ndërtim abuziv. Shtetin e shohim tek lë pas dore detyrat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›