Roven Zeka u la në burg, Lorenc Shehu komandohet shef i Komisariatit të Policisë Rrugore në Tiranë

Lorenc Shehu është komanduar shef i Komisariatit të Policisë Rrugore të Tiranës, në vend të Roven Zekës. Roven Zeka është arrestuar më urdhër të Prokurorisë së Posaçme pasi akuzohet për veprën penale “Korrupsion” dhe “Shpërdorim detyre”.
Dy ditë më parë, më 22 prill, Zeka dhe shefi i sektorit të aksidenteve, Sokol Novaku u lanë në burg pa afat.
Në bashkëpunim, ata dyshohen se kanë marrë ryshfet në këmbim të lehtësimit të pozitës së një gruaje që kishte shkaktuar aksident.
Ngjarja ka ndodhur në datën 16 prill në Tiranë, ku dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin.
Si pasojë, pesë personat që udhëtonin në njërën nga makinat janë dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
SPAK dyshon se për të kryer këtë favorizim, zyrtarët e Rrugores kanë marrë 2 mijë euro.
Për të njëjtën ngjarje, më 21 prill, u la në burg edhe oficeri i Policisë Gjyqësore, Edison Tabaku./vizionplus.tv