Rozana dhe Noisy lidhen sërish
Ajo ishte oguri i fatit për repistin Noisy. Qysh në të parin duet, me këngën “Fly” në vitin 2008, këngëtarja Rozana Radi me Noisy-n shënuan një sukses dhe kënga e tyre u bë një hit në të gjitha ambientet verore. Pasi ja panë lezetin këtij bashkëpunimi, Rozana dhe Noisy realizuan një të dytë. Këtë herë edhe më bindshëm. Rezultati? Kënga “Mr Yesterday” u fali koncerte nga një qytet në tjetrin. Afirmimi i Noisy-t ishte i dukshëm. Të dy kishin gjetur çelësin e suksesit së bashku. Por marrëdhëniet e dy këngëtarëve nga një këngë në tjetrën u zhvilluan edhe më tepër, sa diku u përfol edhe më shumë se një miqësi. Gjithsesi, për habinë e të gjithëve, pasi kaloi pak kohë, ata të dy nuk folën më me gojë. Askush prej tyre nuk dha një koment për këtë gjë, por secili vazhdoi rrugën e vet. Rozana me këngë solo dhe Noisy nga ana tjetër, po ashtu. Fushata zgjedhore i takoi në një skenë, në një koncert elektoral. Një sebep për të folur e për të rikuperuar si duket edhe marrëdhënien e tyre, të ftohur prej kohësh. Tashmë një tjetër udhëtim muzikor i pret. Në një koncert në Zvicër, në datën 4 qershor, Rozana dhe Noisy përveç këngëve solo, do të ngjiten së bashku për të kënduar edhe dy duetet e tyre. Nuk dihet nëse komunikimi do të jetë vetëm mes kolegësh, apo ata të dy tashmë i kanë falur njëri-tjetrit gabimet e së shkuarës e do t’i rikthehen “dashurisë” reciproke!