Rozi braktisi koncertet e fushatës

Këngëtarja Rozana Radi ka braktisur koncertet e fushatës, edhe pse do t’ia ngrohnin mirë xhepin, për t’iu përkushtuar teatrit.
“Teatri është dashuria ime e madhe. Unë jam rritur në një familje që është marrë me teatër, me regji, aktrim dhe as këngën dhe as paratë nuk i vë mbi aktrimin. Imagjinoni, unë nuk jam përfshirë fare në fushatë (veç një koncerti në Durrës, ku kisha dhënë fjalën), duke lënë shumë para, për t’u marrë me teatrin, pagesat e të cilit ju i dini shumë mirë. Megjithatë, kjo më jep kënaqësi”, ka thenë ajo për mediat shqiptare.
Radi, e cila ka vendosur t’i largohet zhurmës parazgjedhore për të luajtur rolin e Mirandolinës, ka thenë se të ardhmen e sheh te teatri.
“Këngës i kam hyrë fare rastësisht. Ka qenë viti 1997. Në ato vite kam nxjerrë një album, pasi ishte një mjet i mirë fitimi. Ishte koha e turbofolkut. Dhe unë isha një nga ato që u ekzaminova me këtë “sëmundje”. Nuk jam bërë pishman, sepse përveç komercit, kam bërë edhe këngë shumë të mira, falë Adrian Hilës dhe besimit që ai ka pasur tek unë,” ka thenë ajo, duke shtuar:
“Është kaq e vështirë të fillosh punë në teatër! Unë kam 8 vjet që kam mbaruar shkollën dhe normalisht dëshira ime është të filloj punë në teatër. Jo sepse unë dua të filloj punë në teatër, por sepse e meritoj, por po presim… kur t’i mbushet mendja liderëve të na marrin. “
Duke filluar nga kjo javë, në skenën e Teatrit Kombëtar të Komedisë në Tiranë ipet komedia “Mirandolina” e Carlo Goldonit, me regji të Donard Hasanit (as.regjisor Qëndrim Rijani), skenografi e kostume të Erald Bakallit, ku Rozana Radi shfaqet në rolin e Mirandolinës. /Indeksonline/