E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrahin dhe grabisin 3 pushues kosovarë, arrestohen autorët

Policia-durresDurrës/Dhunohen dhe grabiten me armë tre të rinj kosovarë që shëtisnin në bregdetin e Durrësit gjatë mbrëmjes së mërkurë. Çaste horror kanë përjetuar pushuesit që pas darkës kishin preferuar një shëtitje në lagjen nr. 13 Plazh, kur katër të dyshuar i prenë rrugën në errësirë dhe pasi u kërkuan paratë dhe sendet personale, i dhunuan fizikisht. Ngjarja ka ndodhur në orën 23:00 pranë sektorit Apolonia. Pas denoncimit të depozituar nga të dëmtuarit, policia prangosi rreth orës 07:00 të mëngjesit të djeshëm të dyshuarit, ndërsa sekuestroi armët dhe sendet e grabitura. Burime zyrtare nga policia e Durrësit sqaruan se kanë ndaluar Jetmir Mera, 18 vjeç, banues në lagjen Kënetë, Leonard Fierza, 20 vjeç, banues në Shkodër, Hasan Toska, 18 vjeç, banues në Bulqizë dhe të miturin H. N., 17 vjeç, banues po në Bulqizë.
Grabitja
Adoleshentët akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në Plazh, gjatë kohës kur 3 pushues kosovarë të moshës 22-23 vjeç ishin duke shëtitur në bregun e detit, nën kërcënimin e një thike dhe të një arme pistoletë, e prodhimit artizanal, duke ushtruar dhunë fizike mbi ta, iu kanë përvetësuar sendet personale, si telefonat celularë, çantat e supit, bizhutë e floririt, si dhe disa dokumente që ata mbanin me vete, dhe më pas janë larguar. Në sajë të raportimit të shpejtë të rastit dhe ndërhyrjes në kohë nga ana e shërbimeve, u bë e mundur kapja në kushtet e flagrancës e 4 të dyshuarve, të cilëve iu gjetën me vete edhe sendet e vjedhura, që u sekuestruan për llogari të këtij hetimi, sqaroi policia.
Hetimet
Në lidhje me ngjarjen u kryen veprimet e para hetimore, dhe po vazhdon puna për dokumentimin ligjor edhe të veprave të tjera penale të së njëjtës natyrë, pasi dyshohet që ky grup të ketë kryer të paktën edhe në dy raste të mëparshme grabitje me dhunë, me të njëjtën skemë veprimi. Materialet në ngarkim të të ndaluarve iu kaluan po dje Prokurorisë së Rrethit Durrës, për veprat penale vjedhje me armë, kryer në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje. Tre pushuesit kosovarë kanë marrë lëndime të lehta nga goditjet, por pa asnjë problem serioz shëndeti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›