Rrapaj: Isha distributor ekskluziv i një prej teknologjive më të mira në shëndetësi

TIRANË, 11 nëntor/ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, në cilësinë e kryetares së Komisionit të Posaçëm të Sterilizimit dhe të Check-Up në shëndetësi, kërkoi sqarime nga biznesmeni Ilir Rrapaj për udhëtimet e përbashkëta me ish-ministrin Ilir Beqaj dhe ish-zv/ministrin e Shëndetësisë Klodian Rrjepaj.
“Fluturimet me Ilir Beqajn kanë qenë vetëm zyrtare, pra me mision dhe interes zyrtar. Nuk rezulton të jem i vetëm në këto udhëtime. Kam qenë në funksion të udhëtimeve zyrtare si përfaqësues nga rajoni i Umbrias, e gjitha kjo është pjesë e këtij akordi kuadër, por edhe nga Universiteti i Peruxhias. Udhëtimi në Kosovë ka qenë i programuar për t’u takuar me rektorin e Universitetit të Prishtinës. Ministria e Shëndetësisë u tregua sjellshme dhe na dha makinën për të shkuar në Kosovë. Pasi mbaruam punë në Tiranë, profesori italian iku në Prishtinë, Mendoni se ishim keq për një taksi apo një makinë private? Ishte një akt xhentilese nga ministria që i vuri në dispozicion profesorit një makinë. Në Prishtinë u bë një takim zyrtar. Ardhja ime në Shqipëri, nuk ka qenë për këtë qëllim. Kam pasur kontakte në rajonin e Umbrias, por jo me Ilir Beqajn”, tha Rrapaj.
Vokshi i kujtoi sipërmarrësit takimin e datës 17 tetor të vitit 2014, ku janë takuar ortakët për të ndarë edhe pjesën e fitimit, sipas deputetes së PD-së.
“Ka qenë një vendimmarrje për ortakërinë, që ka vendosur që do të jenë pjesë e një tenderi për sterilizimin. Ortaku kryesor ishte Service Italia që kishte shprehur vullnet për të ndjekur më nga afër të gjithë situatën, pas prononcimeve publike të Ministrisë së Shëndetësisë. Service Italia është kompani liderë ndërkombëtare dhe në vijim të disa deklaratave publike të MSH apo qeverisë, u mor vesh që mund të ketë mundësi për një garë në shërbime, pra tender. Nuk flasim për një garë specifike, përfundimi ishte që nga proklamatat në qeveri do të kalohet në ekzekutime, pra tenderë dhe ne do të interesoheshim.
Në këtë takim, konfirmoj edhe ndarjen e kuotave. Kompania e madhe dhe dy kompanitë e tjera më të vogla, në këtë kontest nuk ishin vetëm pjesëmarrëse, por edhe furnizues të teknologjive, një mundësi e artë për të bërë biznes. Pra jo vetëm, kuotat apo dividendët do të shpërndanin kuotat e fitimit. Nëse ky tender do të shpallej fitues, nga ai moment do të hynin edhe rolet përkatëse të kompanisë, pjesë e bashkimit të përkohshëm të operatorëve”, shtoi sipërmarrësi Rrapaj.
Ai shtoi se ka qenë distributor ekskluziv i një prej shërbimeve më të rëndësishme në historinë e ndërhyrjeve kirurgjikale.
“Unë do të isha distributor ekskluziv për teknologjinë e dekontaminimit aktiv të sallave kirurgjikale. Dekontaminim aktiv brenda sallave operatore është e vetmja metodologji, sistem që bën të mundur asgjësimin e baktereve. Kam kontribuar me sjelljen e teknologjisë, në një prej pesë shërbimeve më të rëndësishme në shëndetësi. Ndarja e fitimit u bë me administrim të brendshëm nga bashkimi i operatorëve”.
/e.i/a.f/