E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rrëfimi i 35-vjeçares për ATSH-në: Si i mbijetova dhunës së bashkëshortit, shteti më rimburson qiranë e shtëpisë ku jetoj me 3 fëmijët

TIRANË, 10 dhjetor /ATSH/ 16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës ndaj Grave përfundojnë sot, ku gjatë gjithë këtyre ditëve janë mbajtur aktivitete dhe qasje ndërgjegjësuese nën moton: “Asnjë Justifikim: Bashkë kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave”.

Bajame Sh., është një 35-vjeçare nga Pogradeci, por që prej 10 vitesh bashkë me familjen e saj kanë zgjedhur të jetojnë në Tiranë. Me zërin që i dridhej dhe duart e çara nga i ftohti dhe puna që bën, ajo nis rrëfimin e saj për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH), ndërsa lotët nuk i ndalen.

Thotë se historia e njohjes me Ermalin, bashkëshortin e saj, nuk është një histori e mirëfilltë dashurie, por një lidhje që nisi me shkuesi. “Që në fejesë nisën problemet e para, unë isha 25 vjeçe dhe shpesh kisha dëshirë që të dilnim si çiftet e reja, të pinim një kafe jashtë shtëpisë, por jo! Ai më mbante mbyllur. Më pas lindi fëmija i parë dhe aty ndryshoi gjithçka…”, tregon 35-vjeçarja për ATSH.

Bajamja thotë se e gjithë jeta e saj u kthye në ferr, kur njeriu që u bë baba i fëmijës së parë të tyre nisi alkoolin, nuk respektonte asnjë normë të familjes, nuk kontribuonte financiarisht, për më tepër e dhunonte atë si grua dhe fëmijën e vogël.

“Ai vinte në mëngjes në shtëpi, unë rrija natën zgjuar duke u marrë me fëmijën. Ai bëhej xheloz dhe shihte nga dritarja më kërkonte llogari, se kë kisha futur në shtëpi nga dritarja. Më rrihte, më godiste me grushta në kokë, në trup isha gjithë shenja. Një natë mora në telefon prindërit dhe u thashë që situata nuk ishte e mirë, kisha dhunë, nuk kisha respekt nga Ermali, asgjë… Ata nuk më përkrahën, më thanë t’i jepja dhe një shans se isha me një fëmijë dhe për ta ishte turp, për opinionin dhe njerëzit që vajza të kthehej në shtëpinë e prindërve me një fëmijë”, thotë 35-vjeçarja.

Bajamja është nënë e tre djemve, 10, 6 dhe 3 vjeç. Pas djalit të parë, erdhi në jetë edhe fëmija i dytë. Bashkëshorti i saj punonte në lavazh, situata me alkoolin ishte përkeqësuar edhe më shumë, ndërsa ajo kërkonte nëpër komshinj borxhe që ta ndihmonin me qumësht të freskët për të ushqyer të porsalindurin e dytë dhe paratë t’jua jepte kur të merrte ndihmën ekonomike.

“Merrja 30 mijë lekë ndihmë ekonomike atëherë dhe nuk më dilte për asgjë. Ai më jepte dy mijë lekë në ditë shumë rrallë, pra në vështirësi të jashtëzakonshme. Vinte i dehur në shtëpi, më rrihte… Nuk e harroj një mbrëmje… Fëmijët po flinin dhe ai më mori zvarrë nga flokët nga njëra dhomë te tjera. Rashë pa ndjenja në tokë, ai më përmendi duke më hedhur ujë… Ndërkohë, tentova të merrja policinë dhe ai veshi xhupin dhe iku nga shtëpia. Policia e mori në rajon, mori një dëshmi dhe e liroi për tri ditë. Filloi karvani i vuajtjeve përsëri dhe kështu shtyja ditët”, thotë me zërin që i dridhet nëna e tre fëmijëve.

Momenti kulmor ndodhi disa muaj më parë, kur me tre fëmijë, Ermali erdhi i dehur në shtëpi dhe nga xhelozia, nga avujt e alkoolit e rrahu aq keq Bajamen, duke i thyer bishtin e gjatë të fshesës në kurriz. Ajo u shemb në tokë, mori në telefon policinë, ndërkohë Ermali e dëgjoi duke folur në telefon dhe e rrahu për herë të dytë. Bajamja tregon se hyri në tualet duke u zvarritur dhe kujton vetëm momentin që i tha oficerit nga ana tjetër e telefonit: “Ejani, se po më vret burri!”.

Pas disa minutash, me mbërritjen e policisë në shtëpi, ajo shkon në rajonin më të afërt të  për të dhënë dëshminë dhe për t’u pajisur me urdhër mbrojtjeje. Bajamja u shpreh se ish-bashkëshorti i saj tashmë është arrestuar dhe është në pritje të masës së dënimit.

“Thuhet që do e dënojnë tre vjet, por ka marrë avokat se i ka sjellë e motra lekë nga Italia”, thotë Bajamja nën zë, duke dëshmuar edhe dozat e frikës dhe gjithë pasiguritë e saj si grua dhe si nënë e tre fëmijëve se ai ndoshta mund të lirohet edhe më shpejt.

“Jam strehuar për disa muaj te qendra “Në dobi të gruas” e Sevim Arbanës. Aty kam gjetur strehim, ushqim, përkrahje, madje po punoj si pastruese. Punoj si pastruese edhe në disa shtëpi të tjera në Tiranë për të siguruar diçka më shumë për djemtë e mi. Prej disa muajsh jetoj në një shtëpi me qira që m’a paguan shteti”, shprehet 35-vjeçarja.

Gjithashtu, Bajamja thotë se shteti i paguan prej disa muajsh qiranë e banesës ku po jeton me tre djemtë e saj, ndërkohë që është në diskutime me shërbimin social të MSHMS, ku pas përfundimit të procedurave do të mund t’i sigurohet strehimi i përhershëm dhe rimbursimi i pagesës për banesën ku ajo jeton me tri fëmijët e saj.

“Prindërit, të afërmit më kërkojnë që t’i jap edhe një tjetër shans, por unë kam marrë vendimin më të mirë të jetës. Mund të kisha dalë viktimë nga ajo shtëpi. Të paktën kam qenë një viktimë e dhunës, por tani me krenari them se jam e mbijetuara e dhunës. Kam plot vështirësi, por do t’ia dal për fëmijët e mi”, e mbyll ajo rrëfimin për ATSH-në.

/a.f//r.e/ /a.g/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›