Rrëfimi i Gabajt: Si e njoha Mardjolën e Big Brother
Nga arresti shtëpiak ajo rrëfen se me Mardjolën njihet prej kohësh, ka pirë edhe kafe por ka pak kohë pa e takuar
VLORË- Arjeta Gabaj, vajza e arrestuar për trafikimin e një të miture ku dyshohet se është implikuar edhe Mardjola Vaço e Big Brother, rrëfen për “Shekullin” se si janë njohur ato të dyja. Që prej 30 marsit të këtij viti ajo ndodhet në arrest shtëpie por Mardjolën e njeh prej vitesh, që në kohën kur ajo ishte parukiere. Ajo ka lënë pas edhe një fëmijë të vogël, tre muajsh i cili ndodhet në jetimore.
“Me Mardjolën njihem më parë kam pirë dhe kafe. E njoh pasi ka qenë parukiere, por vetëm kaq. Mardjola nuk ka të bëjë me historinë e 13- vjeçares, gjë për të cilën më akuzojnë. E kam parë Mardiolën tani afër në televizor nga spektakli, por kam kohë pa e takuar”,- thotë 22- vjeçarja Gabaj. Lidhur me historinë e minorenes, Arjeta tregon se vajzën e njihte sepse e kishte pasur në të njëjtën punë. “Ishim në rrobaqepësi dhe Paola shoqërohej me mua. Gjithçka nisi kur unë doja të largohesha nga Vlora dhe të shkoja në Tiranë. Është e vërtetë se kemi qenë bashkë në të njëjtën shtëpi për tre ditë, në shtëpinë e një shokut tim në Vlorë, pasi unë kisha ikur nga shtëpia. Kisha kontradikta me të shtëpisë sime dhe doja të largohesha për në Tiranë, ku të merrja një shtëpi me qera e të gjeja një punë atje. Ndoshta në rrobaqepësi, pasi atë kam mësuar të bëj. Goca e mori vesh dhe donte të vinte me mua. Ndenjëm bashkë, por nuk i është prekur një fije floku. Tre ditë më pas kur unë sigurova dhe lekët borxh, për të shkuar në Tiranë, vajta në shtëpi për të marrë rrobat e mia, por pas kësaj erdhën dhe më morën, kur mora vesh se nga prindërit e 13- vjeçares (sot është 14),kisha një denoncim për trafikim”,- thotë Arjeta Gabaj.
Tashmë ajo kërkon që të rinisë jetën nga e para por masa e sigurisë e dhënë nga gjykata e detyron të qendrojë në shtëpi. “Dua të nis një jetë timen, ku të lë pas gjithçka”,- thotë Arjeta. Ajo nuk pranon të ketë bërë punë tjetër përveç rrobaqepësisë dhe as të ketë lëvizur ndonjëherë nga Shqipëria. “Tani jam e fejuar me një djalë nga Maqedonia, por që jeton prej kohësh në Tiranë. Ai është 28 vjeç dhe quhet Genti. Ai kish dëgjuar historinë time. Ai më pranon me gjithë fëmijën tim”,- tregon vajza që në pjesën e djathtë të gjoksit, me gërma kapitale, ka shkruar GENTI, emër të cilin ajo e ka bërë me gjilpërë. Por ajo ka lënë pas edhe fëmijën e vogël, Klajdin, i cili është tre muajsh dhe ndodhet në shtëpinë e foshnjës në Tiranë. “E kam parë dhe dua ta marr sa më shpejt sapo të rregullohen të gjitha procedurat. Djali është lindur në burg dhe unë e kam parë vetëm për tre ditë”,- tregon ajo. 22- vjeçarja jeton me dy prindërit, tre motrat më të vogla dhe vëllanë18- vjeçar. Ajo ka kryer vetëm arsimin 8-vjeçar e më pas ka punuar në rrobaqepësi.