E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëfimi i Myslym Pashajt: Pse u largova nga Kreshnik Spahiu, më kërcënuan me jetë

Në vitin 2010 ishte një nga figurat më të spikatura të shoqërisë civile, i cili tregoi se edhe pa mbështetje politike, një njeri mund të (mos)ndryshojë kufijtë. Myslim Pashaj “pengoi” Greqinë që të ratifikojë Marrëveshjen për kufirin detar të Greqisë me Shqipërinë, duke sensibilizuar median dhe opinion publik për risqet që vinin nga ky pakt.

Ky ishte momenti kur Pashaj, i cili për shkak të gradës ushtarake njihej edhe me epitetin “koloneli”, u kthye në simbol kombëtar për shqiptarët, por edhe personazh i lakmuar nga partitë për ta marrë në formacion politik. Këtij qëllimi ia arriti shpejt Kreshnik Spahiu, lideri i Aleancës Kuq e Zi, që në pranverën e vitit 2011 e shndërroi atë në një parti me kryetar vetveten dhe sekretar të Përgjithshëm Myslim Pashajn. Për dy vite radhazi “koloneli” vijoi aderimin në politikë, kryesisht duke u marrë me çështjet nacionaliste, derisa në mesin e majit 2013 ai dha dorëheqje të parevokueshme nga AK.

Nga ajo kohë Pashaj nuk e ka sqaruar asnjëherë me detaje se çfarë e detyroi atë të ndahej nga rrugëtimi politik me Spahiun, ashtu siç do ta rrëfejë në këtë intervistë për gazetën “Panorama”. Shkaku kryesor ka qenë pozicionimi i AK-së në garën parlamentare, për të cilin Myslim Pashaj thotë: “Vendimmarrja për dalje në zgjedhje i vetëm ishte vepër e tij. Ajo ditë ishte e mbushur me mister, jashtë realitetit që shqiptarët po e njihnin. ‘Kundër dy të mëdhenjve ishte vendimi fatal, sigurisht prodhim i një deliri”…

Ju në vitin 2010 u shpallët “Personazhi i vitit” dhe ishit ndër më të njohurit nga shoqëria civile. A nuk ishit komod me statusin e mëparshëm? Pse vendosët që të hynit në politikë dhe a jeni penduar ndonjëherë?
Unë nuk e kam parë veten kurrë “komod”, pasi gjithë jeta dhe vepra ime në shërbimin në FA dhe atë intelektuale në përgjithësi, ka qenë në dinamikë, gjithnjë me shqetësime, kërkues ndaj vetes dhe nismëtar në studime dhe kontribute. Kur u shpalla “Personazhi i vitit” nuk kam ndier ndonjë gjë të veçantë, isha po ai mëparshmi, me rrjedhën time të jetës dhe kontributit, dhe e ndieja se nuk kisha kapur ndonjë pikë të epërme. Kështu vijoj të jem. Statusi im as u prish kur unë hyra i vetëdijshëm në një lëvizje të re kombëtariste, e cila në fillim nuk ishte lëvizje politike. Aty u ndjeva mirë, sepse po shihja se kombëtarizmi po zgjohej te shqiptarët, kudo që janë. Ndërkaq, sapo u shndërrua në lëvizje politike, në të vërtetë unë isha në dilemë. Ç’të bëja? Kurrë nuk më shkoi në mendje se do të arrija këtu apo atje, veçse sërish mendova se mund të kontribuoja në një parti me prirje kombëtariste shqiptare moderne. Dhe kështu vendosa. A ka pendim? Jo! Unë isha në front dhe luftoja e përpiqesha për mbrothësinë e vendit tim, jo për pozitën time.
Kur dhe si jeni njohur me Kreshnik Spahiun, çfarë ju bindi që ta ndiqnit në politikë?
Me Kreshnik Spahiun jam njohur në prill të vitit 2011. Ndërkohë ai e kishte themeluar Lëvizjen Kuq e Zi. Ishte koha e kompozimit të Himnit të Lëvizjes. Ndodheshin shumë intelektualë që më pas nuk u përfshinë. Në darkë, sapo erdha në shtëpi, i shkrova një e-mail, në të cilin i thashë: ”Hiq nga teksti i Himnit emrin Kreshnik…”. Ky ishte fillimi. Po e përmend këtë fakt pasi brenda figurës për të cilën më pyesni dhe që sapo e kisha njohur, rrinte “tjetërkush”, që unë nuk e njihja, dhe smund ta njihja që në fillim. Megjithatë, iu bashkova lëvizjes. Kreshnik Spahiu ishte plot energji dhe me një ambicie të veçantë drejt së cilës ishte nisur. Ai kish hasur një fakt dramatik tronditës mbi ndryshimin e kombësisë, regjistrimin etnik dhe fetar, të ndërrimit të emrave dhe mbiemrave në shtetin fqinj, të pensioneve helene në Jug të Shqipërisë, ai solli fakte të reja, çka krijoi edhe suazën e formatin e lëvizjes sonë. Në deklarimin e parë për opinionin shqiptar ishte i ndjeri Sabri Godo, prof. Pëllumb Xhufi, prof. Ago Nezha dhe shumë intelektualë të shquar. Lëvizja po hynte në hullinë e saj. Tubimet e para ishin mbresëlënëse. Kjo tregonte se ajo do të rritej me shpejtësi.
Pas dorëheqjes nga posti si sekretar i Përgjithshëm i AK-së keni deklaruar se po largoheni ngaqë “nuk kam rënë dakord me Spahiun për çështje parimore”. Për cilat çështje bëhet fjalë?
Është e vërtetë që ne e shndërruam lëvizjen në parti politike. Po fatkeqësisht nuk e formatuam dot atë. Filozofitë tona të ngjizjes së parë të lëvizjes dhe formësimit të saj ndryshonin. Drejtimi që bëhej ishte tipik sipas formatit “OJF” dhe nuk kish asnjë drejtim kolegjial. U krijua një Sekretariat i Përgjithshëm, po ai mbeti formal. Kreshniku punonte shumë, po ai nuk kish dëshirë drejtimin kolegjial, ai i besonte vetvetes, ideonte, jetësonte skenarë, realizonte vendimmarrje, të cilat nuk i konsultonte në Sekretariat. Ishte një regjisurë e vetvetes së tij. Iu trembej figurave të tjera që mund të afroheshin. Rrymën e lëvizjes e konsideronte thellësisht një prurje dhe krijesë të tijën, e aftësive të tij. Kjo u bë shqetësuse, ndërkaq nuk kish kohë që të merreshim me debate kur axhendat ditore politike vërshonin. Ky përfytyrim i tij mund të ketë qenë ndofta si një qasje me lëvizjet e partive si “Syriza” (Greqi), si “5 yjet” (Itali) “VV” (në Kosovë), të cilat për një kohë të shkurtër pësuan një rritje “avalanshi” dhe u sollën fitore nismëtarëve. A mund të ngjante dhe kjo këtu ndër ne? Bima që po rritej e kish edhe “antibimën”. Kreshniku nuk i besoi asnjëherë krijimit të partisë. Ajo që solli trazim te kuqezinjtë kudo që ishin, qenë nismat e tij politike, problematikat, sloganet, taktikat, të cilat çdo herë e më shumë po bëheshin skajore, ai po e rriste përherë e më shumë artikulimin e tyre, duke i çuar në ekstremizim. Kështu të tilla ishin: “Arrestimi i Berishës”; “Referendumi për bashkimin me Kosovën”; “Jeleku antiplumb”; “Thyerja e karrigeve”; “Qëndrimi ndaj pakicave etnike në Shqipëri”; kryefjala “Zoti është i Pari, Shqipëria mbi të gjitha” (me ngjyrim të dyshimtë). Dy aventurat vetëshkatërruese të bulevardit (7 prilli i kuajve groteskë) dhe 1 Maji i jelekut antiplumb etj., po e vetëdemaskonin lëvizjen. Për të gjitha këto, ata që na besuan në fillim po e humbnin besimin dhe po fillonin të na braktisnin. Gjithnjë e më shumë po vija re se edhe ai vetë nuk i besonte sloganet dhe armët politike që përzgjidhte dhe ndonëse i artikulonte ato me karizëm dhe kurajë, “në vetveten e tij të dytë” nuk u përkiste atyre, por i kishte ato veçse thirrma populiste për ti pëlqyer masës së dëshpëruar që rronte në Republikën e Sundimit. Këtë po e kuptonin kuqezinjtë mijëra e mijëra në gjithë Shqipërinë dhe jashtë saj. Ata po ftoheshin gjithnjë e më shumë. Partia kishte një ide themelore inspiruese për ideologjinë kombëtare, por që nuk hodhi rrënjë organizative dhe nuk u jetësua, sepse tharmi i saj i parë nuk kish rënë në truallin e duhur.
Pas dorëheqjes nga AK keni denoncuar në Prokurori se jeni shantazhuar e kërcënuar. A i keni gjetur se cilët janë këta persona dhe nëse po, a mund të na i bëni publikë?
Janë vetëm ca telefonata naive, mjerane, zëra të ngjirur të OJF, të cilët jetonin me ëndrra se do të përsëritnin skenarin e kuajve në bulevard, që skanë lidhje me AK-në.
Pavarësisht të gjitha mosmarrëveshjeve, Spahiu në fillimet tuaja në AK ju pati reklamuar me shumë pompozitet, duke ju propozuar madje edhe për President të Republikës. Kundërvënia ndaj tij a ju bën mosmirënjohës?
Kjo pyetje është si një ishull në vërshimin e parë të AK-së. Kreshnik Spahiu e përdori jo pak emrin tim. Këtë asnjëherë nuk e kam pëlqyer. Nuk kam pasur nevojë për reklamë, sepse ajo ishte bezdia ime. Propozimi për President ka qenë shumë formal, një rekuizitë e vjetër. Unë nuk i jam kundërvënë, por në rrugë e sipër të përpjekjeve tona të përbashkëta, smund të ecja në udhën qorre. Unë kisha dritë në udhën time kombëtariste. U largova duke ia shprehur gjithë mospajtimet.  

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›