Sulmohet autokolona e presidentit Bashar Al Asad

Kryengritësit në Siri thonë se kanë sulmuar autokolonën e presidentit Bashar Al Asad, por njoftimet e tyre janë mohuar menjëherë nga ministri i Informacionit, Omran Zoabi.
Ai tha se pretendimet se kryengritësit goditën me raketa autokolonën e makinave të presidentit janë ëndrra e iluzione, fotografi të publikuara në media e treguan Al Asad në një shërbesë faljeje në xhaminë e Damaskut, në përfundim të muajit të Ramazanit, transmeton AS. Ndërsa nga ana e tyre, kryengritësit këmbëngulin se e kanë goditur me mortaja makinat ndërsa ato drejtoheshin për në xhaminë Anas bin Malek ku ndodhet edhe një nga rezidencat presidenciale.
Sipas BBC-së, nuk është e qartë nëse fotografitë e Al Asad të transmetuara në televizionin shtetëror të Damaskut ishin të marra më parë, por analistët thonë se kjo ka gjasa të jetë e vërtetë. Njoftimet për goditjen e makinave të autokolonën së presidentit erdhën një orë përpara se të shfaqeshin fotografitë.
Të gjitha rrugët që çojnë në zyrën e presidentit ishin mbyllur për arsye sigurie përpara incidentit, burime të opozitës siriane i thanë medias se 17 raketa shënjestruan makinat e autokolonës presidenciale, e opozita ishte informuar paraprakisht për lëvizjen e tyre. Gjithashtu ka zëra se presidenti mund të ketë qenë në një rrugë tjetër e jo në makinat që u bënë shënjestër e sulmit./Indeksonline/