E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëfimi i Salih Dibrës, nga shkolla në Bashkimin Sovjetik tek krijimi i shkollës shqiptare

Piloti i parë i Shkodrës dhe një nga themeluesit e aviacionit shqiptar

Nga Riza Lahi*

ft8 001Mëngjes i 27 nëntorit 1962, Kuçovë. Pasi ishin bërë punimet, MIG15 është gati për fluturim. Piloti 27 vjeçar, zv. komandanti i skuadriljes, do të çelë fluturimet nëpër re për ditën e sotme, të vrenjtur, të rënduar, tamam për kësi stërvitjeje. Tani ai është duke marrë lartësi, qetë, dhe shpejt. Ja ku ndodhet masivi i madh me re. Ai do të hyjë atje dhe të fluturojë vetëm me instrumenta; është kushti i qenies pilot i klasit të dytë. Vetëtimthi pa lartësimatësin, që shënonte 2800 metro. Kushedi se sa metro do të jetë pjesa e sipërme e kësaj shtrese, mendoi dhe i dha komandave i vendosur drejt thellësirave të kësaj mjegullnaje të bardhë si një sy i prishur. Tani ndodhet mes trashësirës së reve. E vetmja mënyrë për tu orientuar është skuadra që piloti ka nën komandë moria e instrumentave. Piloti i përpin të gjitha shigjetat me një vështrim të përqëndruar, si, ta zëmë, mund ta ketë vëmendjen një kirurg që ka çarë një bark njeriu që pas pak do të bëhet i gjallë sërish vetëm nga duart e tija. Skuadra e luftëtarëve të pilotit përbëhet secila nga nervat dhe ndijimet e veta që pulsojnë te shigjetat. Befas…të gjithë luftëtarët e kabinës së tij në asfiksi të plotë. Të gjitha shigjetat e instrumentave elektrikë ranë në zero. Nuk kishin kaluar as pesë minuta. Zhurma e motorit ishte e ëmbël përsëri; asnjë të ngjirur, asnjë pa siguri a stepje, sikur nuk i kishte ndodhur asgjë djaloshit. Edhe lartësimatësi e shpejtësimatësi vazhdonin detyrën si të rrahura të qeta pulsi… Salih Dibra e kuptoi se çfarë kishte ndodhur, megjithatë, ja, provoi ti bënte thirrje udhëheqësit të fluturimit dhe priti atë që e dinte. Asnjë përgjigje. Sistemi elektrik i aeroplanit nuk funksiononte më. Shyqyr motorri për mrekulli. Sa kish qenë lartësia kur hyri mes reve? Po, 2800 metro. Ja, de, të zbriste deri në atë lartësi sa të dilte që andej. I dha komandave teposhte por jo drejt thellësirave. Diku ishte maja e Tomorrit. 2400 metro. Nuk bënte të shkonte më poshtë se 2500 metro. Ja, de. Sërish re. Të trasha, të bardha si xhelatinë veze. Vazhdoi të fluturonte me sytë katër se mos gjente kund një të çarë..një blu të bukur, marramendës, të mrekullueshëm si kaltrina mbi liqenin e Shkodrës…Kushedi se sa ishte shmangur tani. As që e kishte idenë se nga po shkonte mes këtij terri të bardhë si bardhana e borës e polit. Sapo të shihte një të çarë kund. Po, mos fill pas i dilnin shkrepat e ndonjë mali. Kjo do të ishte vdekja. U kujtua sërish te katapulta. Instruksioni i fluturimit këmbëngulte kësi rastesh vetëm një veprim. Braktisjen e aeroplanit. Pozicionin me këmbët mbledhur dhe…plasja e katapultës i jepte fund hamendjeve të stërmundimshme të djaloshit të vetëm mes reve të llahtarshme si gojë të vdekjes. E tundi kokën me forcë. Kurrë! Ishte betuar një herë para vetes së tij se, sido që të vinte jeta, kurrë nuk do ta braktiste avionin. Për më tepër motorri po punonte për mrekulli. Bah! Re…ngado re….ku ishte vallë? Eci edhe pak… Askund…asgjë… Nëna ime!… Ndjeu për herën e parë një frikë që nisi ti shtohej. Po sikur të kishte kaluar territorin e vendit dhe…karburanti në të mbaruar…Boooo… në tokën greke? Jo, jo… nuk kishin kaluar aq kohë, xhanëm…po, po…nuk bën të priste më… Më mirë të marrë fund kjo lojë e tmerrëshme me nervat e tija mes kësaj vetmie polare… Të dalë ku të dalë …I vendosur i dha komanave për të çarë poshtë …Ndjeu lehtësirën e lezetshme të mbingarkesave negative në trup…Kur… …Para syve të tij pa qiell… qiell… qiell, vetëm qiell… Vetëtimthi ndjeu se ishte me aeroplanin përmbys. Duke tundur kokën me furi dy tre herë, vrik i dha komandave nga e kundërta… Sa çel e mbyll sytë, hapësira qiellore u ndërrua me…pamjen agresive të dy majëmaleve dhe shpateve të tyre. Ishin si nofulla të frikshme që të përpijnë dhe të përtypin të gjallë…Mes tyre rrjedha e një lumi. Ishte në luginën e tij. Me një vështrim të vetëtimtë pa sërish nga malet anash. Kishin formën e krahëve të vdekjes, të blertë dhe të hapura për ta marrë në pëqi. I përqëndruar pa poshtë rrjedhën e lumit. I ngjau vetja si një zhytës që sapo ka dalë nga thellësira. Mori frymë thellë dhe pa përqark… Nuk po njihte asgjë…Po, po, kishte dalë në tokën greke. Booooo….më mirë i vdekur se në dorë të grekëve. Po…ngadalë njëherë, mor!!!! Salih Dibra është njeri që të gjithë e njohin se nuk e ka humbur toruan kurrë. Si nuk hutohet asnjëherë një shkëmb pa shpirt apo shqiponja që e ka shpirtin. Po kadalë… more Salë…ece drejt lumit një herë… kushedi se sa litra karburant kishin mbetur… Isntrumenti nuk tregonte asgjë…Të gjithë lumenjtë shkojnë në det… Po ndiqte tani rrjedhën e lumit me zemër të ngrirë …Kur… uuuurraaaaa…. hahahahah… thuajse qeshi me zë të lartë…. Menjëherë e ndjeu veten si të ndodhej papritur në një lëndinë me zambakë. Përpara si një anije e largët shumë dhe me vela, ja ku ndodhej Sazani…Ohh! Po, po… Lumi kishte qenë Vjosa! Energjikisht u dha komandave drejt aerodromit! Ishte në një zonë që e njihte symbyllur! Ora mekanike tregonte 35 minuta. Po vraponte me makinën e tij ajrore drejt pistës, që, jaja, ja ku dukej atje përtej; po rendte si një sulonjës që ka kapërcyer të gjitha barrierat e mbrojtësve dhe i ka mbetur vetëm portieri për tia rrasur golin. Gjithsesi, vendosi të kalonte një herë mbi pistë. Kushedi, shokët kanë menduar se unë…Sërish nuk i shkoi mëndja te ndonjë katastrofë që mund të kishin menduar shokët. Ishte vetëm 27 vjeç. Ishte plot vrulle dhe dashuri për jetën, si një luftëtar i ri, që nuk është plagosur asnjëherë. E tëra kjo aventurë që të bënte gjakun ujë kishte ndodhur ngaqë gjatë punimeve, kabllot elektrike të aeroplanit ishin lidhur gabim. Pasdreke në shtëpi shkoi rëndërëndë, siç shkonte gjithmonë, i gatshëm për të bërë shaka apo thënë një fjalë të ëmbël cilitdo prej komshinjve menjëherë, sapo ti takonte. E shoqja, Semiha (Alivoda) ndërsa po i bënte një kafe tërrnake, me shumë sheqer dhe me jashtëzakonisht shumë kafe, ë? , po i tregonte se i kishte blerë një copë të bukur për kostum. Nxitoi tia sillte dhe ai qeshi me lezet ndërsa ia lavdëronte shijen shkodranes së tij që…hmmmm… nisi po ia ngulte sytë si një djall. He, ça ke?- e pyeti ai duke qeshur dhe djalli dinak, në vend që të vështronte ashtu si para një çasti, u qetësua. Pas pak kërsiti dera e apartamentit dhe e shoqja brofi ta hapte, siç bëjnë në Shkodër, pa pyetur se kush ishte….Oooooo…..Hajde urdhëno! Salih, shif se kush na ka ardhë… Mysafirja zuri vënd dhe Semihaja ia vuri kafen përpara. Sapo Salihu bëri një shaka shkodrane që e bëri të shoqen të shkrihej, por jo dhe aq mysafiren, ra zilja e telefonit. Salih Dibra u kërkoi leje grave dhe vuri telefonin në vësh. Ndërsa kishte mendjen te zëri milimetrik i kufjes së telefonit, veshi tjetër, i kapi këta fjalë: Semiha, shyqyr që të ka shpëtuar burri!… Fill pas kësaj, një britëm Salihiii!. Atë mëngjes Semihaja i ishte lutur disa herë burrit të saj të ri që të mos fluturonte sot, sepse kishte parë një ëndërr të keqe. Salih Dibra qeshi me të madhe si vuri telefonin në vend dhe e shoqja e puthi si të ishin të fejuar e të kishin kohë pa u parë; pa pyetur fare për sytë e shushatur të komshijes, që mund të kishte ardhur atë ditë për kryeshëndosh… Ja diçka nga jeta e njërit prej të paktëve shkodranë që kanë bërë pjesë në radhët e ushtarakëve; të pilotit të parë që ka dalë nga gjiri i popullit të Shkodrës. Le të vazhdojmë më tej…

NGA ZIA E BUKË

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›