Berisha nis luftën ndaj Metës, iheq me forcën e kartonit anëtarin e KQZ
LSI letër ambasadorëve: PD po politizon KQZ-në, po prish zgjedhjet
Vetëm 10 ditë pas largimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim nga koalicioni qeverisës me Partinë Demokratike, është rikthyer lufta mes këtyre dy forcave politike. Kështu, në mbledhjen e djeshme Komisioni i Ligjeve miratoi vetëm me votat e deputetëve të mazhorancës kërkesën e demokratëve për lirimin nga detyra të përfaqësuesit të LSI-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Muho. Në vend të tij, Komisioni miratoi dy kandidaturat e propozuara nga Partia Republikane për anëtarë të KQZ-së, Klement Zguri dhe Patriot Çobo. Të dy këto kandidatura do të votohen ditën e sotme në parlament duke zgjedhur kështu kandidatin i cili do të zëvendësojë, Muhon në KQZ.
Kërkesa e PD-së
Nëpërmjet kryetarit të grupit parlamentar, Astrit Patozi, Partia Demokratike kërkoi lirimin e Ilirjan Muhos nga detyra, pasi, siç shkruhet në kërkesën e mazhorancës, me largimin e LSI-së nga mazhoranca, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve u prishën balancat mes përfaqësimit të mazhorancës dhe opozitës. Sipas Kodi Zgjedhor dy anëtar zgjidhen nga partia më e madhe qeverisë, dy nga partia më e madhe e opozitës, dhe nga një anëtar nga partitë e dyta më të mëdha të koalicioneve përkatëse. Kjo formule i kishte siguruar LSI-së si forcë qeveritare dhe PBDNJ-së si forcë opozitare nga një anëtar në KQZ.
Reagimi i LSI-së
Nënkryetari i LSI, Ylli Manjani, ka dalë dje dy herë në konferencë. Në konferencën e dytë në orët e pasdites, së djeshme duke i kërkuar parlamentit që të mos votojë ndryshimin e anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që u përket atyre. Me një gjuhë më të ashpër, Manjani tha se ky vendim i PD-së është i jashtëligjshëm dhe cenon legjitimitetin e zgjedhjeve. Për këtë arsye Manjani i kërkoi parlamentit që të rikthejë legjitimitetin e votimeve. Në rast të kundërt, ai tha se do përshkallëzohet qëndrimi i opozitës. Ndërkohë LSI i dërgoi mbrëmjen e së mërkurës një letër trojkës së ambasadorëve, ku shpreh doza të forta shqetësimi për iniciativën e PD-së me zëvendësimin e LSI-së në KQZ. Në përmbajtje të kësaj letre thuhet se, LSI konsideron se kjo është një lëvizje politike e Partisë Demokratike, me natyrë destabilizuese, e cila politizon hapur KQZ-në dhe kërkon të vendosë mazhorancë të dhunshme politike në proçesin e menaxhimit të zgjedhjeve të përgjithshme të 23 qershorit 2013.
Naço: PD po nis të manipulojë zgjedhjet
Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Nasip Naço i pranishëm në mbledhjen e Komisionin të Ligjeve, e quajti të paligjshme kërkesën e Partisë Demokratike për zvendësimin e antarit të KQZ-së. Që në moment që thoni lirimi është diçka e paligjshme pasi në nenin 14 thuhet emërimi dhe në nenin 18 thuhet shkarkimi. Veprimi është i paligjshëm, pasi nuk është në përputhje me ligjin. Zëvendësimi bëhet vetëm në bazë të ligjit, kur një anëtar jep dorëheqjen kur merret me aktivitet politik apo kur nuk vete më shumë se dy herë në KQZ. Pra kryekëput nuk kishte kërkesë ligjore, por antiligjore nga mazhoranca, që do thotë se juristët e saj nuk e mbronin dot, pasi kishin vetëm argumentet politike. Zgjedhjet kanë filluar të rrezikohet pasi kanë filluar hapat për manipulim the Naço.
Ndryshimet në KQZ, Rama: Dhunë antikushtetuese
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka shprehur qëndrimin e tij kundër propozimit të Partisë Demokratike për të ndryshuar anëtarët në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve pas largimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim nga qeveria. Në rrjetin social Tëitter, Rama e quan dhunë antikushtetuese prekjen e KQZ-së. “Prekja e KQZ-së me dhunë antikushtetuese tregon se ç’regjim do shporrim në 23 qershor e çfarë paniku e ka mbërthyer Saliun në vetminë e madhe! Asgjë s’e shpëton pushtetin e partisë familjare të Saliut, prekja e KQZ rrënon ende më shumë institucionin e zgjedhjeve dhe imazhin e vendit!”, thotë Rama.
PBDNJ: Jemi kundër zëvendësimeve të anëtarëve në KQZ
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut shprehet kundër nismës së Partisë Demokratike për zëvendësimin e anëtarit të LSI-së në KQZ. Sekretari i Përgjithshëm, Ligoraq Karamelo, në një konferencë për shtyp kërkoi ndërprerjen e procedurave për këtë zëvendësim. “Situata parazgjedhore po tensionohet, anëtarët e KQZ-së janë të pavarur politikisht. Të respektohet mandati i anëtarëve të KQZ-së”, deklaroi Karamelo. Lidhur me koalicionet e mundshme parazgjedhor, Karamelo deklaroi se ende nuk është marrë një vendim se në cilin kamp politik do të rreshtohet PBDNJ.
Komisioni i Ligjeve, PD: Ska balancë
në KQZ. PS: Veprim antikushtetues
E gjithë mbledhja e djeshme e Komisionit të Ligjeve është shoqëruar me debate të ashpra mes deputetëve të mazhorancës dhe atyre të opozitës. Deputeti demokrat, Genc Strazimiri lexoi përpara anëtarëve të komisionit, kërkesën e PD-së për lirimin e anëtarit të LSI-së në KQZ. Në bazë të kodit zgjedhor gjysma e anëtarëve të KQZ-së i takon shumicës dhe gjysma tjetër opozitës. Kërkojmë ndarjen në mënyrë të barabartë të administratës zgjedhore. Prishja e baraspeshës me ikjen e LSI-së nga koalicioni cënon standardet e zgjedhjeve. Koalicioni i fundit me këtë formulë është paralajmërim për manipulim, tha Strazimiri. Por kjo kërkesë e demokratëve u kundërshtua nga deputetët socialist, pasi sipas tyre cenon standardet demokratike. Kërkesa e PD është një skandal, nuk ka një nen të Kodi Zgjedhor që ti referohet. Ky është një precedent, sipas të cilit kur ne të vijmë në pushtet, ti fshijmë. Po luani me vullnetin e popullit, ftoj deputetët e mazhorancës të reflektojnë u shpreh, deputeti socialist Fatmir Xhafaj. Ndërsa deputetët Gjiknuri dhe Majko thanë se PD me atë të kësaj kërkese po dëmton një nga shtyllat kryesore, të procesit zgjedhor. Ndërsa kreu i komisionit të ligjeve Ilir Rusmajli është shprehur se procedura e kërkon që komisioni të shprehet në lidhje me kërkesën e grupit të PD-së. Në përfundim të mbledhjes, Komisioni miratoi mes debatesh vetëm me votat e mazhorancës, lirimin e anëtarit të LSI-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Muho. Vendin e Muhos në KQZ pritet ta zërë një nga dy kandidaturat e propozuara nga Partia Republikane.