Rregullat e reja për produktet biocide, Ramosaçaj: Mbrojtje më e mirë e shëndetit të njerëzve, kafshëve dhe mjedisit

TIRANË, 12 shkurt/ATSH/ Komisioni Parlamentar për Ekonominë he Financat miratoi sot ndryshimet në ligjin “Për shërbimet dhe produktet biocide në shëndetin publik”.
Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Entela Ramosaçaj bëri të ditur se qëllimi i këtyre ndryshimeve është harmonizimi i rregullave dhe vendosjen në treg të përdorimit të produkteve biocide, duke i siguruar mbrojtje në nivel më të lartë të shëndetit të njerëzve, kafshëve dhe mjedisit.
“Produkte biocide janë substance apo përzierje që kanë ndikim në mikroorganizmat apo organizmat e gjallë, të dëmshëm për mjedisin, kafshët apo bimët me qëllim shkatërrimin dhe kthimin e tyre në të dëmshmëm”, tha zëvendësministrja.
Zëvendëministrja paraqiti ndryshimet që sjell ky projektligj, krahasuar me ligjin e vitit 2015.
“Zgjerohet qëllimi i ligjit duke siguruar një mbrojtje më të mirë të shëndetit të njerëzve, kafshëve dhe mjedisit gjatë përdorimit të produkteve biocide. Është bërë një referim në legjislacionin e kimikateve për kufuzime si psh për substancë apo përzierje. Është hequr nga përmbajtja e ligjit termi “produkte biocide me rezikshmëri të ulët”, tha ajo.
Sipas saj, ky sugjerim është bërë nga ekspertë të huaj, pasi koncepti i produkteve me rrezikshmëri të ulët nuk ekziston më.
“Është shtuar një paragraf në përkufizimin “lëndë që paraqet shqetësim”, duke saktësuar rastet kur përdorimi i kësaj lënde nuk ka arsye kur duhet të shqetësohemi. Më e rëndësishmja është parashikimi që klasifikimi, etiketimi dhe paketimi i produkteve biocide të realizohen nëpërmjet akteve nënligjore, pasi të miratohet projektligji”, tha Ramosaçaj.
Po kështu, sipas zv/ministres, është riformuluar neni për vendosjen në treg të produkteve biocide.
“Ndryshimi thelbësor i tij lidhet me mënyrën e autorizimit për këto produkte dhe vendosjen e tyre në treg”, tha zv/ministrja.
Pas miratimit të këtij projektligji, theksoi ajo, autorizimi për vendosjen në treg do të lëshohet për ato produkte biocide që prodhohen në vend, por janë të autorizuara paraprakisht për tu përdorur në një nga vendet e BE-së, apo për ato produkte që janë të importuara dhe të autorizurara paraprakisht për përdorim në njërin nga vendet e BE-së, pavarësisht vendit se ku ato prodhohen.
“Vendoset për herë të parë nocioni i autorizimit të kushtëzuar për vendosjen në treg të produkteve biocide. Ky autorizim do të lëshohet gjatë periudhave të pandemisë apo fatkeqësive natyrore, vetëm për poodukte që janë të autorizuara në vendet e BE-së“, theksoi më tej zv/ministrja.
Njëkohësisht, vijoi Ramosaçaj, është shtuar një kërkesë për tregtimin me shumicë dhe pakicë për të pasur një drejtues teknik me kualifikime, me të cilat i kërkon ky projektligj si në mjekësi, shëndet publik apo agronomi.
“Përjashtim bëhet vetëm për një kategori të caktuar të produkteve biocide, kur ato përdoren për shërbime dhe përdorim vetjak”, tha zv/ministrja.
Sipas saj, është përcaktuar që përmes VKM-ve të detajohen tërësisht edhe rregullat për transportin e tyre, përveç paketimit, ambalazhimit dhe etiketimit.
Zëvendësministrja tha se është parashikuar edhe ngritja e një strukture pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për menaxhimin e këtyre produkteve.
“Kemi parashikuar ngritjen e një strukture të posaçme në MSHMS për biocidet, pasi deri në këto momente ne kemi specialistë që në bashkëpunim edhe me specialistë e ekspertë në nivel teknik në ISHP, bashkëpunojnë për dhënien e autorizimit dhe vendosjen në treg, pasi verifikojnë këto produkte që hyjnë në Shqipëri. Kjo strukturë do të jetë e dedikuar për biocidet”, tha ajo.
Më tej, Ramosaçaj vuri në dukje se është rikonceptuar edhe Komisoni i Biocideve, si në përbërje edhe në vendimmarrje.
“Deri tani ka pasur rol këshillues në MSHMS. Roli i tij nga rekomandues, do të jetë vendimmarrës, lidhur kjo edhe me ekspertizën e ekspertëve që do të jenë në përbërje të këtij komisioni. Nga ana tjetër, ky projektligj, sa i përket përputhjes me legjislacionin e BE-së, në fakt nuk synon përafrimin. Projektaktet që do të dalin do të jenë të detajuara dhe do të përafrojnë gjithçka me direktivën europiane”, u shpreh zv/ministrja. /j.p/