E Diel, 1 Nëntor 2026

Rreh gruan, kanos dhe policët me sëpatë

15/07/2009  Arrestohet në flagrancë 60-vjeçari. Gruaja e denoncoi në polici

POGRADEC- Së fundi 60-vjeçari Polikron Lilo, banor i qytetit të Pogradecit, është arrestuar nga policia e këtij rrethi, pasi që prej shumë kohësh ishte kthyer në dhunues të bashkëshortes së vet. Mësohet se në momentin e arrestimit, 60-vjeçari kishte sulmuar me sëpatë uniformat blu, me synimin për të mos iu bindur urdhrave të tyre, por që nuk ka mundur t’ia dalë dot mbanë. Tashmë ai do të ndiqet penalisht jo vetëm për veprën penale të kanosjes, e cila përbënte dhe zanafillën e kësaj historie, por edhe për atë të kundërshtimit të punonjësve të policisë së rendit publik.

Dhuna

Ndërkohë mësohet gjithashtu se 60-vjeçari ushtronte dhunë të herëpashershme ndaj bashkëshortes së tij duke e kërcënuar atë, ndërsa kjo e fundit asnjëherë nuk kishte pasur dëshirën ta denonconte bashkëshortin e vet, duke menduar se një ditë burri i saj do të hiqte dorë nga kanosjet e vazhdueshme. Ndryshe nga sa kishte shpresuar gruaja, 60-vjeçari sërish i ishte rikthyer dhunës duke e rrahur dhe kanosur atë se do ta vriste. E ndodhur në këto rrethana, bashkëshortja e 60-vjeçarit duke mos gjetur një rrugë tjetër shpëtimi i ishte drejtuar komisariatit të policisë, duke e denoncuar të shoqin për veprën penale të kanosjes. Duket se 60-vjeçari nuk e kishte besuar ndonjëherë se do të ishte e shoqja e tij, ajo që do ta denonconte në polici për çka ndodhte brenda mureve të shtëpisë së tyre, ashtu siç nuk e kishte besuar se mund të arrestohej nga policia pse ai kishte rrahur gruan e vet. Megjithatë, burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se, “60-vjeçari u arrestua në flagrancë një ditë më parë në orën 14.30 minuta. Arrestimi i tij u bë pasi po në këtë datë, bashkëshortja e tij kishte bërë një kallëzim penal ndaj bashkëshortit të vet, ku kishte deklaruar se, “burri i saj, P. L., e kishte kanosur atë në mënyrë sistematike”. Për këtë arsye forcat e policisë, fill pas marrjes së deklarimeve, kishin shkuar në banesën e shtetasit të mësipërm, me qëllim për ta shoqëruar për në komisariat, por 60- vjeçari kishte bërë rezistencë, madje për të realizuar mosbindjen kishte përdorur edhe një sëpatë, kanë pohuar burimet e policisë. Nisur nga situata e mësipërme, e krijuar nga vetë 60-vjeçari, nga ana e policisë janë kryer veprimet procedurale për veprat penale të “kanosjes” dhe të “kundërshtimit të punonjësve të policisë të rendit publik”, parashikuar nga neni 84 dhe 236/1 i Kodit Penal, ndërsa çështja e tij tashmë ndodhet në Prokurorinë e rrethit gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme. Nga të njëjtat burime mësohet se çifti vitet e fundit ishin vendosur në qytetin e Pogradecit për një jetë më të mirë. Megjithatë, duket se pas vendosjes në këtë qytet, në lagjen nr 2 të tij, njëherazi kishin filluar edhe mosmarrëveshjet mes tyre, çka i çoi bashkëshortët në këtë situatë të padëshiruar prej tyre.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›