E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasjet për rritjen ekonomike

15/07/2009  Banka Qendrore pretendon ritme të ulëta rritjeje, në të kundërt me të dhënat paraprake të INSTAT-it

Parashikimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar për këtë vit është 0.4 për qind

Rritja ekonomike duket se ka vënë në përplasje shifrash tre institucione. Banka Qendrore pretendon se këtë vit do të ketë ritme të ulëta rritjeje, duke marrë për bazë edhe parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili nuk jep më shumë se 0,4 për qind rritje për vendin tonë këtë vit. Në të kundërt, konstatimet e INSTAT-it për periudhën e parë të vitit rezultojnë më optimiste, në 6 për qind. Edhe pse këto të dhëna janë paraprake, nuk shkojnë në të njëjtën linjë me parashikimet e mbikëqyrësve.

Raporti i Stabilitetit

Në raportin e Stabilitetit Financiar, ekspertët parashtrojnë se gjatë muajve të parë të 2009-s aktiviteti ekonomik i vendit është ngadalësuar. Shkak ka qenë kriza ekonomike botërore. “Zhvillimet e tremujorit të fundit të vitit 2008, si edhe të muajve të parë të vitit 2009 tregojnë që rritja ekonomike për këtë vit, ndonëse pritet të jetë pozitive, do të jetë e ulët. Arsyet lidhen me rënien e kërkesës së brendshme, për shkak të rënies së të ardhurave të agjentëve të brendshëm ekonomikë dhe me uljen e ndjeshme të financimit nga ana e sektorit bankar në vend”,- ka deklaruar Guvernatori Fullani. Sipas raportit, portofoli i kredive arriti vlerën 396.8 miliardë lekë, duke zënë rreth 37 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kjo tepricë evidenton një rritje me 104.3 miliardë lekësh ose rreth 36 për qind.

Situata alarmante

Ka qenë vetë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë që paralajmëroi disa ditë më parë një situatë alarmante ekonomike gjatë vitit 2009. Sipas Guvernatorit Ardian Fullani, sektorë të shumtë të ekonomisë janë prekur totalisht nga kriza ekonomike dhe do të shfaqin rezultate negative. “Kjo është pasojë e rënies së të ardhurave të veprimtarisë, për shkak të rënies së vëllimit të veprimtarive me normë fitimi të lartë dhe rritjes së kostove të veprimtarisë, veçanërisht prej rritjes së fondeve rezervë për të përballuar humbjet e mundshme nga kreditë. Rënia e rezultatit financiar neto, do të thotë që sektori bankar do të ketë më pak burime të brendshme për të mbështetur veprimtarinë dhe për të rritur kapitalin”, - deklaroi Guvernatori. Bankat mund të provojnë humbje financiare dhe kjo do të përkthehej në pakësim të fondeve të veta. Guvernatori Fullani kërkoi nga autoritetet publike të synojnë ruajtjen e qëndrueshmërisë së treguesve makroekonomikë dhe financiarë. “Në kuadër të politikës fiskale, ruajtja e kufirit të deficitit buxhetor i shërben uljes së kostos së financimit, çlirimit të hapësirave financuese për sektorin privat dhe zbutjes së presioneve mbi deficitin e llogarisë korente”, -tha ai.

Sektorët e ekonomisë

Sipas raportit, gjendja financiare e firmave në sektorët e industrisë dhe shërbimeve ka një rënie të konsiderueshme sidomos gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit, duke nënkuptuar se rreziku i kredisë në lidhje me këta sektorë mund të jetë rritur. “Vrojtimi në sektorin e ndërtimit tregon se gjendja financiare e firmave të ndërtimit është përkeqësuar gjatë gjashtëmujorit të dytë, ndonëse ajo mbetet mbi mesataren e tre viteve të fundit. Situata financiare e individëve, e shprehur nga treguesi i situatës financiare aktuale dhe të pritshme, gjithashtu dëshmon për një rënie të kursimeve dhe një rrezik më të madh të përkeqësimit të cilësisë së kredisë për individët. Në veçanti, sektorët e industrisë dhe të shërbimeve paraqesin pritshmëri negative për tremujorin e parë të vitit 2009, ndërkohë që gjendja në sektorin e ndërtimit paraqitet më optimiste. Gjithashtu dhe blerjet totale nga individët pritet të jenë më të ulëta gjatë tremujorit të parë të vitit 2009”, - thekson raporti. Prirja e kërkesës aktuale dhe të pritshme për sektorët e industrisë, të shërbimeve dhe të ndërtimit, por edhe prirja e konsumatorëve për blerjet e ardhshme, paraqet një ecuri në rënie. Sipas ekspertëve, pritjet për një ecuri jo të mirë të kërkesës dhe të blerjeve, paraprijnë frenimin e prodhimit dhe shpenzimeve, duke ndikuar negativisht në zhvillimin e ekonomisë. Të gjithë treguesit, shfaqin një përkeqësim të përgjithshëm të situatës financiare të sipërmarrjeve të biznesit dhe të familjeve, i cili pritet të vazhdojë të paktën në afat të shkurtër. “Ky përkeqësim, reflekton rënie të kërkesës për mallra, rënie të investimeve për shkak të mundësive më të vogla për financim, si edhe nxit nevojën për një përshtatje të modelit të kursim-shpenzimit në drejtim të rritjes së kursimeve. Nëse ky proces do të jetë i fortë, ekziston rreziku që ai të nxisë një spirale vetëforcuese, ku rrezikohet hyrja në një cikël të vazhdueshëm të rënies së investimeve dhe rënies së kërkesës për mallra, me pasoja negative në situatën financiare të sipërmarrjeve dhe në nivelin e punësimit”, – thekson raporti.

Sistemi financiar

Gjatë vitit 2008, veprimtaria e sistemit financiar dhe sektorit bankar është rritur me ritme më të ulëta. Në raportin e Stabilitetit Financiar ekspertët e Bankës së Shqipërisë vërejnë se ecuria e aktivitetit ka ndjekur një dinamikë të ndryshme gjatë vitit. Niveli i ndërmjetësimit financiar, i vlerësuar si raport i aktiveve të sektorit financiar ndaj PBB-së është rritur në 82 për qind në fund të vitit 2008, kundrejt 79.4 për qind në fund të vitit 2007. Në strukturën e aktiveve të sistemit financiar, bankat luajnë rolin kryesor. Në fund të vitit 2008 aktivet e 16 bankave përfaqësonin rreth 95.4 për qind të totalit të aktiveve të sistemit financiar dhe rreth 78 për qind të PBB-së. Gjatë vitit 2008 vijoi rritja e veprimtarisë së sektorit bankar, e cila e shprehur në totalin e aktiveve të sistemit arriti në 843.1 miliardë lekë ose 12.4 për qind më e lartë se një vit më parë.

Rritja e 2008-s

Gjatë vitit 2008, rritja ekonomike e vendit ishte e qëndrueshme dhe në përputhje me parashikimet, e mbështetur prej rritjes së shpenzimeve publike dhe inercisë së vëllimeve të larta të financimit nga ana e sektorit bankar. Edhe rezultati financiar i sektorit bankar gjatë vitit 2008, ishte pozitiv, por më i ulët se një vit me parë. Me gjithë uljen e rezultatit financiar, paqëndrueshmërinë e depozitave dhe rënien e cilësisë së portofolit të kredisë, treguesit e likuiditetit dhe të kapitalizmit të veprimtarisë së sektorit bankar, vlerësohen në nivele të mira.

Sektori bankar në rënie

Rezultati financiar i sektorit bankar gjatë vitit 2009 do të vazhdojë rënien. Raporti i BSH-së tregon se në fakt kjo është pasojë e rënies së të ardhurave të veprimtarisë, për shkak të rënies së vëllimit të veprimtarive me normë fitimi më të lartë dhe rritjes së kostove të veprimtarisë, veçanërisht prej rritjes së fondeve rezervë për të përballuar humbjet e mundshme nga kreditë. “Rënia e rezultatit financiar neto do të thotë që sektori bankar do të ketë më pak burime të brendshme për të mbështetur veprimtarinë dhe për të rritur kapitalin”,- thuhet në raport.

Parashikimi sipas FMN-së

Vlerësimet paraprake të FMN-së tregojnë një rritje ekonomike midis 0 dhe 1 për qind. Për këtë arsye, sipas raportit të Stabilitetit Financiar të Bankës së Shqipërisë, mundësitë për zgjerim të veprimtarisë së sistemit financiar do të jenë më të kufizuara dhe rezultati i tij financiar do të jetë më i ulët gjatë 2009-s. Zhvillimet e tremujorit të fundit të vitit 2008 dhe muajve të parë të vitit 2009, tregojnë që rritja ekonomike për vitin 2009, ndonëse pritet të jetë pozitive, do të jetë më e ulët. “Arsyet e ngadalësimit të rritjes ekonomike lidhen me rënien e kërkesës së brendshme, për shkak të rënies së të ardhurave të agjentëve të brendshëm ekonomikë që ndërveprojnë me tregjet ndërkombëtare, mungesës së hapësirës për një politikë fiskale ekspansioniste dhe uljes së ndjeshme të financimit nga ana e sektorit bankar”, - thekson raporti.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›