Rrëmbehet emigrantja 18-vjeçare në Athinë
Një 51-vjeçare ka denoncuar rrëmbimin prej 1 muaji në Athinë të vajzës së saj 18-vjeçare. Gruaja denoncoi të afërmit e tutorit, që është dënuar për shfrytëzimin e së bijës. Antitrafiku i kërkon ndihmë policisë greke.
TIRANE Një 51-vjeçare ka alarmuar policinë e Tiranës, pasi ka denoncuar rrëmbimin prej 1 muaji në Athinë të vajzës së saj 18-vjeçare. Alarmi bëhet edhe më shqetësues për policinë, pasi Diana Ruçi akuzon se autorë të rrëmbimit janë të afërm të tutorit të vajzës, i cili është i dënuar nga gjykatat greke me 8 vjet burg për shfrytëzim prostitucioni. Skuadra e antitrafikut në Drejtorinë e Policisë së Tiranës ka marrë përsipër zbardhjen e ngjarjes së rëndë. Denoncimi është bërë nga vlonjatja Diana Ruçi, mëngjesin e së shtunës. Vajza e saj quhet Elidona dhe është 18 vjeçe. Dyshimet janë se vajza po mbahet peng për të dëshmuar pro tutorit në gjyqin e apelit.
Historia
Diana, në deklarimet e saj në polici, është shprehur se për të njëjtën ngjarje ka bërë denoncim edhe në policinë e Athinës. Ajo është shprehur se në Greqi ndihet e kërcënuar nga të afërmit e Rrapi M., nga Vojvodë e Beratit. Diana ndodhet familjarisht prej 13 vitesh në Greqi, ku punon dhe jeton e pajisur me leje të rregullt qëndrimi. Kalvari i vuajtjeve të Dianës do të fillonte tre vjet më parë, kur Rrapi i mashtroi të bijën. U lidh me të dhe më pas e detyroi të ushtronte prostitucion kundrejt pagesës, dhe paratë e fituara ia merrte. Rrapi është arrestuar në vitin 2006, për akuzën e detyrimit dhe shfrytëzimit të Elidonës për prostitucion në Greqi. E ëma 51-vjeçare i druhet faktit se vajza e saj mund të jetë rrëmbyer për motive hakmarrjeje nga të afërmit e Rrapit, për shkak të dënimit të tij.
Hetimet
Me të marrë sinjalizimin përkatës, oficerët e policisë gjyqësore të skuadrës së antitrafikut në Policinë e Tiranës kanë nisur të bëjnë verifikimin e vendndodhjes së personave që Diana dyshon se kanë lidhje me rrëmbimin e vajzës. Burime policore janë shprehur se të dyshuarit kryesorë gjenden në Greqi. Policia i ka referuar çështjen Prokurorisë së Rrethit, e cila pritet të gjejë rrugët e bashkëpunimit me policinë greke përmes kanaleve zyrtare. Policia ka siguruar Dianën, që do ketë përkrahjen dhe mbrojtjen e uniformave blu në rast kërcënimesh të mundshme në atdhe për shkak të kërkimit të së bijës.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)