E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana, 8 vjet me të njëjtin dekor për festa

Nga Ermelinda Hoxhaj
Kryeqyteti po bën 8 vjet radhazi që po e zbukurojnë me të njëjtin dekor për Vitin e Ri. Me përjashtimin e disa ndryshimeve të vogla, pamja e qytetit për çdo fundviti mbetet e njëjtë. 

TIRANE- Ardhja e 2009-ës në Tiranë do të pritet me të njëjtat zbukurime që janë përdorur edhe tetë vite më parë. Me sa duket buxheti i Bashkisë nuk e përballon dot blerjen e stolisjeve të përvitshme, siç bëhet çdo vit në kryeqytetet e tjera europiane. Kryeqyteti i vendit tonë edhe këtë vit do të zbukurohet me po të njëjtin dekor, veçse këtë herë është akoma më i vjetruar se një vit më parë. Figurave, në pjesën më të madhe nuk iu ndizen të gjitha dritat, kjo pasi gjatë vendosjeve dhe heqjes sërish ato dëmtohen. Por sipas informacioneve nga Bashkia e Tiranës, edhe këtë vit nuk do të mungojnë risitë në dekorimin e qytetit. Pasi në bulevardin kryesor "Dëshmorët e Kombit", nuk do të vendosen vetëm dritat mbi pemë, por do të fiksohen edhe figura të ndryshme me drita; kryesisht ato do të jenë në formën e yjeve, por nuk do të kenë të njëjtën madhësi. Risi gjithashtu do të ketë edhe në rrugën e Durrësit dhe "Luigj Gurakuqi". Sipas burimeve, këto zbukurime kanë ardhur si dhuratë nga shteti fqinj, Italia. Pra edhe kësaj here Bashkia, ato pak ndryshime që do bëjë në dekorin tashmë tejet të vjetruar të vitit të ri, i ka dhuratë dhe nuk po shpenzon asnjë monedhë për të. Dhe pema e Vitit të Ri, e cila është vendosur pranë sheshit "Europa", përballë godinës së Bashkisë, po shënon vitin e 3-të që po përdoret. Normalisht ajo duke qenë pemë artificiale, ishte deklaruar edhe më parë që do përdorej disa vite për dekorin e Bashkisë. Por këtë vit do të ketë ndryshime në zbukurimin e saj, pasi do t'i shtohen dritat dhe llojet e zbukurimeve që përdoren për pemën. Pjesë e stolisjeve të kësaj peme do të janë 4.500 drita, të cilat më datë 16 dhjetor do të ndizen në mënyrë simbolike nga kryetari i Bashkisë, pasi është një ceremoni që bëhet në të gjitha vendet e botës. Pikërisht në këtë datë, çdo pemë e Vitit të Ri duhet të ndezë dritat. Atmosferës festive të kësaj peme me lartësi prej 13 metrash, i mungojnë 12 drerët dekorativë që kanë qenë edhe një vit më parë, por sipas burimeve nga Bashkia e Tiranës, drerët do të vendosen në vazhdim të javës që vjen, ndërkohë që pema u vendos dje.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›