Rrënjët e Kthimit
Para pak ditësh një lajm i mirë erdhi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në Festivalin e Filmit ‘Sundance’ u shpërblye edhe një film nga Kosova. ‘Kthimi’ (The Return) mori çmimin e parë në kategorinë për filmin më të mirë të shkurtër të huaj.
Në skenë, për ta marrë çmimin, dolën regjisorja e filmit Blerta Zeqiri dhe producenti Blerim Gjoci. Ata i falënderuan ata që kanë ndihmuar në bërjen e këtij filmi por një emër e harruan. Është ky Shefqet Gjocaj, skenarist i filmit. Në fakt, po të mos ishte Gjocaj nuk do ta kishim këtë film.
Gjocaj, i cili pos si skenarist, ka të kryer edhe arkitekturën, tregon se si kishte konkurruar me skenarin ‘Kthimi’ në festivalin Nine Eleven. Autor i disa skenarëve të metrazhit të shkurtë, Gjocaj thotë se ‘Kthimi’ është një prej skenarëve për të cilin ai është inkurajuar nga të gjithë kolegët e tij.
“Profesori i skenarit Zymer Kelmendi më ka thënë se ky është një skenar që po të filmohet mesatarisht mund t’i arrijë gjithë festivalet botërore. Tash po bindem që ai ka pasur të drejtë. Edhe disa kolegë të mi që e kanë lexuar skenarin më kanë thënë po ashtu. Edhe ka ardhur konkurrimi në ‘Nine Eleven’. Është pranuar, është pëlqyer. Pastaj ka pasur një rrugë të negociatave me regjisorë të ndryshëm, kush ta bëjë dhe në fund është vendosur për Blerta Zeqirin”, tregon Gjocaj.
Tema e filmit është një temë e ndjeshme, që flet për pasojat e luftës. Kryesisht trajtohen të pagjeturit por edhe viktimat e dhunimeve. Personazhet janë njëri i marrë si rob lufte, ndërsa gruaja e tij është viktimë e dhunimit.
Ky film në festivalin ‘Nine Eleven’, vitin e kaluar, i ka marrë gjashtë çmime. Është shpërblyer si filmi më i mirë, për regjinë më të mirë, për skenarin më të mirë, për rolin kryesor të femrës, të cilin e ka luajtur Adriana Matoshi, për kamerën më të mirë dhe për montazhin më të mirë.
Gjocaj nuk e fsheh entuziazmin që ka pasur kur e ka marrë lajmin se filmi është përzgjedhur për të marrë pjesë në festivalin Sundance. Ai madje këtë e ka konsideruar si suksesin më të madh, duke mos besuar se filmi do të arrijë të shpërblehet.
“Fakti se në mesin e 7675 aplikacioneve ky është përzgjedhur për konkurrencën zyrtare për të marrë pjesë në mesin e 46 filmave, unë kam kujtuar se ky është çmimi i mjaftueshëm për të. Realisht s’kam pasur pritje të mëdha.
Ky fakt mua më ka entuziazmuar dhe më është dukur sukses i mjaftueshëm që në të vërtet është për faktin e thjeshtë se është filmi i parë shqiptar prej gjitha hapësirave shqiptare që merr pjesë në festivalin Sundance ose në një festival kaq prestigjioz”, tha Gjocaj. Mirëpo, është ndier paksa i anashkaluar kur ka parë se nuk i është përmendur emri pothuajse askund, edhepse në websajtin e festivalit kanë figuruar vetëm dy emra: i tij dhe i regjisores.
Këtë anashkalim ai e shpjegon me faktin se skenaristët nuk përmenden edhe aq shumë kur bëhet fjalë për filma.
“Konsideroj se ka disa fakte që jo fort iu shkojnë në favor skenaristëve. Skenaristët përgjithësisht nuk përmenden askund në botë aq shumë dhe nuk njihen. Skenaristët paguhen për punën e tyre, e bëjnë punën e tyre dhe rrallë njihen”, u shpreh Gjocaj. Mirëpo, në rastin e tij puna është ndryshe.
“Në rastin tonë është e kundërta. Këtu nuk ka të bëjë me angazhimin e skenaristit për të bërë një punë dhe të paguhet për punën e tij. Skenaristi i bën të gjitha punët. Në këtë rast, për një kohë të gjatë e kam kryer edhe rolin e producentit, komplet jam munduar ta gjej produksionin, regjisorin e ku ta di unë. Do të thotë jam marrë edhe me punë që nuk më kanë takuar”, tha ai, duke mos lënë pa i kritikuar edhe disa nga mediat, ndonjëra prej të cilave ka raportuar gabimisht se skenarist i filmit është Blerim Gjoci.
“Menjëherë pas suksesit të filmit në Nine Eleven regjisorja dhe producenti i filmit kanë qenë non stop nëpër televizione. Asnjëri as edhe një herë nuk e ka përmendur se kush është autori i skenarit. Gazetarët pastaj e kanë harruar këtë fakt. E di që më shumë se gjysma e mediave në Kosovë nuk e kanë përmend fare autorin e skenarit edhepse skenari ka qenë i shpërblyer në këtë festival. Madje disa media kanë shkruar se skenarist është Blerim Gjoci. Blerimi ka qenë i involvuar në film por jo në rolin e skenaristit por në atë të producentit”, tha Gjocaj, duke shtuar se nëse flitet për një rrëfim të suksesshëm duhet të fillohet prej ku nis rrëfimi. Sipas tij, rrëfimi nis me skenarin.
“Është punuar skenari, e kam përpunuar, kam punuar dy vjet në të, kam konkurruar në konkursin e festivalit Nine Eleven dhe aty ka fituar skenari, pa produksion. Më vonë është bërë produksioni dhe është gjetur regjisori”, shtoi ai.
Gjocaj tregoi se është duke punuar në një skenar të metrazhit të gjatë edhe pse, sipas tij, nuk ka shumë vullnet të punohet skenari i metrazhit të gjatë sepse ekziston një rregull në Kosovë që mund të bësh film të metrazhit të gjatë vetëm nëse fiton në konkursin e QKK-së që bëhet një herë në vit. E aty, ai thotë se ka probleme të natyrave të ndryshme.
“Po e marrim një shembull. Vitin e kaluar kam dashur të konkurroj në QKK me këtë temë, por unë s’kam pasur produksion timin. Prandaj unë nuk kam mundur të konkurroj me skenar që konsideroj që është gabim sidomos për film të metrazhit të shkurtë. Konsideroj se QKK duhet të hapë konkurs për skenar pastaj t’i gjejë produksionet”, tha Gjocaj.
Edhe ky skenar si temë e ka atë të luftës, për të cilën ai konsideron se nuk është shterur ende. Gjithashtu ai thotë se tema e luftës nuk është trajtuar në mënyrë dinjitoze. Ndoshta rrëfimi i suksesshëm i ‘Kthimit’, në njëfarë forme, e bënë atë të besojë se dalëngadalë ka nisur të shpërfaqet para botës ajo periudhë dhe ajo dramë e rëndë që e ka përjetuar populli ynë. Megjithëkëtë, Gjocaj nuk e ka ndërmend që t’i shmangët kësaj teme dhe filmi i metrazhit të gjatë në të cilin ai është duke punuar e ka temën e pasluftës në Kosovë.