Tahiri: S'hoqëm dorë nga sovraniteti dhe Republika
Pas takimit me Cooper, Tahiri ka akuzuar disa media, duke thënë se ajo asnjëherë nuk ka pranuar që do heqin dorë nga Republika. Ka përmendur se në deklaratat e saj gjithmonë e ka thënë se në bashkëpunimin rajonal do të përdoret modeli i Maqedonisë, që siç thotë ajo, Maqedonia nuk e ka heq Republikën.
U është përgjigjur edhe Vetëvendosjes për grafitet “Kosova Republikë”, duke u thënë se nuk kanë bërë asnjë lloj tërheqje dhe as që do të bëjnë ndonjëherë, madje sipas kryenegociatores, Vetëvendosja është ajo që ka bërë tërheqje nga opsioni i saj për bashkim.
Tahiri ka theksuar po ashtu se Serbia vazhdon të insistojë në rezolutën 1244, e që për Kosovën është e papranueshme.
Takimi i ndërmjetësit në bisedime Robert Cooper me kryenegociatoren, Edita Tahiri, nuk ka sjellë asnjë rezultat, për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale.
Shefja e ekipit negociues të Kosovës, Edita Tahiri, theksoi se qëndrimet janë shumë larg njëra tjetrës dhe Kosova nuk do të heq dorë nga sovraniteti i saj, gjatë pjesëmarrjes në takimet rajonale. Sipas saj, Serbia po vazhdon të insistojë në rezolutën 1244.
Kryenegociatorja Edita Tahiri, tha se ka kërkuar nga ndërmjetësi Cooper implementimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri tash. Ajo ka akuzuar Serbinë për mos zbatim të tyre dhe ndërhyrje në punët e brendshme të Kosovës.
Për shkak të qëndrime të kundërta, ende nuk dihet se kur do të mbahet takimi i radhës në Bruksel ndërmjet Delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë.