Rrëshqet Shqipëria

Kjo pasi kuqezinjtë të premten mbrëma janë mposhtur midis Tiranës me rezultat 1:2 nga Islanda, në kuadër të Grupit E.
Skuadra e Gianni De Biasit triumfoi në posedim të topit dhe në gjuajtje drejt portës, por në fund Islanda befasoi duke u stolisur me fitore.
Në fakt, Islanda e nisi mirë takimin, ngase ka kaluar e para në avantazh prej 0:1 në minutën e 19-të me golin që e ka shënuar Saevarsson, pas një gabimi të mbrojtësve shqiptarë, posaçërisht portierit, Samir Ujkani.
Pas këtij goli të pësuar, kuqezinjtë i shtuan përpjekjet për t’i barazuar shifrat, dhe dalëngadalë e morën lojën nën kontroll.
Fillimisht ata i humbën dy raste të njëpasnjëshme, derisa golin e barazimit e shënuan në minutën e 29-të. Realizues ishte Edgar Çani, kur e mori një pasim të shkëlqyeshëm nga Alban Meha.
Edhe pas këtij goli të shënuar, Shqipëria ka dominuar deri në fund të pjesës së parë, por që nuk shënoi më.
Duhet theksuar se gjatë pjesë së parë në Tiranë pati reshje të mëdha të shiut, me ç’rast fusha e blertë e stadiumit ‘Qemal Stafa’ u mbushë përplot me ujë.
Megjithatë, pjesa e dytë filloi, por me rreth 20 minuta vonesë, derisa punëtorët e stadiumit e larguan sado pak ujin e mbledhur në fushën e blertë. Por, kjo ua pamundësoi ekipeve ta aplikonin lojën më të mirë të tyre.
Megjithatë, Shqipëria e vazhdoi dominimin edhe gjatë kësaj pjesë-loje, madje duke e kërcënuar shumë seriozisht dy herë portën e mysafirëve – fillimisht nëpërmjet Armando Sadikut, e pastaj nëpërmjet Odise Roshit.
Kur kuqezinjtë avanconin me të madhe në kërkim të golit të fitores, Islanda në minutën e 82-të e përfitoi një gjuajtje të lirë, prej të cilës shënoi gol dhe fitore me rezultat 1:2. Golin nga ndërprerja e realizoi në mënyrë përfikte Sigurdsson.
Goli i tij e shokoi Shqipërinë. “Është për të ardhur keq që e humbëm një ndeshje, në të cilën luajtëm shumë më mirë sesa kundërshtari”, tha pas takimit trajneri i kuqezinjve, Gianni De Biasi.
Shqipëria tani mbetet në kuotën e tri pikëve, prej tri ndeshjeve të zhvilluara, derisa të martën do ta pret Slloveninë