E Shtunë, 31 Tetor 2026

‘Nxehtë’ në Moskë

Rusia njihet për temperatura të ulëta, por të premten pasdite pritet të jetë mjaft nxehtë. Skuadra e Fabio Capellos pret Portugalinë e Cristiano Ronaldos në kryendeshjen e xhiros së tretë të fushatës kualifikuese të zonës evropiane për Kampionatin botëror 2014. Në duelet e tjera, Zvicra luan kundër Norvegjisë me synim të shtojë epërsinë në Grupin E, kurse kampioni në fuqi, Spanja paraqitet si mysafire e Bjellorusisë.

Xhiroja e tretë e fushatës kualifikuese të kontinentit të Evropës për Kampionatin botëror zhvillohet të premten. Duele të shumta, prej të cilave mjaft interesante do të vënë përball ekipe konkurrente për sigurimin e pjesëmarrjes në Brazili 2014, me kryendeshjen që zhvillohet në Moskë, ku Rusia pret Portugalinë.

Por, të shkojmë grupeve me radhë. Në Grupin A që konsiderohet si një prej më të barabartëve, selektori i Belgjikës, Marc Wilmots nuk do të mund të llogaritë në të lënduarin Marouane Fellaini për udhëtimin në Serbi. Kurse, një duel tjetër i po këtij grupi vë përballë Maqedoninë dhe Kroacinë.

Italia viziton Armeninë në kuadër të Grupit B në kërkim të këndelljes pas barazimit me Bullgarinë, skuadër që do të jetë nikoqir i Danimarkës që ka mposhtur Armeninë dhe i ka dhënë frikë Azzurrëve. Republika Çeke ndeshet me Maltën. Gjermania do të kërkojë fitoren e tretë të njëpasnjëshme në udhëtimin e vështirë në Dublin. Republika e Irlandës pritet të shërbejë sfidë të fuqishme për skuadrën e Joachim Lowit.

Suedia është mysafire e Ishujve Faro, kurse Kazakistani ndeshet me Austrinë në ndeshjet e tjera të Grupit C. Në Grupin D, pritet që Holanda të përmirësojë golaverazhin kundër Andorrës, kurse Turqia do të ballafaqohet me skuadrën ambicioze të Rumanisë. Ndërsa, Estonia është nikoqire e Hungarisë. Zvicra, ekipi i vetëm me bilanc të qindpërqindtë në Grupin E, ka mundësi të shtojë epërsinë nëse mposht Norvegjinë, që pësoi humbje të befasishme nga Islanda, në duelin e kaluar. Sllovenia do të kërkojë tri pikë kundër Qipros, kurse Shqipëria pret Islandën.

Në stadiumin Luzhniki në Moskë, Rusia pret Portugalinë në përballjen e dy skuadrave më të fuqishme të Grupit F. Fabio Capello ka fituar dy duelet e para të tij në detyrën e selektorit të Rusisë duke shënuar gjashtë gola dhe pranuar vetëm një. Kurse, Portugalia, pas fitores së mundimshme 2-1 në Luksemburg, mundi bindshëm Azerbajxhanin 3-0 në përballjen e dytë. Dueli në Moskë jep mundësinë për marrjen e primatit në grup. Në duelin tjetër, Luksemburgu pret Izraelin.

Greqia kurrë nuk ka humbur nga Bosnja dhe Hercegovina, por duhet të ketë kujdes prej saj në përballjen e tyre në Grupin G. Boshnjakët paraqesin kërcënim të madh, sidomos në sulm me treshen Edin Dzeko, Zvjezdan Misimovic dhe Vedad Ibisevic, dhe kanë realizuar 11 gola në dy ndeshjet e para. Lihtenshtajni është nikoqir i Lituanisë, kurse Sllovakia pret Letoninë në duelet tjera të këtij grupi.

Në Grupin H, Anglia pret San Marinon në Wembley. Për shkak të lëndimeve të Phil Jones dhe Chris Smalling të përcjellë nga tërheqja e John Terryt, selektori Roy Hodgson mund të aktivizojë dyshen Phil Jagielka-Joleon Lescott në qendër të mbrojtjes. Në duelin tjetër, Ukraina është mysafire e Moldavisë. Kampioni në fuqi i botës dhe i Evropës, Spanja udhëton në Bjellorusi me misionin e vazhdimit të serisë prej 21 ndeshjeve pa humbje. Selektori Vicente del Bosque ka shumë opsione në dispozicion, duke përfshirë sulmuesit David Villa, Fernando Torres dhe Roberto Soldado.

Grupi A

Maqedonia-Kroacia 20:30

Serbia-Belgjika 20:30

Uellsi-Skocia 20:45

Grupi B

Rep. Çeke-Malta 18:00

Armenia-Italia 19:00

Bullgari-Danimarka 20:00

Grupi C

Ishujt Faro-Suedia 18:00

Kazakistani-Austria 18:00

Rep. e Irlandës-Gjermania 20:45

Grupi D

Turqia-Rumania 19:30

Estonia -Hungaria 20:30

Holanda-Andorra 20:30

Grupi E

Shqipëria-Islanda 19:00

Zvicra-Norvegjia 20:30

Sllovenia-Qiproja 20:45

Grupi E

Rusia-Portugalia 17:00

Luksemburgu-Izraeli 21:00

Grupi G

Lihtenshtajni-Lituania 19:30

Sllovakia-Letonia 20:15

Greqia-Bosnja 20:45

Grupi H

Moldavia-Ukraina 20:00

Anglia-San Marinoja 21:00

Grupi I

Finlanda-Gjeorgjia 17:30

Bjellorusia-Spanja 20:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›