Rrëshqitje në Kavajë, 3 familje ndodhen në rrezik
Rishfaqet fenomeni i rrëshqitjeve të tokës në fshatrat e Komunës Synej në rrethin e Kavajës.
Situatë e vështirë gjeologjike paraqitet në fshatrat Bago, Peqinaj e Bardhor, ndërkohë që rrëshqitja e dherave po bëhet masive edhe në fshatin Domen të komunës së Kryevidhit.
Shqetësimi i rrëshqitjeve të tokës është ngritur disa ditë më parë, ndërsa në masë lëvizja e dherave ka rinisur mbrëmjen e së dielës.
Më e rënduar situata paraqitet në lagjen e Shehellarëve ku 3 familje ndodhet në rrezik potencial.
Dhjetra banesa të tjera janë të rrezikuara në të gjithë rrethin.
Ndërkaq, mësohet se të paktën 8 familje janë detyruar të largohen nga banesat pasi ndjehen të rrezikuar nga rrëshqitja e dherave.
Probleme gjithëashtu po hasen edhe në disa segmente rrugore, ku po shënohen vështirësi në lëvizjen e mjeteve.
Probleme ka në rrugët e lidhin fshatrat Peqinaj- Domen dhe Peqinaj-Kazie.
Këto akse përbëjnë rrezik si per kalimtarët ashtu edhe për mjetet, pasi rruga ka rreshqitur në thellësi 70-100 m.
Ndërkaq, të martën në komunën Synej pritet të mbërrijë një ekip specialistësh për të vlerësuar situatën.
Burimet thanë se nëse rrëshqitjet vazhdojnë mund të merret edhe vendimi i evakuimit të të gjithë banorëvë të zonës.
Megjithëatë, për këtë hap ekstrem pritet vendimi i ekspertëve gjeologë.
Rrëshqitja e dherave është një fenomen i njohur në komunat e Kavajës. Në mars të vitit të kaluar fenomeni shkaktoi shembjen e 7 banesave dhe dëmtimin e shumë të tjerave.