Rreth 171 efektivë në përballje me zjarrin në Himarë, nis ndërhyrja nga ajri

TIRANË, 5 shtator /ATSH/ Forcat e Armatosura vijuan gjatë natës angazhimin në terren për menaxhimin e situatës së krijuar nga zjarret në Himarë. Mediet raportojnë se në orët e para të mëngjesit situata në qytetin e Himarës paraqitet më e qetë.
Flakët nuk konsiderohen më kërcënim i drejtpërdrejtë për zonat e banuara të qytetit, ndërsa fokusi i ndërhyrjes është zhvendosur te kodra poshtë Pilurit, ku zjarri vijon të jetë aktiv. Në këtë zonë po ndërhyhet edhe nga ajri, me synim izolimin dhe shuarjen e vatrave të mbetura.
Një natë më parë, flakët që përfshinë kodrat pranë qytetit detyruan banorë dhe pushues të largoheshin nga banesat dhe hotelet. Flakët, të favorizuara nga era e fortë, u përhapën me shpejtësi në kodrat pranë lagjes “1 Maji” dhe në zonën e By-Pass-it. Deri tani sipas medieve raportohet për gjashtë shtëpi të djegura, tre prej të cilave ishin të banuara dhe tre të pabanuara.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ishte në terren gjatë natës për të parë nga afër situatën e krijuar nga zjarret dhe angazhimin e strukturave në përballimin e tyre.
Sipas ministrit në terren ishin angazhuar 171 efektivë dhe 10 mjete, ndërsa në gatishmëri ishin edhe një mjet zjarrfikës dhe një ambulancë.
“Himarë, ku gjatë natës së kaluar Forcat e Armatosura vijuan angazhimin në terren për menaxhimin e situatës së krijuar nga zjarri. 171 efektivë, 10 mjete në terren, 1 mjet zjarrfikës dhe 1 ambulancë nga Forcat e Armatosura ishin në gatishmëri dhe pranë komunitetit, në përballimin e situatës dhe mbrojtjen e jetës dhe pronës”, shkroi ministri Nufi, duke vlerësuar punën e efektivëve të angazhuar gjatë natës.
/m.q/ /a.g/