E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rreth 6000 të pastrehë ngelen peng e mosmbledhjes së Këshillit Bashkiak



Lizeta Duro

Rreth 6000 të pastrehë që kanë aplikuar për një banesë sociale, për tre programet sociale të parashikuara në ligj, (banesë me kosto të ulët, me qera si dhe tokë) në 11 Njësitë Bashkiake të kryeqytetit ngelen peng të e mosmbledhjes së Këshillit Bashkiak. Për vitin 2010 aplikimet janë mbyllur dhe dosjet me dokumentet e të pastrehëve janë arkivuar në Drejtorinë e Menaxhimit të Strehimit dhe Shërbimit Social. Nga 6000 aplikuesit e regjistruar do të përfitojnë strehim vetëm 400 të pastrehë, të cilët do të akomodohen në 400 apartamente të ndërtuar nga Bashkia e Tiranës për personat e pastrehë. Zona urbane ku janë ndërtuar banesat sociale ndodhet në pjesën. Përzgjedhja e fituesve do të bëhet në bazë të ligjit për strehimin, si edhe sistemit të pikëzimit.

Procedura e përzgjedhjes

Burimet nga Drejtoria e Menaxhimit të Strehimit dhe Shërbimit Social shprehen se pas mbylljes së aplikimit duhet të kishte filluar përzgjedhja e personave që kanë më shumë shanse për të përfituar një banesë sociale por që mosmbledhja e Këshillit Bashkiak, i cili realizon shqyrtimin e dokumentacionit dhe bën përzgjedhjen e përfituesve. Banorët e parë që do të përfitojnë nga banesat sociale do të jenë të pastrehët, të cilët aktualisht jetojnë në kushte të vështira sociale, në ambientet e brendshme të ish-Uzinës. Gjithsesi, përparësi në fazën e seleksionimit do të kenë individët që nuk kanë asnjë shpresë për të pasur një shtëpi të tyren, apo për të përballuar një qira normale. Përpara se Bashkia e Tiranës të bëjë publik emrat e personave që përfitojnë strehim në banesat sociale, lista emërore e aplikantëve do të kalojë një për një për shqyrtim në Këshillin Bashkiak, i cili ka të drejtën të kryejë përzgjedhjen e fituesve.

Qiraja

Banesat që do të jepen me qira do të administrohen nga bashkitë. Ato do t’u jepen me qira familjeve në nevojë dhe të pastrehëve me një vlerë që varron nga 3000-6000 lekë në muaj me një afat prej 10 muajsh. Pagesa që do të vilet nga qiraja e banesave sociale, do të shërbejë për mirëmbajtjen e godinave dhe territorit ku ata do të jetojnë. Gjithsesi, ajo që thuhet hëpërhë është se, shuma do të jetë simbolike dhe me afat të gjatë shlyerjeje. Përjashtim nuk bëjnë familjet me shumë fëmijë, çiftet e reja me moshë të përgjithshme deri në 55 vjeç, familjet që kanë ndryshuar vendbanim për shkaqe punësimi, si dhe individët me statusin e jetimit, që nga çasti i daljes nga jetimoret, ose nga qendrat e përkujdesit, e deri në moshën 30 vjeç. Familjet e përcaktuara si kategori prioritare, niveli minimal i qirasë do të llogaritet sa 25 për qind e qirasë maksimale. Kurse për çdo objekt të ri që ndërtohet apo blihet në treg, masa e qirasë do të llogaritet vetëm një herë dhe do të miratohet me vendim të këshillit bashkiak. Ky nivel qiraje do të përdoret deri në fund të muajit janar të vitit pasardhës. Pallatet janë 6-katëshe, ku kati i parë do të shërbejë vetëm për shërbime të tipit dyqane, qendra biznesi, ndërsa një nga godinat do të shërbejë si menaxhuese e gjithë kompleksit të pallateve. Godinat nuk do të kenë ashensor dhe do të kenë përafërsisht të njëjtën sipërfaqe banimi. Bashkia e Tiranës numëron deri më tani më shumë se 3 mijë të pastrehë që kanë aplikuar në programet e strehimit të Bashkisë. Sistemi i përzgjedhjes është i shtrirë në dy faza.

Aplikimi

Për tre programet sociale të parashikuara në ligj, që nga viti 2005 deri në vitin 2010 kanë kërkuar banesë me kosto të ulët 4362 të pastrehë, 1 124 persona kanë aplikuar për banesë sociale me qira si dhe 92 aplikues kanë kërkuar tokë të pajisur me infrastrukturë. Ndërkaq, vazhdojnë aplikimet për një banesë sociale për të gjithë personat e pastrehë që plotësojnë kushtet për një të tillë, të cilët do ta përfitojnë në vitin 2011. Burime nga Drejtoria e Strehimit Social shprehen se aplikimet vazhdojnë sepse në zonën e Shkozës, ku po ndërtohen aktualisht banesat sociale, këtë vit do të strehohen rreth 400 familje, ndërsa do të ketë apartamente të reja për vitin që vjen. Për këtë arsye, çdo qytetar që plotëson kushtet për një banesë sociale, mund të tërheqë në Zyrën e Informacionit pranë Bashkisë së Tiranës një formular aplikimi dhe të nisë procedurat duke plotësuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm që duhet për një banesë sociale.

Përfitojnë të parët familjet që:

1. Nuk kanë banesë në pronësi;

2. Kanë të ardhura të ulëta;

3. Kanë invalidë ose persona me aftësi të kufizuara;

4. Kanë persona që mbajnë statusin e jetimit;

5. Gratë e divorcuara që mbajnë fëmijët;

6. Të moshuarit pa përkrahje;

Dokumentet

Gjendja familjare, certifikatë personale e aplikantit dhe familjare e noterizuar;

Vërtetim nga Zyra e Regjistrimit të Pasurisë që nuk keni pronësi shtëpie;

Vërtetim për të ardhurat neto të familjes;

Vërtetim të lëshuar nga Shërbimet Teknike të Bashkisë për gjendjen jo të mirë të banesës ku jetoni aktualisht;

Vërtetim nga Zyra e ndihmës ekonomike nga njësia bashkiake;

Vërtetim nga zyrat e punës për personat që marrin pagesë papunësie;

Vërtetim nga sigurimet shoqërore për personat në pension;

Deklaratë personale e noterizuar sipas modelit të përcaktuar në manualin për menaxhimin e banesave sociale me qira;

Vendime nga hipoteka për pronat e paluajtshme;

Dokumenti zyrtar i celebrimit;

Deklaratë personale të noterizuar për vetëdijen e plotësimit të formularit;

Kërkesë e veçantë për statusin e një prej pjesëtarëve të familjes/ nëse është me aftësi të kufizuara;

Dokument ku provohet se kryefamiljari është grua e ve ose e divorcuar, si dhe familje me shumë fëmijë;

18 Janar 2011

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›