E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjatë 2010-s janë vënë mbi 200 milionë lekë gjoba nga inspektorët mjedisorë



Anilejda Shëmbitraku

Dje, në një konferencë për shtyp, Ministria e Mjedisit ka bërë pasqyrën e punës për vitin e kaluar dhe ka paraqitur perspektivën për vitin 2011. Gjatë vitit që shkoi janë organizuar rreth 5120 kontrolle, janë vendosur rreth 309 gjoba dhe janë pezulluar 144 aktivitete. Rezultat i gjithë këtyre kontrolleve ka qenë grumbullimi i mbi 200 milionë lekëve gjoba që janë vënë ndaj ndërmarrjeve.

Kontrollet
Objekt i kontrollit, përveç respektimit të ligjit, kanë qenë dhe zbatimi i kushteve dhe standardeve mjedisore nga operatorët që kanë impakt në mjedis. Kontrollet janë përqendruar në: basenet e lumenjve; ndotjen e mjedisit; aktivitetet e peshkimit; pyjeve, zonat turistike dhe plazhe; varrezat e makinave; vend-depozitimet e mbeturinave; burimet e zhurmave. “Këto kontrolle kanë nxjerrë në pah se zbatimi i ligjit mbetet ende problem”, - ka deklaruar ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, i cili ka theksuar se i patolerueshëm është angazhimi në nivel lokal dhe mungesa e investimeve në trajtimin e mbetjeve urbane. Po ashtu, sipas ministrit, është e patolerueshme shkarkimi i ujërave në det pa trajtim apo riciklim sipas standardeve. Gjatë vitit 2010 i është kushtuar rëndësi dhe fuqizimit të rolit të inspektoratit rritjes se tij në numër dhe të përmirësimit në infrastrukturë. Ministria e Mjedisit ka marrë masa dhe ka rritur në mënyrë të ndjeshme numrin e inspektorëve në mjedis, peshkim dhe ujëra (nga 40 në 160 inspektorë). Në sektorin e pyjeve kontrollet janë përqendruar në firmat që shfrytëzojnë pyjet, prerjet e paligjshme dhe mënyrën si pyjet po administrohen nga pushteti vendor.

Masat
Për vitin në vazhdim, prioritet i Ministrisë së Mjedisit mbetet forcimi i zbatimit të ligjit dhe ndëshkimi i shkelësve. Ministria synon riorganizimin e Inspektoratit të Mjedisit, ndarjen e funksioneve të kontrollit nga ato të menaxhimit, rritjen dhe programimin e kontrolleve, rritjen e shkallës së pezullimit dhe ndalimit për aktivitete që nuk respektojnë kërkesat e ligjit, procedimi penal i gjithë shkelësve të ligjit; rritjen, fuqizimin dhe përmirësimin e infrastrukturës së kontrollit në mjedis; forcimin e kontrollit ndaj firmave që shfrytëzojnë pyjet, rritjen e kërkesave për kapacitet e tyre teknike dhe ekonomike; fuqizimin e kontrollit ndaj pyjeve komunale.

Buxheti
Taksat për administrimin e mbetjeve

Ndër objektivat e parashikuara në strategjinë e mjedisit është dhe administrimi i mbetjeve. Sipas Ministrisë së Mjedisit mbetjet urbane nuk administrohen nëse ne si gjeneruesit e tyre nuk paguajmë taksën përkatëse. Ato nuk administrohen nëse pushteti vendor nuk merr përgjegjësitë për t`i depozituar ato në vende të caktuara. “Për vitin 2011 prioritet i punës do të jetë bashkëpunimi me Ministrin e Punës dhe pushtetin vendor për të caktuar vend-depozitimet e përkohshme dhe për të kaluar gradualisht në zgjidhjet afatgjata, duke e futur Shqipërinë në listën e vendeve që kryen menaxhim bashkëkohor të mbetjeve.

Mjekësia
Specializimet, studentët sërish në protestë

Studentët e Mjekësisë kanë protestuar sërish dje për procedurat që u ndoqën për fituesit e specializimeve. Ata sërish akuzojnë Dekanatin dhe Profesoratin që ka marrë pjesë gjatë testimit se nuk kanë zbatuar rregulloren. Ata i bëjnë thirrje Prokurorisë që të intensifikojë hetimet. “I bëjmë thirrje prokurores së Përgjithshme të marrë masa dhe të intensifikojë hetimet, pasi sot po vuajmë ne, por nesër do të vuajnë të gjithë ata të sëmurë që vuajnë nga këta mjekë të përzgjedhur me logjikën e horoskopit. Ditën e mërkurë, datë 19.1.2011, ora 11:00, është afati i fundit për shpalljen e datave të reja për konkurset me gojë, në rang departamenti, sipas rregullores. Aty do të mblidhen të gjithë dhe do të vendosim për përshkallëzim të protestës në rast të mos plotësimit të kërkesës sonë të ligjshme”, - ka deklaruar Erion Stoiku, student i Departamentit të Kirurgjisë maksimo-faciale. Aktualisht studentët kanë zhvilluar takime edhe me rektorin e Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, por për pas më shumë se dy javësh protestash dhe takimesh, ata nuk kane marrë një zgjidhje konkrete dhe një përgjigje për pyetjen që ngrenë, se si janë zhvendosur studentet jo fitues, në listat e fituesve.

ALUIZNI
Po bëhen gati për legalizim mbi 4000 objekte informale

Burime nga ALUIZNI kanë bërë të ditur për gazetën “Albania” se specialistët e këtij institucioni po punojnë për përfundimin e dokumentacionit tekniko-ligjor për mbi 4000 ndërtime informale të cilat pritet të publikohen në ditët në vazhdim. Çdo qytetar fiton të drejtën të marrë tapinë e shtëpisë së tij pasi ka shlyer detyrimet nga shtetit. Procedura ka nisur me matjet dhe verifikimet e bëra nga ALUIZNI dhe përgatitja e një dosjeje të plotë për çdo qytetar. Më pas, me ligjin e ri për pagesën me bono privatizimi, kësaj dosjeje i shtohet dhe kërkesa e bërë nga vetë qytetarët për mënyrën se si duan të bëjnë pagesë. Ata kanë të drejtë që deri në 80% të vlerës ta paguajnë me bono. Gjithashtu, dy fatura të tjera në dosjen përkatëse janë dhe taksa për ndikimin në infrastrukturë, e cila është vetëm 0.5 për qind e çmimit bazë të vendosur nga Enti i Banesave, rreth 140 lekë, si dhe një tjetër faturë që përcakton një tarifë fikse për shërbimin prej 4 mijë lekësh për çdo kat të ndërtimit informal. Të gjitha këto dokumente, me shkresën zyrtare të ALUIZNI-t, u mundësojnë qytetarëve që të paraqiten në bankën përkatëse për të bërë pagesë.

18 Janar 2011

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›