E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Punës, procedurat ligjore për punësimin e shqiptarëve në Itali



Anilejda Shëmbitraku

Nga dita e djeshme ka filluar në sajtin e Ministrisë së Brendshme italiane plotësimi i kërkesave për punë online për “Dekretin e Flukseve 2010”. Specialistët e migracionit pranë Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta sqarojnë për gazetën “Albania” se hyrja në Itali për motive si punëmarrës (edhe stinor), apo si i vetëpunësuar, bëhet brenda kufijve të kuotave të vendosura nga një apo disa dekrete të nxjerra nga Presidenti i Këshillit të Ministrave.

Dekreti
“Botimi i Dekretit të Flukseve është kusht i domosdoshëm për të mundësuar paraqitjen e kërkesës nga ana e punëdhënësit, të pranishëm në Itali, për të marrë miratimin e marrjes së autorizimit për hyrjen dhe punësimin e një personi, shtetas nga shtete joanëtare të BE-së, që qëndron jashtë Italisë; përndryshe nuk ka mundësi të sjellësh një të huaj nga jashtë për motive punësimi, duke bërë përjashtim për sektorë të veçantë punësimi, të parashikuara nga neni 27 i Tekstit Unik mbi Imigrimin (TUI) dhe për rastet e ribashkimit familjar që po kështu lejojnë punësimin, por nuk kufizohen nga sistemi i kuotave”, - theksojnë specialistët e Ministrisë së Punës. Sipas tyre, ecuria që mundëson hyrjen dhe punësimin e një punëtori të huaj, shtetas nga shtete joanëtare të BE-së, që qëndron jashtë Italisë, artikulohet në momente dhe faza të veçanta, sipas procedurës së vendosur nga Ligji 189/2002 (i ashtuquajturi “Bosi-Fini”) dhe nga Dekret - Ligji 334, viti 2004, që zbatohen vetëm duke u nisur nga Dekret-Flukset.

Punëdhënësi
Punëdhënësi italian, i cili dëshiron të vendosë marrëdhënie si punëmarrës me një shtetas shqiptar, duhet të paraqesë kërkesë me emër për miratim punësimi pranë Sportelit Unik mbi Imigrimin (SUI), i cili është ngritur pranë prefekturës-zyrës territoriale të qeverisë (ZTQ), brenda suazës së kuotave të vendosura nga “Dekret-Flukset” e posaçme. Paraqitja e kërkesës mund të bëhet vetëm pas hyrjes në fuqi të dekretit në fjalë dhe brenda kufijve të vendeve të lira të punës, të ndara sipas një rendi kronologjik të paraqitjes së kërkesave. Sistemi i paraqitjes së kërkesave në këto vite ka ndryshuar, duke kaluar nga sistemi i përcjelljes së kërkesës, përmes zyrave postare në një sistem të përcjelljes telematike, në sajtin e Ministrisë së Brendshme: ////ëëë.interno.it, me informatizimin e mëtejshëm të domosdoshëm të punëdhënësit, apo edhe mbështetjen teknike nga ana e shoqatave të kategorisë, sindikatave, organizatave të punëdhënësve, apo të konsulentëve të punës, e gjitha kjo falas.

PËRMBAJTJA
Garancia që i kërkohet punëdhënësit për shqiptarët

Kërkesa me emër për miratimin e punësimit përmban:
1- Tregimin e një sistemimi të strehimit për punëtorin shqiptar, të përshtatshëm sipas rregullave të parashikuara nga ligjet e secilit rajon dhe që më pas do të dokumentohet me rastin e hyrjes efektive të punëtorit të huaj.
2- Zotimin se punëtorit shqiptar do t`i sigurohet trajtimi i shpërblimit dhe kontribute të sigurimeve shoqërore, të parashikuara nga ligjet dhe nga kontratat kombëtare kolektive në fuqi, apo nga ato, sidoqoftë në zbatim; në rastin e punës shtëpiake, shpërblimi mujor nuk duhet të jetë më i vogël se sa minimalja e parashikuar nga çeku social (asistenca shoqërore, që ndryshon nga viti në vit, me vendim të Ministrisë së Financave).
3- Propozimi i një kontrate qëndrimi, e cila përmban, veç elementeve themelore të një kontrate, zotimin për pagesën e udhëtimit të rikthimit të shtetasit shqiptar në Shqipëri.
4- Deklarata e zotimit për t`i komunikuar Sportelit Unik mbi Imigrimin ndryshime që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e punës (ndërprerja e marrëdhënieve, ndryshimi i adresave etj.).

Siguria
Garancitë që jep Sporteli Unik i Imigrimit (SUI)

SUI, për t`u mundësuar qendrave të punësimit (QP), në veçanti asaj që është kompetente për territorin, të kryejnë njohjen e duhur të kërkesave për punësim, në rrugë telematike ua përcjell të gjitha qendrave të punësimit provinciale dhe, po kështu, i bën publike në sitin e internetit, si dhe me çdo mjet tjetër të mundshëm. Veç kësaj SUI:
1- Tërheq mendimin e kuestorit lidhur me motive penguese për lëshimin e miratimit për punëtorin e huaj.
2- Tërheq mendimin e Drejtorisë Provinciale të Punës lidhur me ekzistencën apo jo të kërkesave minimale kontraktore dhe mbi aftësitë e realizimit të të ardhurava të punëdhënësit. Në rastin e një mendimi negativ, qoftë edhe të një prej këtyre zyrave, SUI e refuzon kërkesën.
3- Në rastin e mendimit pozitiv, SUI: thërret punëdhënësin për t`i dorëzuar miratimin dhe për nënshkrimin e kontratës së propozuar; i përcjell në rrugë telematike dokumentacionin përfaqësive konsullore.

Kontrata
Rastet kur punëdhënësi nuk plotëson kushtet e premtuara

Me Qarkoren e 20 gushtit 2007, Ministria e Brendshme italiane trajtoi rastin e mosdisponibilitetit të punëdhënësit, që në kohë kishte paraqitur kërkesë për miratim, duke iu referuar jo vetëm rasteve të shkrirjes së një ndërmarrjeje, apo të vdekjes së personit të asistuar, apo që do të merrte shërbime përkujdesjeje (të rregulluara nga Qarkorja e mëparshme), por të gjitha rastet e pamundësisë objektive të punëtorit për të përsosur kontratën e qëndrimit me punëdhënësin, për të cilin u lëshua në fillim miratimi. Meqë zyrtarizimi i munguar i marrëdhënieve të punësimit nuk është në varësi të shkaqeve që të shpien te punonjësi shqiptar, Ministria mori qëndrimin se aplikanti mund të kërkojë lëshimin e lejes së qëndrimit në pritje të punësimit, duke bashkëlidhur një deklaratë të posaçme me nënshkrimin e drejtuesit të SUI-së, nga ku vërtetohet se punëdhënësi nuk dëshiron më të zyrtarizojë punësimin. Duke nisur nga shkurti i 2007-s u pranua si i ligjshëm punësimi i punëtorit shqiptar gjatë përpunimit të procesit të lëshimit të lejes së parë të qëndrimit, në përputhje me çka parashikon Qarkorja e Ministrisë së Brendshme Italiane Nr. 749 e dt. 20.2.2007, me kusht që imigranti të ketë paraqitur kërkesë për leje qëndrimi dhe të zotërojë dëftesën (ricevuta-n) e lëshuar nga zyrat postare. Imigranti që zotëron këtë dëftesë mund të ndryshojë edhe aktivitetin e punësimit, duke lidhur një kontratë tjetër pune dhe qëndrimi, siç mund të regjistrohet në Zyrën e Gjendjes Civile, por edhe të nisë procedurën e ribashkimit familjar, nëse plotëson kushtet e vendosura me ligj. Normativa nuk parashikon përmbushjen e një harku kohor të përcaktuar, para përcjelljes së një kërkese të tillë, por pasjen e një të ardhure të mjaftueshme dhe një strehim të përshtatshëm.

FAQE 7

Procedurat që ndiqen pas përfitimit të punës

Aplikuesit shqiptarë për punë në Itali, pas fitimit të saj, i duhen 4 deri në 6 muaj për përfundimin e dokumenteve

Miratimi për punësim si punëmarrës ka vlefshmëri deri në 6 muaj nga data e lëshimit, gjatë të cilave punëtori shqiptar duhet të kërkojë vizën e hyrjes pranë përfaqësisë diplomatike/konsullore italiane në vendin tonë. Nuk lejohet zëvendësimi i një punëdhënësi me një tjetër. Nëse punëdhënësi nuk është më i interesuar për punësimin në fjalë, ndalohet procedura dhe miratimi për punësim i lëshuar, po i papërdorur, anulohet. Qarkorja e Ministrisë së Brendshme saktëson se në rastin e vdekjes së punëdhënësit apo shkrirjes së ndërmarrjes, lejohet zëvendësimi në punësim nga ana e një familjari të të vdekurit, apo nga ndërmarrja e re, që ka marrë aktivitetin e asaj të shkrirë.

Miratimi
Punëtori shqiptar, me të marrë miratimin pranë punëdhënësit (të ardhshëm), duhet të kërkojë takim në përfaqësinë diplomatike/ konsullore italiane në Shqipëri. Kjo përfaqësi, së cilës ndërkohë i është përcjellë në rrugë telematike dokumentacioni, përfshirë edhe miratimi përkatës për punësim, i përcjell aplikuesit shqiptar për punësim në Itali propozim-kontratën dhe lëshon vizën e hyrjes (teorikisht) brenda 30 ditëve, duke njoftuar për këtë Ministrinë e Brendshme, atë të Punës dhe të Politikave Sociale, INSP (Institutin Kombëtar të Përkujdesjes Shoqërore) dhe INAIL (Instituti Kombëtar i Aksidenteve në Punë).

Punësimi
Brenda tetë ditëve nga hyrja në Itali, punëtori duhet të paraqitet pranë SUI që ka lëshuar miratimin, ose të kërkojë takim (në disa raste zgjat edhe me muaj), për të nënshkruar kontratën e qëndrimit dhe për të paraqitur kërkesën e pajisjes me leje qëndrimi. Sporteli Unik i Imigrimit, me t`u paraqitur punëtori: verifikon vizën e lëshuar nga autoritetet konsullore dhe të dhënat e përgjithshme të punëtorit; lëshon certifikatën për regjistrimin dhe marrjen e kodit fiskal; dorëzon modulin e kërkesës për leje qëndrimi dhe ia përcjell të dhënat kuesturës kompetente. Pas kalimit në SUI, punëtori duhet të paraqitet pranë një zyre postare për të dërguar në kuesturë paketën e posaçme me kërkesën për leje qëndrimi të lëshuara nga SUI, si dhe dokumentet e tjera. Në çdo rast kuestura komunikon në adresën e shënuar në kërkesë, datën e paraqitjes në zyrat e saj për të vazhduar me marrjen e shenjave foto-daktiloskopike. Më vonë do të vazhdojë me një njoftim tjetër për dorëzimin e lejes së qëndrimit; për këtë arsye kërkohen kohë të tjera pritjeje, që në praktikë, të paktën deri tani kanë shkuar nga 6 deri në 14 muaj.

Marrëveshjet mes Italisë dhe Shqipërisë për punësimin stinor

Leja e qëndrimit për motive të punës stinore si punëmarrës lejon vetëm ushtrimin e aktivitetit për të cilin u lëshua

Autorizimi për punë stinore lëshohet nga Sporteli Unik mbi Imigrimin (SUI) i Prefekturës - Zyrës Territoriale të qeverisë (ZTQ), sa kohë që nuk janë ndryshuar kuotat përkatëse për punë stinore dhe pas paraqitjes së kërkesës me emër nga punëdhënësi për miratimin e punësimit të punëtorit imigrant nga ana e: një punëdhënësi; një shoqate të kategorisë, në emër të shumë anëtarëve të saj. Sektorët e interesuar për kuotat për punën stinore si punëmarrës, janë ekskluzivisht sektori bujqësor dhe ai turistik.

Marrëveshjet e punësimit Itali-Shqipëri
Në mjedisin turistik tashmë janë të tejkaluara kufizimet që lidhen me mosaktivitetin e një ndërmarrjeje dhe mbizotërojnë motivimet e punëdhënësit, p.sh. arsye të karakterit teknik, produktiv dhe organizativ. Mundësia e thirrjes për punë stinore të punëmarrësve, jashtë Italisë, me dekret-fluksin stinor, zakonisht rezervohet për shtetas të disa shteteve, me të cilët Italia ka lidhur marrëveshje të posaçme mes të cilave është edhe Shqipëria. Për punëtorë, shtetas jo të këtyre shteteve, mundësia e ardhjes për punë stinore kufizohet në rastet kur vetë punëtori tashmë zotëron një leje qëndrimi për punë stinore të një viti më parë. Për lëshimin e miratimit për punësim, teorikisht parashikohet një pritje 20-ditore, por efektivisht procedura ka zgjatur edhe 2-3 muaj. Leja e qëndrimit për motive stinore ka një vlefshmëri minimale 20 ditë dhe maksimalisht 9 muaj.

Leja e qëndrimit
Leja e qëndrimit për motive të punës stinore si punëmarrës lejon vetëm ushtrimin e aktivitetit për të cilin u lëshua, pra nuk mundëson ushtrimin e një aktiviteti tjetër të pavarur, apo si punëmarrës, veç rasteve kur bëhet fjalë për punë stinore tjetër dhe brenda periudhës së autorizuar të qëndrimit.

Punë e pavarur
Hyrja në Itali për motive të vetëpunësimit është subjekt i disiplinuar nga dekret-flukset, sipas kuotave të përcaktuara nga qeveria, në zbatim të nenit 21 të Dekret-Ligjit 286/98 (i ashtuquajturi ligji “Turko-Napoletano”, apo Teksti Unik mbi Imigrimin). Pra, një shtetas nga shtete jo anëtare të BE-së që synon të ushtrojë një aktivitet jorastësor të vetëpunësimit, industrial, profesional, artizanal, apo komercial, apo që dëshiron të ngrejë një shoqëri kapitalesh, para së gjithash duhet të presë botimin e dekret-flukseve për të paraqitur kërkesën për vizë hyrjeje për vetëpunësim, pranë përfaqësisë diplomatiko/konsullore italiane në vendin e origjinës, apo të qëndrimit të ligjshëm. Sidoqoftë, ushtrimi i një aktiviteti të pavarur nuk mundësohet për disa kategori, që përcaktohen specifikisht në dekret-Flukset, herë pas here janë përjashtuar hyrjet për bashkëpunëtorët me projekt, ortakët e shoqërive kooperativa, sipërmarrësit e vegjël, gjithnjë për kategorinë e të vetëpunësuarve.

DOKUMENTET
Marrja e miratimit nga Kuestura

Në rastin kur i interesuari ndodhet tashmë në Itali për arsye të tjera (p.sh. turizmi, apo biznesi), mund ta paraqesë personalisht kërkesën në zyrat e duhura, apo mund të ngarkojë për këtë gjë një ndërmjetës të pajisur me prokurë të veçantë. Veç këtyre duhet provuar se:
1- Zotëron një deklaratë të autoritetit administrativ kompetent që vërteton se nuk ka motive që pengojnë lëshimin e autorizimit, apo licencën e parashikuar për aktivitetin në fjalë; certifikatë që vërteton plotësimin e kërkesave të parashikuara nga ligji italian për të njëjtin aktivitet (në shumicën e rasteve është e domosdoshme të regjistrohesh në një Libër, apo Regjistër).
2- Zotërimin e certifikatave që provojnë plotësimin e kërkesave të parashikuara, të përkthyera dhe të legalizuara nga përfaqësia diplomatike/konsullore e vendit të origjinës.

3- zotërimin e burimeve për të ushtruar aktivitetin në fjalë, që i korrespondojnë parametrave ekonomikë, të përcaktuara nga Dhoma e Tregtisë, Industrisë, Artizanatit dhe Bujqësisë, apo nga Urdhri Profesional kompetent.
4- Zotërimin e një strehimi të përshtatshëm dhe të ardhurave vjetore, që janë mbi nivelin minimal të parashikuar.

18 Janar 2011

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›