E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rreth 743 mijë aplikime online për pasaportë dhe kartë identiteti nga shqiptarët jashtë vendit

TIRANË, 8 shtator/ATSH/ Aplikimi për pasaportë dhe kartë identiteti mundësohet online përmes e-Albania edhe për shqiptarët rezidentë jashtë kufijve.

Sipas shifrave të publikuara nga e-Albania nga janari në gushtin e vitit 2025 janë mundësuar 53,408 aplikime, ose 9.2 % më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2024.

“Ndërsa që prej vitit 2016 përllogariten 742,969 aplikime online mesatarisht 82 mijë aplikime në vit”, theksoi e-Albania.

Gjatë aplikimit, qytetarët zgjedhin datën dhe orën e takimit pranë ambasadës ose konsullatës në vendin ku jetojnë.

Pas përfundimit me sukses të aplikimi qytetarët do të njoftohen me e-mail në lidhje me detajet e  pagesës dhe dokumentacionit që duhet të kenë me vete ditën e takimit.

Qytetari është i detyruar të paraqitet më pas në përfaqësi për të lënë shenjat e gishtërinjve.

Shtetasi ripajiset me pasaportë para mbarimit të afatit të vlefshmërisë së pasaportës ekzistuese në rastet kur udhëton apo qëndron përkohësisht në shtete që kushtëzojnë hyrjen ose qëndrimin me një afat të caktuar vlefshmërie të pasaportës; kur ndryshojnë përbërësit e gjendjes civile; kur pasaportës i janë plotësuar fletët me shënime zyrtare; kur pasaporta është dëmtuar fizikisht; kur pasaporta është deklaruar e humbur dhe kur pasaporta është kallëzuar e vjedhur.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›