E Diel, 1 Nëntor 2026

Rreth 80 prokurorë të shtetit angazhohen për balotazhin e së dielës në Kosovë

PRISHTINË, 7 nëntor/ATSH/ Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit në Kosovë njofton se për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunave më 9 nëntor, Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor.

Në këto zgjedhje janë angazhuar së bashku rreth 80 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët do të qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë.

Prokurori i Shtetit i fton qytetarët, subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë te prokuroritë përkatëse çdo rast të dyshuar për keqpërdorim ose manipulim të votave.

Të dielën mbahet raundi i dytë për kryetar në 18 komuna, ku më 12 tetor nuk pati fitues. /KosovaPress//r.e/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›