E Diel, 1 Nëntor 2026

Rreth 90 biznese të dëmtuara gjatë protestës, vlera arrin në 18 milionë lekë

TIRANË, 21 tetor /ATSH/  Rreth 90 subjekte tregtare në kryeqytet rezultojnë të dëmtuara nga protestat e ditëve të fundit, ndërsa vlera e dëmeve për disa prej bizneseve të prekura arrin deri tani në 18 milionë lekë.

Të dhënat u bënë të ditura sot nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për ATSH-në, bazuar në konstatimet e deritanishme të administratës tatimore në terren dhe nëpërmjet portalit “Dëmi im”.

Sipas Tatimeve, procesi i evidentimit dhe vlerësimit të dëmeve vijon, ndaj numri i subjekteve të prekura mbetet paraprak dhe mund të ndryshojë në përfundim të verifikimeve.

“Vlera e dëmeve për subjekte të veçanta deri tani arrin në shifrën e 18 milionë lekëve të reja”, bëri të ditur Administrata Tatimore.

Administrata Tatimore vijon mbledhjen dhe verifikimin e të dhënave për të përcaktuar më saktë pasojat ekonomike të dëmtimeve të raportuara nga bizneset në kryeqytet, teksa nxit bizneset që kanë pësuar dëmtime gjatë protestave në kryeqytet të paraqesin online të dhënat për dëmet përmes shërbimit elektronik “Dëmi im”, në portalin “e-Albania”.

Për të raportuar situatën, subjektet tregtare duhet të plotësojnë formularin elektronik me informacionin përkatës mbi dëmet e shkaktuara në ambientet e tyre. Pjesë e aplikimit është edhe dokumentimi i dëmeve, përmes fotografive dhe dokumenteve të tjera që shërbejnë si prova mbështetëse për gjendjen e raportuar.

Të dhënat e paraqitura përmes këtij shërbimi ndihmojnë në procesin e evidentimit dhe vlerësimit të dëmeve të shkaktuara te bizneset nga protestat.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›