Rrethimi i fundit i Bamir Topit
Katër vjet e gjysëm pas zgjedhjes, kreu i shtetit e gjen veten më të izoluar se kurrë. Kompetenca të bllokuara, konflikt i ndezur me qeverinë, pamundësi për të influencuar proceset politike në vend. Bilanci dëshpërues i një mandati dhe dorëheqja e munguar e një politikani të lartë
Nga Skender Minxhozi
Gazetarët që mbulojnë aktivitetin e organeve të drejtësisë në Tiranë, kanë mbetur të habitur paraditen e 30 janarit, kur kanë parë eskortën e presidentit Bamir Topi të mos ndalet në derën e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në Bulevardin Zogu i Parë. Sipas një rituali të konsoliduar prej vitesh, kreu i shtetit hynte nga dera qendrore e institucionit, i pritur në hyrje nga zëvendëskryetari i KLD Kreshnik Spahiu. Atë ditë presidenti përdori një hyrje të prapme të godinës së madhe me fasadë prej xhami, duke iu fshehur me kujdes syrit të kamerave që e prisnin tek dera kryesore. Ky detaj i parëndësishëm nuk shqetësoi shumë nga mediat, të cilat janë mësuar me situata edhe më të rënda, që kanë ndodhur rregullisht në institucionin më të lartë të drejtësisë shqiptare.
Por për vëzhguesit e kujdesshëm, nuk kaloi pa u vënë re fakti se presidenti ia doli mbanë, me anë të kësaj rrëshqitjeje të vogël protokollare, që të mos shfaqej para kamerave me njeriun që në ato orë ishte i kryqëzuari i preferuar i shtetit: Kreshnik Spahiun. Situata ishte e rëndë, edhe pa hetimin parlamentar të shefit të ri të Aleancës Kuq e Zi. Më mirë të evitohej ky shtrëngim duarsh puçistësh!
Bilanci i vështirë i një Presidence
Cili është sot, pas më shumë se tre vjetësh e gjysmë, bilanci i presidencës së Bamir Topit? Ja një pyetje që ndoshta ia vlen të shtrohet qysh tani, kur nga mandati i tij presidencial kanë mbetur edhe rreth pesë muaj. Topi u zgjodh në krye të shtetit në një klimë politike e cila premtonte një presidencë të qetë dhe pa shumë andralla. Pak a shumë si mandati i Rexhep Meidanit pas vitit 1997, i cili kishte pasur mbështetjen, qoftë edhe formale, të mazhorancës rozë që drejtonte asokohe vendin. Në 20 korrik, kur përqafonte ata që e kishin votuar, Bamir Topi zor se e imagjinonte se fati i tij presidencial sdo ti ngjante asfare atij të Meidanit, por do të ishte thuajse i njëjtë me atë të presidentit tjetër në radhë: Alfred Moisiut.
Në thuajse katër vjet, distanca graduale që u krijua mes Presidentit Topi dhe kryeministrit Berisha, përcaktoi edhe përmasat e humnerës që do ta ndanin atë përgjithmonë nga partia e tij. Sot ai është një lloj apatridi politik, i përzënë nga forca e tij politike në mënyrën më klasore dhe të padrejtë të mundshme. Me kalimin e viteve, ai është rrethuar e tkurrur brenda kangjellave të institucionit të tij, duke humbur rrugës kompetenca, tagër ligjor, miq e aleatë. E gjitha kjo atmosferë nuk e shkarkon megjithatë nga përgjegjësitë e tij edhe vetë kreun e shtetit, që ka kaluar mes miqësish dhe armiqësish politike nga më të pabesueshmet në këtë pesë vjeçar. Dhe ja pse!
Ndryshimet Kushtetuese
Presidenti Topi reagoi vakët, kur në vitin 2008 Berisha dhe Rama flirtuan mes tyre, për të mënyrën e zgjedhjes së Presidentit, i cili papritur, shikonte se do të zgjidhej me më pak vota sesa duhen për Avokatin e Popullit. Edhe pse kjo formulë e re kushtetuese shërbente për Pasardhësin, Topit i nuk i pëlqeu aspak, sepse mendonte dhe vetë një mandat të dytë. Që ngjante i pamundur për shkak të marrëdhënies që kishte krijuar atëherë me dy të fortët e politikës, Berisha dhe Rama në atë kohë.
Pak javë më parë ai u shpreh për mediat se momenti i ndryshimeve kushtetuese 2008, është momenti kur filloi ftohja (me Berishën). Deputetët iu futën lloj-lloj ndryshimesh në Kushtetutë pa konsultimin e Kreut të Shtetit, duke u atakuar me institucionin e Presidentit. Ky qe fillimi i fundit të marrëdhënies së Bamir Topit me partinë e tij. Reagimi i tij në atë kohë ishte amorf. Ai i hapi rrugë të keqes, e cila e vuri poshtë edhe atë vetë.
Sistemi i drejtësisë
Kreu aktual i shtetit është i vetmi në erën postkomuniste, të cilit i janë rrëzuar më shumë dekrete, sesa i janë miratuar. Në pesë vjet ai ka parë sesi është mahisur marrëdhënia e tij me Kuvendin, duke sjellë rrëzimin e përsëritur të kandidaturave të tij. Kujtohet ende beteja publike që ambasadori amerikan i atëhershëm Uithers, bëri në vitin 2010 me mazhorancën, për shkak të asaj që ai e quante rrëzim politik i kandidaturave për anëtarët e gjykatave. Ka qenë i njëjti diplomat, i cili ka vënë re gjithashtu, siç na e tregon Uikiliks, se kreu i shtetit ka pranuar të hyjë edhe në pazare aspak elegante me kryeministrin, për të kaluar kandidaturat e tij. Kjo e drejtësisë, është një përplasje që Bamir Topi po e përjeton në përmasa gjithnjë e më të rënda. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, që u la për shumë kohë në mëshirën e fatit, pa anëtarë të zgjedhur dhe i sulmuar rregullisht nga qeveria, është shprehja më e fortë e konfliktit Topi-Berisha në drejtësi. Rrëzimi i pritshëm, gjatë këtij muaji, i Kreshnik Spahiut, në kokën e KLD-së, do të jetë goditja e fundit që kreu i shtetit do të marrë në këtë segment shumë të rëndësishëm të drejtësisë. Ikja e Spahiut e lë praktikisht zbuluar Topin, në një organ që ka qenë deri më sot jetik për atë vetë, por edhe për ruajtjen e ekuilibrave në sistemin e drejtësisë, përballë sulmit frontal të kryeministrit. Ndërkohë, tre dekrete gjyqtarësh kushtetues janë bllokuar nga Kuvendi, duke lënë në detyrë 3 anëtarë të vjetër, me më shumë se 13 vjet në detyrë, ndërkohë që Kushtetuta parashikon se mandati nuk duhet ti kalojë 9 vjetët.
Konflikti i tejzgjatur me qeverinë për sistemin e drejtësisë, e ka lënë praktikisht Presidentin pa njërën nga kompetencat e tij themelore.
Diplomacia
Nëse ka një rrëmujë institucionale e ligjore, diku në ngrehinën e sotme shtetërore, kjo është diplomacia. Dhe sa më larg Tiranës, aq më rrëmujë dhe kundravajtje ligjore. Përfaqësitë tona, të cilat drejtohen nga ata që ligjërisht quhen përfaqësuesit e Presidentit, pra ambasadorët, janë faktikisht shprehja e pafuqisë së kreut të shtetit për të vënë rregull dhe ligj në këtë sektor jetik, për imazhin e shtetit dhe funksionimin e tij. Konflikti i tejzgjatur me Berishën, i ka imponuar Bamir Topit pamundësinë totale të ndryshimit të ambasadorëve, konform afateve ligjore të shërbimit, kritereve të emërimit dhe të funksionimit të trupit tonë diplomatik. Ambasada e jonë në Londër qëndron pa ambasador prej më shumë se një viti, për shkak se Topi dhe Berisha nuk bien dakord për emrin e ambasadorit të ri. Aktualisht marrëdhëniet tona më Britaninë janë të ulura në gradën e të ngarkuarit me punë, një skandal i vërtetë ky. E njëjta situatë është edhe në Pragë. Nga ana tjetër, sherri mes presidentit dhe kreut të ekzekutivit ka sjellë që titullarët e përfaqësive në Romë, Bernë, Gjenevë, Paris, Strasburg, Berlin, Buenos Aires, Podgoricë, Shkup, Stokholm, etj. të tejkalojnë afatin e shërbimit, duke qëndruar në post edhe përtej limitit ligjor. Një trupë diplomatike e bllokuar, është rezultati i pamundësis